10.Cili është gjykimi mbi veprimet e njerëzve?
Autor: Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di (v. 1376)
Shpjegues i librit: Alameh Ahmed bin Jahja en Nexhmi (v. 1429)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Berijjat ala Kitab Ahamm-il-Muhimmat, fq. 52-55 Përktheu: Valdet Gashi
Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di ka thënë:
Pyetja e dhjetë: Cili është gjykimi mbi veprat e njerëzve?
Përgjigje: Të gjitha veprat të cilat i bën robi si në ibadet ashtu edhe në mëkat të gjitha hyjnë nën krijimin, caktimin dhe vendimin e Allahut. Megjithatë, ata janë që i bëjnë ato. Allahu nuk i ka detyruar ata në ato veprime. Ata i veprojnë ato me ndihmën e vullnetit dhe fuqitë e tyre.
Ato vërtetë janë veprimet e tyre. Ata cilësohen me to dhe shpërblehen dhe ndëshkohen për to.
Veprat janë të krijuara nga Allahu, Ai i ka krijuar ata, dëshirën dhe fuqinë e tyre, dhe çdo gjë që ndodh.
Ne besojmë në të gjitha këto tekste në Kuran dhe sunnet që vërtetojnë krijimin gjithëpërfshirës të Allahut dhe fuqinë e Tij mbi gjithçka që ekziston dhe ndodh.
Gjithashtu, ne besojmë në të gjitha tekstet e Kuranit dhe sunnetit që dëshmojnë se vërtetë robërit janë ata që kryejnë veprime të mira dhe të këqija, dhe se ata zgjedhin veprimet e tyre. Allahu ka krijuar forcën dhe dëshirën e tyre. Këto dy gjëra (fuqia dhe dëshira) janë dy shkaqe të veprimeve dhe fjalëve të tyre. Ai i Cili krijon shkakun gjithashtu krijon të shkaktuarën. Allahu është më madhështorë dhe i drejtë për t’i detyruar ata që të veprojnë.”
Shpjegimi
Allahu është Ai që krijon të mirën dhe të keqen, besimin dhe kufrin, veprën e mirë dhe mëkatin. Ndërsa, janë robërit ata që i veprojnë ato. Allahu (subhanehu ue te ala) krijoi robërit dhe aftësinë dhe dëshirën e tyre. Allahu (xhela ue ala) na tregoi se Ibrahimi ﷺ ka thënë:
وَاللَّهُ خَلَقَكُمْ وَمَا تَعْمَلُونَ
“E, Allahu ju krijoi juve edhe atë që veproni.” 1
Allahu ka caktuar veprat e robërve. Ato janë shkruar në pllakën e ruajtur. Allahu ka shkruar tashmë robërit e Tij të lumtur dhe të bindur, dhe ata fatkeqët dhe të pabindurit.
Kaderi është sekreti i Allahut. Askush nuk mund ta zbulojë atë. Ehl-us-Sunneti frikësohen që të thellohen në të. Në këtë mënyrë ata u përmbahen selefëve të drejtë.
Në Kuran ka lajmërime se Allahu (azze ue xhel) i poshtëron disa njerëz dhe i cakton që të jenë fatkeq. Ai i bën ata që vetë të zgjedhin fatkeqësinë dhe rrugët drejt saj. Allahu (xhela ue ala) ka thënë:
وَنُقَلِّبُ أَفْئِدَتَهُمْ وَأَبْصَارَهُمْ كَمَا لَمْ يُؤْمِنُواْ بِهِ أَوَّلَ مَرَّةٍ وَنَذَرُهُمْ فِي طُغْيَانِهِمْ يَعْمَهُونَ
“Dhe Ne do t’i largojmë zemrat dhe sytë e tyre larg udhës së drejtë, pasi ata nuk pranuan të besojnë në të herën e parë dhe dhe i lëmë të bredhin të hutuar në atë mashtrimin e tyre.” 2
فَلَمَّا زَاغُوا أَزَاغَ اللَّهُ قُلُوبَهُمْ
”E kur ata u shmangën nga e vërteta, Allahu i largoi zemrat e tyre.” 3
إِنَّ اللّهَ لاَ يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّى يُغَيِّرُواْ مَا بِأَنْفُسِهِمْ
”Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.” 4
Këto ajete vërtetojnë se Allahu (subhanehu ue te ala) dënon disa robër sepse ata refuzojnë udhëzimin e Tij dhe i shmangen atij.
Allahu (subhanehu ue te ala) gjithashtu na ka treguar se Ai nuk është i padrejtë ndaj robërve të Tij dhe se robërit janë ata që kryejnë padrejtësi ndaj vetës së tyre. Allahu (te ala) ka thënë:
وَمَا ظَلَمْنَاهُمْ وَلَكِن كَانُواْ أَنفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ
”Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre, por ata vetes i patën bërë padrejtësi.” 5
إِنَّ اللّهَ لاَ يَظْلِمُ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ
”S’ka dyshim se Allahu nuk bën padrejtësi as sa një thërrmijë.” 6
مَنْ عَمِلَ صَالِحًا فَلِنَفْسِهِ وَمَنْ أَسَاء فَعَلَيْهَا وَمَا رَبُّكَ بِظَلَّامٍ لِّلْعَبِيدِ
”Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtësi ndaj robërve.” 7
Allahu (te ala) e udhëzon kë të dojë me mirësinë Tij dhe Ai e devijon kë të dojë me drejtësinë e Tij.
Ai (te ala) ka thënë:
لَا يُسْأَلُ عَمَّا يَفْعَلُ وَهُمْ يُسْأَلُونَ
“Ai nuk pyetet se çfarë vepron, ndërsa ata do të merren në pyetje.” 8
Ekzistojnë dy besime të gabuara në lidhje me kaderin:
1 – Besimi i Xhebrive. Ata thonë se Allahu i detyron njerëzit në fatkeqësi dhe i ndëshkon ata për të. Ata ia atribuojnë Allahut padrejtësinë. Ndërsa Allahu (subhanehu ue te ala) ia ka ndaluar vetës së Tij padrejtësinë sikurse Ai na ka ndaluar që ne të jemi të padrejtë mes njëri-tjetrit. Ai tha në hadithin Kudsi:
“O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar padrejtësinë vetës dhe ua kam ndaluar atë juve. Prandaj mos e trajtoni njëri-tjetrin me padrejtësi.” 9
Sipas këtyre Allahu i detyron njerëzit në mosbesim dhe mëkate, dhe pastaj i dënon ata për gjitha këto. Ky besim është më i keq sesa besimi nga e cila ata janë përpjekur që t’i shpëtojnë.
2 – Besimi i Kaderive (mohuesve të kaderit). Ata thonë se mosbesimi dhe mëkatet janë veprimet e robërve të cilat Allahu (azze ue xhel) nuk i ka përcaktuar. Këta njerëz së pari kanë pohuar dy krijues. Ata besojnë se Zoti krijon adhurimin dhe besimin, ndërsa robi krijon mosbesimin dhe mëkatin. Prandaj, ata i përngjasojnë Mexhusëve. Së dyti, ata thonë se mosbesimi nuk është përcaktuar nga Allahu (azze ue xhel). Kjo do të thotë se ka gjëra që ndodhin pa vullnetin dhe lejen e Allahut (subhanehu ue te ala). Kjo pohon se Allahu është mundur nga krijesat.
Ndërsa Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati thonë se e mira dhe e keqja, bindja dhe mosbindja, besimi dhe mosbesimi janë të gjitha të caktuara nga Allahu (subhanehu ue te ala). Robërit bëjnë veprat e tyre vullnetarisht. Ata zgjedhin mosbesimin para besimit, mosbindjen para bindjes, devijimin para udhëzimit. Ata nuk kanë asnjë shfajësim para Allahut. Ai i gjykon ata me urtësi madhështore. Ky është besimi i Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit. Ky është besimi i vërtetë të cilën e kishin sahabët e të dërguarit të Allahut ﷺ.
Gjithë krijesat janë robërit e Allahut. Po t’i kishte dënuar të gjithë, Ai nuk do ta kishte bërë këtë me padrejtësi. Robërit janë ata që kanë bërë veprat e tyre vullnetarisht. Ai që vepron mirë shpërblehet nga Allahu. Ai që vepron keq ose do të dënohet nga Allahu, ose do të falet nga Allahu. E njëjta gjë vlen për besimin dhe mosbesimin. Ai që vdes në një gjendje të kufrit dënohet pa asnjë dyshim në zjarrin e xhehenemit. Ai që vdes si musliman hyn padyshim në xhenet.
Muslimani duhet gjithmonë t’i kërkojë Allahut që ta stabilizoi dhe ta udhëzojë atë. Prandaj, Allahu ka ligjësuar që El-Fatiha të lexohet:
اهدِنَا الصِّرَاطَ المُستَقِيمَ
”Na udhëzo ne në rrugën e drejtë.” 10
Është përshkruar që ajo të lexohet në çdo rekat në mënyrë që robi gjithmonë ta lus Allahun (azze ue xhel) që ta udhëzojë në rrugën e drejtë dhe që ta mbrojtur atë kundër rrugëve devijuese. Profeti ﷺ e kishte zakon që gjithmonë të lutej:
“O Ti që i rrotullis zemrat! Forcoje zemrën time në fenë Tënde.” 11
Prandaj edhe ne duhet të lutemi shpesh në këtë mënyrë.
1 37:96.
2 6:110.
3 61:5.
4 13:11.
5 16:118.
6 4:40.
7 41:46.
8 21:23.
9 Muslimi (2477).
10 1:6.
11 Tirmidhi (3522). Autentik sipas Albanit në ”Dhilal-ul-Xhennah” (223).
- 27 Mars, 2016
- Comments are off