Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

55.Ne nuk dëshmojmë për asnjë musliman se ai do të hyjë në xhenet apo në xhehnem

Autor: Imam Ahmed bin Hanbel

Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali 

Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 431-432

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Imam Ahmedi (rahimehullah) ka thënë:

“Ne nuk dëshmojmë për asnjë musliman se ai do të hyjë në xhenet apo në xhehnem për veprat e tij. Ne shpresojmë për të mirën e tij dhe kemi frikë për të, kemi frikë për mëkatarin dhe shpresojmë që Allahu ta falë atë.”

Shpjegimi:

Ai tha:

“Ne nuk dëshmojmë për asnjë musliman se ai do të hyjë në xhenet apo në xhehnem për veprat e tij.”

Do të thotë përderisa mëkati nuk është kufër. Nëse mëkati është kufër apo idhujtari, atëherë e ka gjykimin e tij. Por në qoftë se është vetëm një mëkat nga mëkatet, ne nuk japim gjykim se ai do të hyjë në xhenet apo në xhehnem. Në qoftë se ai bëri vepra të mira, ne shpresojmë që ai të hyjë në xhenet. Në qoftë se ai bëri veprime që kërkojnë dënimin në xhehnem, ne kemi frikë për të. Ne shpresojmë për të bindurin dhe frikësohemi për të pabindurin. Ne nuk gjykojmë as për xhenetin e as xhehnemin për dikë. Është vetëm Allahu (azze ue xhel) i Cili ka të drejtë për këtë. I vetmi përjashtim është pra mosbesimi i qartë. Një jehudi ose nasrani është kafir, kjo është e qartë. Një person i tillë do të hyjë në xhehnem. Ne themi prerë se kafiri do të hyjë në xhehnem. Lidhur me besimtarët, të bindurit dhe mëkatarët e tyre, ne nuk gjykojmë për ta asgjë.

Kjo është në dorën e Allahut (azze ue xhel). Ne shpresojmë për të bindurin dhe frikësohemi për mëkatarin. Ne shpresojmë për të mirin dhe njëkohësisht frikësohemi për të. Është e mundur që nga ana e jashtme ai bën vepra të mira, ndërsa në zemër qëndron në të kundërtën. Kjo ka ndodhur më parë. I dërguari ka thënë në lidhje me personin që luftonte ashpër:

“Ai është në zjarr.” 1

Me sa dukej ai ishte një luftëtar, por qëllimin e kishte tjetër.

E njëjta gjë vlen edhe për personin i cili u godit nga një shigjetë. Sahabët thanë se ai ishte shehid, ndërsa profeti tha:

“Kurrë! Palltoja të cilën ai e mori si plaçkë e luftës pa leje digjet flakë nga zjarri në të.” 2

Umm-ul-A’la u kujdes për Uthman bin Madhunin. Kur ai vdiq, ajo tha:

“Allahu të faltë, Ebu-Sa’ib! Unë dëshmoj se Allahu të ka nderuar ty.” “Atëherë i dërguari i Allahut tha: “Çfarë di ti se a e ka nderuar Allahu atë? Betohem në Allahun se unë jam i dërguari i Allahut dhe unë nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua.” Ajo tha: “Pas kësaj unë kurrë nuk e kam lavdëruar dikë më.” Pastaj ajo ëndërroi se si ai e kishte një burim që shushuriste. Ajo ia tregoi këtë të dërguarit të Allahut i cili tha:

“Ai është vepra e tij.” 3

Qëllimi është që ti nuk mund të jeshë i prerë se dikush do të hyjë në xhenet apo në xhehnem.


1 Bukhari (4203) dhe Muslimi (111).

2 Bukhari (4234) dhe Muslimi (115).

3 Bukhari (2687).

Shpërndaje: