Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

59.Ngjarja rreth el-Uelid el-Makhzumit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 70-71

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com 

Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

50 – Allahu e ka nënçmuar dhe e ka poshtëruar atë, e ka refuzuar dhe e ka kërcënuar me ndëshkim në xhehenem. Ai (te ala) ka thënë:

سَأُصْلِيهِ سَقَرَ

“Unë do ta hedh atë në zjarr të xhehenemit.” 1

Shpjegimi

Allahu (azze ue xhel) i ka dënuar ata që flasin në këtë mënyrë dhe që thonë se Kurani është fjala e njeriut, si për shembull sikurse bëri el-Uelid bin el-Mughirah el-Makhzumi. Ai i përkiste paganëve më të mëdhenj të Mekës dhe quhej “Lulja e Mekës” për shkak të statusit të tij të lartë në qytet. Kur ai e dëgjoi Kuranin nga i dërguari , ai u mahnit dhe e kuptoi se nuk është fjalë e njeriut. Si rezultat i kësaj, ai filloi ta lavdërojë Kuranin dhe tha: ’’Nuk është as poezi dhe as magji pasi unë e njoh stilin e poezisë, i njoh llojet e magjisë, llojet e fallit, e njoh këtë dhe e njoh atë… dhe tha: ’’Kurani nuk është asnjëra prej këtyre’’. Kur kufarët e popullit të tij, filluan ta qortojnë atë dhe të sillen dhunshëm ndaj tij pasi thënia e tij sugjeronte se ai e pranoi mesazhin e të dërguarit , ai devijoi nga e vërteta -Allahut i kërkojmë mbrojtje nga devijimi- dhe tha:

إِنْ هَذَا إِلَّا قَوْلُ الْبَشَرِ

”Ky (Kurani) është fjalë e njeriut dhe asgjë tjetër!” 1

Pastaj Allahu (azze ue xhel) shpalli:

إِنَّهُ فَكَّرَ وَقَدَّرَ فَقُتِلَ كَيْفَ قَدَّرَ ثُمَّ قُتِلَ كَيْفَ قَدَّرَ ثُمَّ نَظَرَ ثُمَّ عَبَسَ وَبَسَرَ ثُمَّ أَدْبَرَ وَاسْتَكْبَرَ فَقَالَ إِنْ هَذَا إِلَّا سِحْرٌ يُؤْثَرُ إِنْ هَذَا إِلَّا قَوْلُ الْبَشَرِ

 “Vërtet që ai mendonte dhe thurte. Qoftë i mallkuar, po si thurte dhe kurdiste? Prapë qoftë i mallkuar, po si thurte dhe kurdiste? Pastaj ai u mendua. Pastaj u vrenjt dhe u bë i vrazhdë. Pastaj ktheu shpinën me mendjemadhësi. Pastaj tha: ’’Ky (Kurani) nuk është gjë tjetër veçse magji nga ato të vjetrat. Ky (Kurani) është fjalë e njeriut dhe asgjë tjetër!” 2

Pastaj Allahu (azze ue xhel) tha:

سَأُصْلِيهِ سَقَرَ

“Unë do ta hedh atë në zjarr të xhehenemit.”


1 El-Mudethir 74:26

2 El-Mudethir 74:18-25

Shpërndaje: