Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Besimi në emrat dhe cilësitë e Allahut – Uthejmin

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Shpjegimi i bazave të besimit, fq. 22-24

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Besimi në emrat dhe cilësitë e Allahut do të thotë që të besohet çdo gjë që Allahu ka konfirmuar për Veten e Tij në Librin e Tij, dhe ajo që është konfirmuar në Sunnetin e të dërguarit të Tij (salAllahu alejhi ue selem) në lidhje me emrat dhe cilësitë e Tij ashtu siç i takojnë Atij pa i shtrembëruar ato, pa i mohuar, pa pyetur se si janë ato dhe pa i krahasuar ato me cilësitë e krijesave të Tij. Allahu (i Lartësuar) ka thënë:

Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj lutjuni Atij me to dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij. Ata do të ndëshkohen për çfarë kanë vepruar.” [7:180]

Allahu (i Lartësuar) gjithashtu ka thënë:

Atij i takon përshkrimi më i lartë (askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Tij dhe asgjë nuk është e krahasueshme me Të) në qiej dhe tokë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” [30:27]

Allahu (i Lartësuar) gjithashtu ka thënë:

”Asgjë nuk i përngjet Atij. Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [ 42:11]

Në lidhje me emrat dhe cilësitë e Allahut, kanë devijuar dy grupe njerëzish:

Grupi i parë: Mohuesit, ata që mohuan emrat dhe atributet e Allahut, ose mohuan vetëm disa prej cilësive. E bënë këtë, duke pretenduar se konfirmimi i emrave dhe cilësive të Allahut, obligon përngjasimin me cilësitë e krijesave të Tij. Që i bie përngjasimi Allahut me Krijesat e Tij! Ky është një argument bosh dhe i pavlerë në disa këndvështrime:

Këndvështrimi i parë: po të ishte siç thonë ata, do të hasnim në kontradikta në fjalët e Allahut. Sepse Allahu (i Lartësuar) i ka konfirmuar për Veten e Tij emrat dhe cilësitë e Tij, e në të njëjtën kohë shohim se Ai e ka mohuar përngjasimin me dikë tjetër! Pra, nëse konfirmimi i emrave dhe cilësive të Tij do të nënkuptonte edhe përngjasimin e Tij me krijesat, atëherë do të hasnim në kontradikta në fjalët e Allahut sepse disa fjalë të Tij i përgënjeshtrojnë disa fjalë të tjera!

Këndvështrimi i dytë: Nuk do to thotë nëse dy gjëra që kanë të njëjtin emër apo cilësi, të jenë të njëjta edhe në aspekte tjera! Ju mund të shihni dy njerëz dhe secili prej tyre dëgjon, sheh dhe flet. Por kjo nuk do të thotë se ata janë të njëjtë në cilësitë njerëzore, në të dëgjuar, të parë e të folur. Të njëjtën gjë e gjeni edhe tek kafshët; ato kanë duar, këmbë dhe sy, por nuk do të thotë se ato ngjasojnë mes veti për arsye se ato kanë duar, këmbë dhe sy! Pasi që, dallimet janë të qarta në mes të krijesave edhe pse ato kanë emra dhe cilësi të ngjashme, padyshim se dallimi ndërmjet Krijuesit dhe krijesave të Tij është edhe më i madh dhe më i qartë!

Grupi i dytë: Ata që ngjasojnë Allahun me krijesat. Janë ata që i konfirmojnë emrat dhe cilësitë e Allahut ndërsa njëkohësisht duke i ngjasuar ato me ato të krijesave të Tij, duke thënë se kështu sugjerojnë argumentet tekstualisht, dhe se Allahu u flet robërve të Vet vetëm me atë që ata kuptojnë. Edhe ky është një argumentim bosh dhe i pavlerë, nga disa këndvështrime:

Këndvështrimi i parë: Të ngjasosh Allahun me krijesat është diçka shumë e gabuar, gjë të cilën e përgënjeshtron mendja e shëndoshë dhe sheriati Islam. E nuk është e mundur që Kurani dhe Sunneti të përmbajnë diçka që është e gabuar dhe e kotë.

Pikëpamja e dytë: Që Allahu i foli robërve të Tij ashtu siç ata e kuptojnë, ka të bëjë në kuptimin bazë të fjalës, por në lidhje me realitetin dhe esencën e çështjes e cila ka të bëjë me emrat dhe cilësitë e Tij, kjo është diçka që Ai e ka fshehur për Veten e Tij dhe vetëm Ai i din ato ashtu siç janë!

Pasi që Allahu ka konfirmuar për Veten e Tij se Ai është Dëgjues, dhe domethënia e dëgjimit tek ne nënkupton “kapjen e zërave dhe tingujve”, por realisht, kur kemi të bëjmë me Allahun e Lartësuar, mënyra e të dëgjuarit nuk është e ditur për ne. Kur e dimë se realiteti i të dëgjuarit tek krijesat ndryshon ndërmjet vete; marrë parasysh këtë, atëherë dallimi ndërmjet Krijuesit dhe krijesave të Tij është edhe më i madh.

Kur Allahu na tregon se Ai u ngrit mbi Fronin (arshin) e Tij, ne e kuptojmë se çfarë do të thotë fjala “ngritje” në domethënien bazë të saj. Por ajo që ne nuk e dimë është se, si Allahu u ngrit mbi fronin e Tij?! Sepse ngritja tek krijesat nuk është e njëjtë sikurse ajo tek Allahu. Dikush që ngritet mbi një karrige të palëvizshme, nuk është e njëjtë sikur të ngritet mbi një deve që është e vështirë për të hipur mbi të. E nëse dallimi tek krijesat është prezent dhe i qartë, atëherë dallimi ndërmjet Krijuesit dhe krijesave është më i madh dhe më i qartë.

Besimi në Allahun e Lartësuar ashtu siç e kemi përshkruar më lartë, i jep besimtarit fryte të dobishme, e ndër to janë:

E para: Realizimi i të njësuarit Allahun e Lartësuar duke mos ju drejtuar askujt me shpresë e frikë përpos Allahut dhe duke mos i shoqëruar Atij askënd në adhurim.

E dyta: Dashuria e plotë ndaj Allahut, duke e lartësuar Atë në përputhshmëri me cilësitë dhe emrat e Tij të bukur.

E treta: Të adhuruarit e Allahut duke praktikuar urdhëresat e Tij dhe duke u përmbajtur nga ndalesat që Ai i ka ndaluar.

Shpërndaje: