Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Besimi në engjëjt

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Akidetu Ehl-us-Sunneh uel Xhema´ah

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Besojmë në engjëjt e Allahut të Madhëruar dhe se ata:

 عِبَادٌ مُكْرَمُونَ لَا يَسْبِقُونَهُ بِالْقَوْلِ وَهُمْ بِأَمْرِهِ يَعْمَلُونَ

“Janë robër të nderuar. Ata nuk flasin para (Fjalës së) Tij dhe veprojnë me Urdhrin e Tij.” 1

Allahu i Madhëruar i ka krijuar ata, e adhurojnë Atë dhe i bindet Atij.

 لَا يَسْتَكْبِرُونَ عَنْ عِبَادَتِهِ وَلَا يَسْتَحْسِرُونَ يُسَبِّحُونَ اللَّيْلَ وَالنَّهَارَ لَا يَفْتُرُونَ

“Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë dhe nuk janë kryeneç ndaj adhurimit të Tij dhe nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.” 2

Allahu i ka “fshehur” ata prej nesh dhe ne nuk mund t’i shohim ata (engjëjt), porse Ai ia mundëson këtë gjë (shikimin e tyre) disa prej robëve të Tij. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e ka shikuar Xhibrilin në formën e tij dhe ai kishte gjashtëqind palë krah duke e zënë horizontin. Po ashtu Xhibrili i erdhi Merjemes në formën e njeriut, i foli asaj dhe ajo atij. Po ashtu ai (Xhibrili) i erdhi profetit (salAllahu alejhi ue selem) në kohën kur tek ai ishin edhe shokët e tij (sahabët), i erdhi në formën e një personi që nuk njihej dhe nuk shihej tek ai gjurmët e udhëtimit, me rroba shumë të bardha dhe me flokë shumë të zinj. U ul pranë profetit (salAllahu alejhi ue selem), bashkoi gjunjët e tij me ato të profetit (salAllahu alejhi ue selem), vendosi duart e tij mbi gjurin e tij, i foli profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe profeti (salAllahu alejhi ue selem) i foli atij. Pastaj profeti (salAllahu alejhi ue selem) i lajmëroi shokët e tij se ai ishte Xhibrili. 3

Besojmë se engjëjt punojnë disa punë për të cilat ata janë përgjegjës për to.

Prej tyre Xhibrili që është ngarkuar me shpalljen, ku ai zbret me të prej Allahut tek ata që Ai dëshiron prej profetëve dhe të dërguarve të Tij.

Prej tyre është Mikaili i cili është ngarkuar me rënien e shiut dhe bimët.

Prej tyre është Israfili i cili është ngarkuar që t’i fryjë Surit në kohën kur krijesat të vdesin dhe të ringjallen.

Prej tyre është engjëlli i maleve i cili është përgjegjës për to.

Prej tyre është Maliku, roja i zjarrit të xhehenemit.

Prej tyre janë edhe engjëjt të cilët janë përgjegjes për embrionet (fetusin) që ndodhen në mitër.

Të tjerë prej tyre (engjëjve) janë përgjegjës për ruajtjen e njerëzve, të tjetër me shkruajtjen e punëve. Secili person ka nga një engjëll:

عَنِ الْيَمِينِ وَعَنِ الشِّمَالِ قَعِيدٌ مَا يَلْفِظُ مِنْ قَوْلٍ إِلَّا لَدَيْهِ رَقِيبٌ عَتِيدٌ

“Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” 4

Disa (engjëj) janë ngarkuar për marrjen në pyetje personin që ka vdekur. Pasi ai vendoset në varrin e tij i vijnë atij dy engjëj (Munker dhe Nekir) dhe e pyesin atë në lidhje me Zotin e tij, fenë e tij dhe profetin e tij:

يُثَبِّتُ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الْآخِرَةِ وَيُضِلُّ اللَّهُ الظَّالِمِينَ وَيَفْعَلُ اللَّهُ مَا يَشَاءُ

“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” 5

Prej tyre janë dhe engjëjt që janë përgjegjës për banorët e xhenetit:

يَدْخُلُونَ عَلَيْهِمْ مِنْ كُلِّ بَابٍ سَلَامٌ عَلَيْكُمْ بِمَا صَبَرْتُمْ فَنِعْمَ عُقْبَى الدَّارِ

“Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” 6

Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka lajmëruar se në “Bejtul Ma’mur” që ndodhet në qiell, në të futen, në një transmetim tjetër thuhet “falen në të”, çdo ditë shtatëdhjetë mijë engjëj e pastaj nuk kthehen më tek ajo. 7


1 El-Enbija’ 21:26-27

2 El-Enbija’ 21:19-20

3 Hadithi i njohur i Xhibrilit i transmetuar nga Umeri (radijAllahu anhu) i cili ka thënë: Një ditë ishim duke qëndruar me të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), kur na u shfaq një burrë me rroba shumë të bardha dhe me flokë shumë të zeza, nuk dukeshin tek ai gjurmët e udhëtimit dhe askush nga ne nuk e njihte atë. U ul pranë profetit (salAllahu alejhi ue selem) dhe mbështeti gjunjët e tij tek gjunjët e të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe vendosi duart te kofshët e tij dhe tha: “O Muhammed, më trego për Islamin.” I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Islami është të dëshmuarit se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të kryhesh haxhin nëse ke mundësi.” Tha: “Të vërtetën ke thënë.” (Umeri thotë) U habitëm me të, edhe pyet edhe vërteton! Tha: “Më trego për besimin (Imanin).” I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Të besosh në Allahun e Madhëruar, në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në ditën e Fundit si dhe të besosh në paracaktimin e Allahut për mirë dhe për keq.” Tha: “Të vërtetën ke thënë.” Tha: “Më trego për ihsanin.” I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Ta adhurosh Allahun e Madhëruar sikur je duke e parë, se edhe pse ti nuk e shikon Atë, Ai me të vërtetë të shikon ty.” Tha: “Më trego për Kiametin.” I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) tha: “I pyeturi nuk di më shumë se ai që pyet në lidhje me të!” Tha: “Më trego për shenjat e tij.” I dërguari i AllahutsalAllahu alejhi ue selem) tha: “Kur të lindë robëresha zonjën e saj, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e ndërtesave të mëdha.” Tha (Umeri): Ai u largua ndërsa ne mbetëm të habitur. I dërguari i (salAllahu alejhi ue selem) tha: “O Umer, a e di se kush ishte pyetësi?” Thashë: Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së mirë! (i dërguari i Allahut) tha: “Ai ishte Xhibrili, erdhi që t’ua mësojë çështjet e fesë tuaj.”

4 Kaf 50:17-18

5 Ibrahim 15:27

6 Er-Rad 13:23-24

7  el-Bukhari (3207), Muslim (259) dhe en-Nesai (447).

Shpërndaje: