Disa nga dallimet mes Ehlus-Sunneh dhe Shiave
Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Dallimet midis Sunnitëve dhe Shiitëve janë të shumta, por dallimi më i madh dhe më i rëndësishëm është se Ehlus-Sunneh i duan dhe i luten Allahut që t’i mëshirojë sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ata.
”Dhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “Zoti ynë! Na fal ne dhe vëllezërit tanë që e pranuan besimin para nesh dhe mos fut në zemrat tona asnjë grimcë urrejtje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë! Vërtet që Ti je i Butë, Mëshirëplotë!” El-Hashr 59:10
Ndërsa sa i përket sektit Shia për të cilin personi ka pyetur, ata i shajnë dhe i ofendojnë sahabët, i konsiderojnë njerëz të prishur e të këqinj (fusakë) dhe pas vdekjes së profetit ﷺ, i konsiderojnë sahabët të dalë nga Islami.
Në të vërtetë sharja dhe njollosja që ata u bëjnë sahabëve nuk cenon vetëm sahabët, por përveç tyre, kjo bie dhe mbi të dërguarin e Allahut ﷺ, mbi sheriatin Islam dhe mbi urtësinë e Zotit (azze ue xhel). Lidhur me sharjen e tyre kundrejt sahabëve, kjo është mjaft e qartë dhe e dukshme, ndërsa arsyeja se pse kjo është njëkohësisht dhe sharje ndaj të dërguarit të Allahut ﷺ, kjo për faktin se ai i cili i konsideron shokët e të dërguarit të Allahut ﷺ njerëz të prishur e të këqinj, atëherë kjo është sharje ndaj të dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam), pasi njeriu është në fenë e shokut të tij.
Dhe një person gjykohet në bazë të shoqërisë të tij dhe shokëve të tij. Pra nëse shoqëria dhe shokët e të dërguarit të Allahut ﷺ ishin në këtë nivel, kjo do të thotë se i dërguari i Allahut ﷺ ishte gjithashtu njësoj si ata. I kërkojmë Allahut mbrojtje nga kjo fjalë.
Ndërsa sa i përket asaj se si kjo është njollosje e sheriatit Islam, kjo për faktin se ky sheriat ka mbërritur deri tek ne vetëm se nëpërmjet transmetimit prej sahabëve. Dhe nëse ata do të ishin të cilësuar në një mënyrë kaq të neveritshme, si mund t’i besojmë sheriatit Islam dhe si mund t’u referohemi atyre dhe ta marrim rrugën e tyre e ta konsiderojmë si rrugë që të afron tek Allahu (azze ue xhel)?!
Ndërsa sa i përket njollosjes së urtësisë së Zotit tonë (subhanehu ue teala), kjo për faktin se mund të thuhet se një nga arsyet më të mëdha që mund të mohohet urtësia e Zotit tonë është se Allahu zgjodhi për krijesat e Tij këta sahabë të cilët akuzohen dhe ofendohen nga Shiat e devijuar. Ky është dallimi më i madh dhe më i rëndësishëm midis Ehlus-Sunneh dhe Shiitëve.
Në të vërtetë, nëse kthehemi tek kuptimi i kësaj fjale “Shia (mbështetës)”, ata kanë për qëllim me këtë se ata janë pasues të familjes së të dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam), por familja e të dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam) dhe në veçanti Ali ibn Ebi Talib i cili ishte një nga kalifët e drejtë, ata kurrë nuk do të ishin të kënaqur me atë që bëjnë dhe thonë Shiat, përkundrazi ata janë të distancuar prej tyre.
Atëherë si mund të jetë një person Shia (mbështetës) ndaj një personi tjetër kur ky i fundit është i distancuar prej veprimeve të atij që e konsideron veten Shia?
Njerëzit që meritojnë të konsiderohen si njerëzit mbështetës dhe miqtë e ehlul bejtit (familjes së të dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam), pra njerëzit që meritojnë të përshkruhen me këtë cilësi, janë vetëm Ehlus Sunneh, pasi ata i marrin në konsideratë të dy të drejtat që kanë kundrejt familjes së tij, si të drejtën për sa i përket aspektit të besimit ashtu dhe të drejtën e afërsisë së gjakut të kësaj familje me të dërguarin e Allahut ﷺ.
Por ata (Ehlus-Sunneh) nuk shkojnë në ekstrem sa që të thonë se Ehlul bejti (familja e të dërguarit të Allahut ﷺ) ka cilësi hyjnore (posedon teuhidin Rububijeh), apo se ata e meritonin shpalljen më shumë sesa Muhammedi ﷺ apo gjëra të tjera të ngjashme si këto të cilat janë të njohura që janë prej besimit të Shiave.
Si përmbledhje, është obligim për ne që ta paraqesim rrugën e Ehlus-Sunneh uel Xhema’ah në një mënyrë të qartë e të dukshme kur bëhet fjalë për familjen e të dërguarit të Allahut ﷺ dhe për pjesën tjetër të sahabëve në mënyrë që të sqarohen gënjeshtrat e ekstremistëve Shia.
- 20 Shkurt, 2021
- Comments are off