Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

E vërteta rreth birit të Nuhut alejhis-selam

Imam Ibn Kethir ed-Dimeshkij (v. 774)

Burimi: Tefsirul-Kuranil-Adhim (2/582-583)

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Allahu (‘Azze ue Xhel) ka thënë:

وَنَادَى نُوحٌ رَّبَّهُ فَقَالَ رَبِّ إِنَّ ابُنِي مِنْ أَهْلِي وَإِنَّ وَعْدَكَ الْحَقُّ وَأَنتَ أَحْكَمُ الْحَاكِمِينَ {45} قَالَ يَا نُوحُ إِنَّهُ لَيْسَ مِنْ أَهْلِكَ إِنَّهُ عَمَلٌ غَيْرُ صَالِحٍ فَلاَ تَسْأَلْنِ مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ إِنِّي أَعِظُكَ أَن تَكُونَ مِنَ الْجَاهِلِينَ {46}

“Pastaj Nuhu iu lut Zotit dhe i tha: “O Zoti im, biri im është nga familja ime, premtimi Yt është i vërtetë dhe Ti je Gjykatësi më i drejtë!” (Allahu) tha: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe. Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit.” 1

Ky ishte prej atyre ndaj të cilëve Allahu kishte vendosur të mbyten në ujë, për shkak të mosbesimit dhe kundërshtimit të babait të tij dhe Profetit të Allahut Nuhut (alejhis-selam).

Disa prej dijetarëve kanë hedhur poshtë mendimin e atyre të cilëve e interpretuan këtë ajet duke thënë se ai nuk ishte i biri i tij, por një fëmijë jashtë martese nga gruaja e Nuhut (alejhis-selam). Ky mendim i atribuohet Muxhahidit, Hasanit, ‘Ubejd bin ‘Umejrit, Ebu Xhafer el-Bekrit dhe Ibn Xheririt. Disa prej tyre e argumentuan këtë me fjalët e Allahut (Te’ala) nga ajetet paraprake:

إِنَّهُ عَمَلٌ غَيْرُ صَالِحٍ

“…ai ka bërë punë të keqe.” 2

Dhe ajetin tjetër:

ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا لِّلَّذِينَ كَفَرُوا اِمْرَأَةَ نُوحٍ وَاِمْرَأَةَ لُوطٍ كَانَتَا تَحْتَ عَبْدَيْنِ مِنْ عِبَادِنَا صَالِحَيْنِ فَخَانَتَاهُمَا 

“Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robërit Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata.” 3

Prej tyre që e thanë këtë janë el-Hasan el-Basri dhe i cili i përdori këto dy ajete dëshmi për mendimin e tij.

Të tjerë kanë thënë se ai ishte djali i gruas së tij. Kjo mund të thotë ose që el-Hasani kishte për qëllim se djali i tij iu atribua atij në mënyrë figurative – dhe Allahu e di më së miri. Ibn Abasi dhe të tjerë nga Selefët kanë thënë: “Asnjë nga gratë e Profetëve nuk ka bërë kurvëri.”

Mendimi i Ibn Abasit, padyshim se është i sakti. Asnjëherë Allahu nuk ka lejuar që ndonjë prej grave të Profetëve të tij të bieri në marrëzira të tilla. Prandaj Allahu u zemërua me ata që e akuzuan nënën e besimtarëve dhe bashkëshorten e Profetit (salAlahu alejhi ue selem) Aishen (radijAllahu anha) për kurvëri, dhe i qortoi besimtarët të cilët folën dhe e përhapën këtë.

Ibn Abasi (radijAllahu anhuma) ka thënë: “Ai ishte i biri i tij, i cili u nda nga babai i tij (Nuhu alejhis-selam) me qëllim dhe veproi kundër tij.”
‘Ikrime, veprimin e djalit të Nuhut (alejhis-selam) e shpjegoi duke thënë: “Veprimi i djalit të tij ishte i gabuar.”

Sulejman bin Kubah ka thënë se, ai e kishte dëgjuar Ibn Abasin (radijAllahu anhu) se ishte pyetur pranë Qabes, në lidhje me fjalët e Allahut (Te’ala):

ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا لِّلَّذِينَ كَفَرُوا اِمْرَأَةَ نُوحٍ وَاِمْرَأَةَ لُوطٍ كَانَتَا تَحْتَ عَبْدَيْنِ مِنْ عِبَادِنَا صَالِحَيْنِ فَخَانَتَاهُمَا 

“Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robërit Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata.” 4

Ai tha: “Tradhtia e përmendur në këtë ajet, nuk ka për qëllim kurvërinë. Por, njëra prej tyre i thoshte njerëzve për burrin e saj se ai ishte i çmendur (gruaja e Nuhut alejhis-selam), ndërsa tjetra i tregonte njerëzve rreth mysafirëve të tij (gruaja e Lutit alejhis-selam).”

Pastaj ai lexoi:

إِنَّهُ عَمَلٌ غَيْرُ صَالِحٍ

“…ai ka bërë punë të keqe.” 5

Disa dijetarë kanë thënë: “Asnjë nga gratë e profetëve nuk kanë bërë kurvëri.” (Siç e cituam edhe nga Ibn Abasi radijAllahu anhu (v.p.))

Ky mendim është transmetuar edhe nga Muxhahidi, ‘Ikrime, edh-Dahhaku, Mejmun bin Mehran dhe Thabit bin el-Haxhxhaxhi. Këtë mendim e ka zgjedhur po ashtu edhe Ebu Xha’fer bin Xherir et-Taberij – dhe ky është padyshim mendimi i saktë.


1 Hud 11:45-46

2 Hud 11:46

3 Et-Tahrim 66:10

4 Et-Tahrim 66:10

5 Hud 11:46

Shpërndaje: