Llojet e bojkotimit
Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Sherh el-Mumti’ ‘ala zad el-Mustakni’ volumi 12 kapitulli mbi martesën, fq. 3002-3003
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Bojkotimi i myslimanit, është tre lloje:
1.Bojkotimi i obliguar, siç është pasuesi i bidatit i cili thërret në bidatin e tij, në qoftë se nuk ndalohet nga kjo gjë, përveçse me bojkotim. Në këtë rast, jemi të obliguar të bojkotojmë atë person, sepse nga ky bojkotim ka përfitim dhe ky përfitim është mos-thirrja në bidat.
Nëse është një njeri që thërret njerëzit në atë se ‘Kur’ani është i krijuar’ apo se ‘Allahu është në çdo vend’, jemi të obliguar që ta bojkotojmë, nuk i japim selam dhe nuk ia kthejmë selamin, gjithashtu nuk i përgjigjemi në ftesën e tij dhe nuk flasim për të sikur të jetë shoku ynë i afërt. Themi kështu, sepse bojkotimi në këtë rast luan rol pozitiv. Transmetohet se Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) ka urdhëruar që të bojkotohet edhe ai që bën gjëra të ndaluara, siç është i njohur tregimi i Ka’bit dhe dy shokëve të tij (radija Allahu ‘anhum) që e transmeton Buhariu (4418 në kapitullin ‘El-Meghazij’) dhe Muslimi (2769 në ‘Et-Teubeh’). Mirëpo, vepruesi i haramit është më i lehtë sesa thirrësi në bidat, ngase bidati mbetet pasi që gjithnjë bëhet thirrje për ta vepruar atë, ndërsa ai që bën mëkat, veçse e ka bërë dhe ka përfunduar puna e tij.
2.Bojkotimi Sunnet (i preferuar), atëherë kur dikush e bën një mëkat që nuk është në kategorinë e bidatit, nëse përfitohet diçka pozitive me atë bojkotim. Siç është bojkotimi i atij që e rruan mjekrën. Nëse shohim dikë që e vepron këtë gjë dhe me bojkotim i bën dobi atij, që është lënia e këtij mëkati dhe kthimi tek Sunneti, në këtë rast, bojkotimi është Sunnet derisa të kthehet nga ky mëkat. E njëjta gjë vlen edhe ndaj atij që pi duhan, apo që punon në atë vend ku punohet me kamatë. Nuk po themi se është obligim të bojkotohet, ngase nuk jemi të sigurt se përmes bojkotimit ai e lë mëkatin. E nëse që të jemi të sigurt se do të ndikojë, atëherë jemi të obliguar që ta bojkotojmë atë.
Pra, bojkotimi në raste të tilla është Sunnet me kusht që të përfitohet diçka pozitive nga ky bojkotim, në të kundërtën nuk bojkotojmë. Sepse, parimisht, bojkotimi i myslimanit është haram. Thotë Profeti (alejhis-salatu ues-selam) në hadithin që e transmeton Buhariu 6077 dhe Muslimi 2769):
لايحل للمسلم أن يهجر أخاه فوق ثلاثة
“Nuk i lejohet myslimanit që të bojkotoj vëllanë e tij mbi tre ditë.”
Prandaj, nëse nuk ka dobi, bojkotimi konsiderohet haram, ngase me të nuk fitohet asgjë, përveç të kundërtën e asaj që në realitet e dëshirojmë. E sa për ata vëllezër të cilët janë xheloz në fe gabimisht dhe, për këtë shkak i bojkotojnë të gjithë mëkatarët, ky veprim është i gabueshëm dhe është në kundërshtim me Sunnetin, duke u mbështetur në hadithin e lartpërmendur. Ai që bën mëkat, është vëlla yti, pavarësisht peshën e mëkatit që ai e bën. Përveç nëse ai bën kufër. Pra, nuk lejohet bojkotimi i mëkatarëve, përveç atëherë kur kjo gjë bën dobi.
3.Bojkotimi i lejuar, atëherë kur ndërmjet dy besimtarëve lind ndonjë keqkuptim. Mirëpo, kjo është me kohë të caktuar dhe atë jo më shumë se tre ditë.
Mendimi më i saktë, është se bojkotimi nuk është i ligjësuar në asnjërin prej rasteve as si vaxhib, Sunnet apo i lejuar, përveç nëse ka përfitim prej këtij bojkotimi. Pra, nëse kemi ndonjë përfitim prej atij bojkotimi, e jetësojmë, përndryshe jo. Sepse bojkotimi, ose është ilaç, ose është si masë ndëshkuese. Nëse bojkoton dikë për shkak të mëkateve të vazhdueshme (dhe ka sukses), atëherë ai është ilaç. E nëse e bojkoton dikë për shkak të ndonjë mëkati të mëhershëm, atëherë ajo është masë ndëshkuese, sepse veprimi i tillë ka përfunduar. Prandaj edhe ndalohet bojkoti i vëllait mysliman përderisa veprimi i tij të mos jetë kufër. Argumente për këtë që e thamë, janë forma e përgjithshme e argumenteve që porosisin për të drejtat e myslimanit ndaj myslimanit dhe se besimtari nuk del prej imanit vetëm me bërjen mëkat apo dyfytyrësi, -kjo është bindja e Ehlus-Sunnetit. Për arsye të tilla, themi se parimisht, është e ndaluar (haram) bojkotimi i besimtarëve, edhe nëse ata bëjnë mëkate dhe i bëjnë ato haptazi, përderisa ata janë myslimanë.
- 04 Maj, 2016
- Comments are off