Sherhu es-Sunneh 11-20
Ebu Muhammed el-Hasen ibn Ali ibn Halef el-Barbahari (i lindur në v. 253 h)
Burimi: Sherhu es-Sunneh
Me komentet e imam Feuzanit marrë nga libri i tij “Itihaful karij bitalikati ala Sherhis Sunneh”, dhe të alameh Ahmed en Nexhmit nga libri i tij “Irshadu es Sarij”, dhe me komente të alameh Abdul-Aziz er- Raxhihit dhe disa dijetarëve të tjerë
Imam Barbahari ka thënë:
[11] Dije, Allahu të mëshiroftë, se të folurit në lidhje me qenien e Allahut është bidat dhe humbje. Në lidhje me Allahun thuhet vetëm ajo me të cilën Ai e ka cilësuar veten e Tij në Kuran apo ajo që i dërguari i Allahut ﷺ u ka sqaruar shokëve të tij. Ai, i Lartmadhëruari, është Një, “asgjë nuk i shëmbëllen Atij, Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.” Zoti ynë është i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarim, Ai di edhe sekretet më të fshehta, mbi arshin e Tij është lartësuar, kurse dija e Tij është në çdo vend dhe nuk ka asnjë vend që mos ta arrijë.
Shpjegimi
Dije, Allahu të mëshiroftë, se të folurit në lidhje me qenien e Allahut është bidat dhe humbje. Në lidhje me Allahun thuhet vetëm ajo me të cilën Ai e ka cilësuar veten e Tij në Kuran apo ajo që i dërguari i Allahut ﷺ u ka sqaruar shokëve të tij. Ai, i Lartmadhëruari, është Një, “asgjë nuk i shëmbëllen Atij, Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.”
Allahu (te ala) thotë:
”Ai, i Lartmadhëruari, është Një, “asgjë nuk i shëmbëllen Atij, Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.” (Esh-Shura: 11)
”Zoti ynë është i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarim.”
Prej lutjeve që bënte profeti ﷺ ishte edhe:
“O Zoti im, Ti je i Pari e para Teje nuk pati asgjë dhe Ti je i Fundit e pas Teje nuk do të mbetet asgjë. Ti je i Dukshmi dhe mbi Ty s’ka asgjë. Ti je i Padukshmi e nën Teje s’ka asgjë. Largoje nga ne borxhin dhe na mbroj prej skamjes!” E ka nxjerrë Muslimi (2713) prej hadithit të Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).
”Ai di edhe sekretet më të fshehta.”
“Dhe nëse ti e thua me zë duanë, nuk ka dyshim që Ai e di të pashfaqurën dhe atë ç’është akoma më e fshehtë në thellësi.” (Ta-Ha: 7)
”… mbi arshin e Tij është lartësuar.”
Qëndrimi i Allahut mbi arsh përmendet në shtatë vende në Kuran:
E para: “Vërtet që Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj Ai u ngrit arsh. Ai sjell natën si mbulesë të ditës dhe secila duke synuar tjetrën pandërprerë; dhe Ai krijoi edhe diellin, edhe hënën, edhe yjet të nënshtruar ndaj urdhërit të Tij. Padyshim që i Tij është krijimi dhe komandimi. I Shenjtëruar dhe i Lartësuar është Allahu, Zoti i aleminit (i gjithë botëve, i gjithçkaje që ekziston, i njerëzve dhe i xhinëve).” (El-Araf: 54)
E dyta: “Vërtet Zoti juaj është Allahu, i cili krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, e pastaj Ai u ngrit mbi arsh.. Ai është Allahu, Zoti juaj; adhurojeni pra Atë. A nuk do të përkujtoni pra?” (Junus: 3-4)
E treta: “Allahu është Ai i Cili ngriti qiejt pa shtylla që t’i shihni. Pastaj Ai u ngrit mbi arsh. Ai solli diellin dhe hënën të vazhdojnë të rrotullohen, secili duke ndjekur kursin e vet për një kohë të përcaktuar. Ai rregullon të gjitha çështjet dhe punët duke shpjeguar ajetet (argumentet, provat, shenjat e Tij) në imtësi që ju të besoni me vendosmëri e bindje të plotë për takimin (pas ringjalljes) me Zotin tuaj.” (Er-Rad: 2)
E katërta: “I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi arsh.” (Ta-Ha: 5)
E pesta: “I Cili krijoi qiejt dhe tokën dhe gjithë ç’është ndërmjet tyre në gjashtë ditë. Pastaj Ai u ngrit mbi arsh. I Gjithëmëshirshmi (Allah)! Kështu pra, pyete Atë, sepse Ai është El-Khabir (në Dijeni të Plotë, i Mirënjohuri për gjithçka).” (El-Furkan: 59)
E gjashta: “Allahu është Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe gjithçka që ndodhet ndërmjet tyre në Gjashtë Ditë. Pastaj Ai u ngrit mbi arsh. Ju (o njerëz) nuk keni askënd tjetër përveç Atij si Ueli (Mbrojtës e Ndihmues), as edhe ndërmjetësues. A nuk do të përkujtoni, pra?” (Es-Sexhde: 4)
E shtata: “Ai është i Cili krijoi qiejt dhe tokën në Gjashtë Ditë, pastaj Ai Isteva (u ngrit lart dhe qëndroi mbi) Arsh (Fronin e Tij Madhështor vërtet ashtu siç i shkon Madhështis së Tij). Ai di çfarë hyn në tokë, edhe çfarë del prej saj, edhe çfarë zbret nga qielli, edhe çfarë ngritet në të dhe Ai është me ju (me dijen e Tij) kudo që të jeni. Dhe Allahu është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju punoni.” (El-Hadid: 4)
”Kurse dija e Tij është në çdo vend dhe nuk ka asnjë vend që mos ta arrijë.”
“Kufarë thonë: “Nuk do të na vijë çasti (e kijametit)!” Thuaju: “Po, për Zotin tim! Me siguri që ajo do t’ju vijë”! Ai i di të gjitha të fshehtat. Atij nuk mund t’i fshihet asnjë grimë as në qiej, as në tokë e nuk ka asgjë më të vogël apo më të madhe se ajo, që të mos jetë shënuar në librin e qartë.” (Sebe: 3)
[12] Dhe nuk pyet në lidhje me cilësitë e Zotit “Si?” dhe “Pse?” vetëm se dyshuesi në Allahun e Lartmadhëruar.
Shpjegimi
Shejkhul-Islam Ahmed bin Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë) thotë në El-Akidetu el-Uesitijeh”:
{Rruga e pasuesve të sunnetit dhe xhematit në lidhje me emrat dhe cilësitë e Allahut}
Prej besimit në Allahun është: Besimi në atë me të cilën Ai e ka cilësuar (përshkruar) veten e Tij në Librin e Tij të ndershëm si dhe me çfarë e ka cilësuar atë i dërguari i Tij ﷺ. Pa shtrembërim (Tahrif), pa mohim (Ta’til), pa përshkrim (Tekjif), pa shëmbëllim (Temthil) dhe pa i interpretuar ato (Te’uil), porse ata besojnë se:
“Asgjë nuk i shëmbëllen Atij, Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.” (Esh-Shura 11)
Ata nuk mohojnë përshkimin që Allahu i ka bërë vetes së Tij, nuk i nxjerrin fjalët nga kuptimi i tyre i vërtetë, nuk i mohojnë emrat dhe cilësitë e Tij, nuk pyesin “Si?” dhe nuk i shëmbëllejnë cilësitë e Allahut me ato të krijesave të Tij.
Ai, i Lartmadhëruari, nuk ka të barabartë, nuk ka ortak, Ai nuk shembëllohet me krijesat e Tij, Ai është më i ditur për veten e Tij se çdo kush tjetër, më i vërtetë në thënie, dhe fjalët e Tij janë më të bukura dhe më të mira sesa ato të krijesave të Tij. Kurse të dërguarit e Tij janë të sinqertë dhe të vërtetuar prej Tij dhe nuk janë si ata që flasin për Allahun atë që nuk dinë.
[13] Kurani është fjala e Allahut, shpallje e Tij, dritë e Tij dhe nuk është i krijuar, sepse Kurani është prej Allahut. Çdo gjë që është prej Allahut nuk është e krijuar. Kështu kanë thënë Malik ibn Enesi, Ahmed ibn Hanbeli dhe fukahatë para dhe pas tyre. Kurse polemika rreth tij është kufër.
Shpjegimi
”Kurani është fjala e Allahut.”
Allahu i Madhëruar thotë:
“Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhammed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut, e pastaj përcille në vendin e tij të sigurt. Kështu duhet sepse ata janë njerëz që nuk dinë.” (Et-Teube: 6)
”…shpallje e Tij.”
Allahu i Madhëruar thotë:
“Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.” (El-Isra: 106)
”…dritë e Tij.”
Allahu (i Madhëruar thotë):
“Prandaj besoni në Allahun, në të dërguarin e Tij dhe në dritën (Kuranin) që ju kemi zbritur. Allahu e di mirë çdo gjë që bëni ju.” (Et-Tegabun: 8)
”dhe nuk është i krijuar, sepse Kurani është prej Allahut. Çdo gjë që është prej Allahut nuk është e krijuar. Kështu kanë thënë Malik ibn Enesi, Ahmed ibn Hanbeli.”
Imam Ahmedi e thotë këtë në librin e tij Usulu-us-Sunneh, fq. 22.
”Kurse polemika rreth tij është kufër.”
E ka nxjerrë Ahmedi në Musned (2/286, me nr. 7848), Daudi në Sunen (4603), si edhe të tjerët prej hadithit të transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), nga profeti ﷺ se ka thënë:
“Polemizimi në lidhje me Kuranin është kufër.”
Hadithin e ka saktësuar Ibnul Kajimi në Tehdhib Suneni Ebi Daud (12/230). Albani në Sahihu et-Tergib uet-Terhib (143) ka thënë: “Hasen Sahih”.
[14] Besimi në lidhje me shikimin (në Allahun) në ditën e kijametit. Besimtarët kanë për ta shikuar Allahun me sytë e tyre, ndërsa Ai ka për t’i marrë në llogari ata drejtpërdrejt, pa perde dhe pa përkthyes.
Shpjegimi
”Besimi në lidhje me shikimin (në Allahun) në ditën e kijametit.”
Allahu (i Madhëruar thotë):
“Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do të shohin.” (El-Kijame: 22-23)
”Besimtarët kanë për ta shikuar Allahun me sytë e tyre.”
Hadithet lidhur me shikimin në Allahun janë muteuatir. Prej tyre po permendim hadithin e Xhirir ibn Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), i cili ka thënë: “Ishim ulur tek i dërguari i Allahut ﷺ dhe ai hodhi shikimin nga hëna e plotë dhe tha:
“Ju keni për ta shikuar Zotin tuaj ashtu siç e shihni këtë hënë…” Bukhariu (554) dhe Muslimi (633). Ky është teksti i Muslimit.
”…ndërsa Ai ka për t’i marrë në llogari ata drejtpërdrejt, pa perde dhe pa përkthyes.”
Ashtu siç ka ardhur në hadithin e nxjerrë nga Bukhariu (7443) dhe Muslimi (1016) nga Adij ibn Hatim (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), i cili ka thënë: “I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Nuk ka askush prej jush vetëm se ka për t’i folur Zoti i tij duke mos pasur ndërmjet tyre përkthyes dhe as perde që ta pengojë atë.”
[15] Besimi në peshoren e ditës së kijametit, ku do të peshohen e mira dhe e keqja. Peshorja ka dy anë dhe gjuhë.
Shpjegimi
Besimi në peshoren e ditës së kijametit, ku do të peshohen e mira dhe e keqja.
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe në ditën e kijametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (El-Enbija: 47)
”Peshorja ka dy anë dhe gjuhë.”
Argument në lidhje me këtë është hadithi i transmetuar nga Abdullah ibn Amr el-Asi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), të cilin e ka nxjerrë et-Tirmidhiu në Sunenin e tij (2639), Ibn Maxheh në Sunenin e tij (4300) si dhe Ibn Hibani në Sahihun e tij (1/461) me nr. 225. Et-Tirmidhiu ka thënë: “Ky hadith është hasen garib.” Hadithin e ka saktësuar Albani në Sahihu et-Tergib uet-Terhib (1533).
[16] Besimi në lidhje me dënimin e varrit dhe në Munkerin dhe Nekirin.
Shpjegimi
Imam Ebu Bekr El-Axhuri thotë në Esh-Sheriah, fq. 375-380
Transmeton Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Pasi që varroset i vdekuri i vijnë atij dy engjëj të zinj (dhe me sy) blu. Njëri prej tyre quhet “El-Munker” ndërsa tjetri “En-Nekir” dhe do t’i thonë:
“Çfarë thojë për atë burrë?”
Ai përgjigjet dhe thotë:
“Ai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij.”
Ata do t’i thonë:
“Ne e dinim se ti e thoje këtë. Më pas këtij njeriu do t’i zgjerohet varri shtatëdhjetë krahë në gjerësi dhe shtatëdhjetë krahë në gjatësi.“
Imam Muhammed bin Ahmed el-Kurtubi ka thenë:
Kur dikush prej jush të futet në varrë, i vijnë dy engjëj të zi me sy të kaltër. Njëri quhet Munkir dhe tjetri Nekir. Ata i thonë të vdekurit: “Çfarë thoshe për këtë njeri?” Ai do të thotë atë që e kishte zakon të thoshte: “Ai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Unë dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij.” Ata thonë: Ne e dinim se ti e thoshe këtë. Pastaj këtij njeriu i zgjerohet varri shtatëdhjetë krahë në gjerësi dhe shtatëdhjetë krahë gjatësi.” Burimi: “El-Munteka minet-Tedhkirah”, fq. 212-214.
[17] Besimi në haudin (burimin) e të dërguarit të Allahut ﷺ. Çdo profet ka haudin e tij përveç profetit Salih ﷺ sepse huadi i tij është gjiri i devesë së tij.
Shpjegimi
Besimi në haudin (burimin) e të dërguarit të Allahut ﷺ.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Do të vijnë njerëz nga pasuesit e mi tek haudi (pellgu). Sapo t’i njoh ata, do të largohen prej meje. Atëherë unë do të them: “Shokët e mi!” Pastaj Ai më thotë: “Ti nuk e dini se çfarë ata kanë shpikur (vepruar) pas teje.” Bukhariu (6211).
“Do të vijë një grup nga shokët të mi tek haudi (pellgu) dhe do të largohen menjëherë nga aty. Ndërsa unë do të them: “O Zot, këta janë shokët e mi!” Pastaj Ai thotë: “Ti nuk e di se çfarë ata kanë shpikur (vepruar) pas teje.” Ata e kanë lënë besimin dhe e kthyen kurrizin.” Bukhariu (6213).
“Unë do të qëndrojë tek haudi (pellgu) për të parë se cili prej jush do të vijë tek unë. Disa njerëz do të largohen prej meje. Pastaj unë do të them: “O Zot! Ata janë prej meje dhe prej umetit tim!” Pastaj më thuhet: “A nuk e di se çfarë ata kanë shpikur pas vdekjes tënde? Betohem në Allahun se nuk kaloi shumë kohë e gjatë pas vdekjes tënde dhe ata e kthyen kurrizin.” Muslimi (2293).
Hadithet që flasin për haudin kanë arritur gradën et-teuatur, pasi i transmetojnë mbi 30 sahabë. Shih p.sh. hadithin e nxjerrë nga Bukhariu (6579) dhe Muslimi (2292) prej hadithit të Abdullah ibn Amr el-Asit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).
”Çdo profet ka haudin e tij.”
Ashtu siç ka ardhur në hadithin të cilin e transmeton Et-Tirmidhiu në Sunenin e tij (2443), Ibn Ebi Asimi në Sunetin e tij (734), Et-Taberani në El-Kebir (7/212) me nr. 6881 etj.
”…përveç profetit Salih ﷺ, sepse haudi i tij është gjiri i devesë së tij.”
Hadithi që transmetohet në lidhje me këtë nuk është i saktë.
Imam Salih el-Feuzani (Allahu e ruajt) thotë:
“Gjithashtu prej akides së pasuesve të sunnetit dhe xhematit është edhe besimi në haudin. I dërguari i Allahut ﷺ ka haudin e tij, po ashtu çdo profet ka haudin e tij, ku do të mblidhet populli i tij. Njerëzit ka për t’i kapur një etje e madhe dhe do të kenë nevojë për ujë. Haudi i profetit tonë ﷺ është më i madhi nga të gjithë haudet (burimet), gjatësia e të cilit është sa të udhëtosh një muaj, gjerësia e tij po ashtu, ndërsa uji i tij është më i bardhë se qumështi, më i ëmbël se mjalti, enët e tij janë sa numri i yjeve në qiell. Kush pi prej tij një pirje të vetme, nuk ka për ta marrë më etja kurrë. Nga ai do të largohen dhe nuk do të munden t’i afrohen ata që e lanë fenë pas të dërguarit të Allahut ﷺ, po ashtu nuk do të mund t’i afrohen edhe ata që e kanë përgënjeshtruar atë nga radhët e pasuesve të bidateve. Allahu e di më së miri. Fjala e tij: “Çdo profet ka haudin e tij, përveç profetit Salih ﷺ, sepse huadi i tij është gjiri i devesë së tij”, nuk saktësohet me sa di, por e sakta është se secili profet do të ketë haudin e tij, siç ka ardhur në hadith.
[18] Besimi në ndërmjetësimin e të dërguarit të Allahut ﷺ për gjynahqarët dhe gabimtarët (kur të ringjallen) (në ditën e kijametit) dhe tek ura (sirati) duke i nxjerrë ata prej brendësisë së xhehenemit. Nuk ka profet që nuk do të bëjë ndërmjetësim, po ashtu edhe besnikët, dëshmorët dhe vepërmirët. Mbas kësaj, Allahu i Madhëruar do të favorizojë shumë prej tyre duke i nxjerrë nga zjarri pasi janë djegur në të dhe janë bërë si thëngjij të shuar.
Shpjegimi
Ashtu siç ka thënë profeti ﷺ:
“Ndërmjetësimi im është për ata që bëjnë mëkate të mëdha prej popullit tim.”
Daudi (4739) dhe et-Tirmidhiu (2435) prej hadithit të Enes ibn Malikut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Po ashtu e ka nxjerrë hadithin edhe Ibn Hibani në Sahihun e tij (14/387) dhe e ka saktësuar këtë Albani në Sahihu et-Tergib uet-Terhib (3649). Po ashtu këtë hadith e ka nxjerrë et-Tirmidhiu (2436) dhe Ibn Maxheh (4310) prej hadithit të Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) dhe e ka saktësuar Albani në Sahihu Sunen et-Tirmidhi.
[19] Besimi në lidhje me siratin (urën) që do të vendoset mbi xhehenem, e cila do të përpijë atë që do Allahu, do e kalojë atë ai që Allahu do, dhe do të bjerë në xhehenem ai që Allahu dëshiron. Ata do të kenë drita sipas besimit të tyre.
Shpjegimi
Imam Ali bin Ali bin Muhammed bin Ebil-‘Izz ed-Dimeshkij el-Hanefij ka thënë në “Sherhul-‘Akidetit-Tahauijjeh”, 2/633-634
“Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt.” 19:71
Ku është për qëllim arritja?
Mendimi më i afërt është se ajeti ka të bëj me kalimin mbi urën e siratit. Pastaj, në ajetin vijues thuhet:
“Pastaj do t’i shpëtojmë ata që kanë pasur frikë Allahun dhe do t’i lëmë keqbërësit të gjunjëzuar në të.” 19:72
[20] Besimi në profetët dhe në engjëjt.
Shpjegimi
Imam Salih el-Feuzan (Allahu e ruajt) thotë:
“Prej bazave të besimit dhe prej shtyllave të tij është edhe besimi në engjëjt dhe në profetët. Ashtu siç ka ardhur në hadithin e Xhibrilit ﷺ, kur ai e pyeti profetin ﷺ: “Më trego në lidhje me besimin.” Tha: “Besimi është të besuarit në Allahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në ditën e kijametit si dhe të besosh në kaderin (përcaktimin e Allahut) qoftë për mirë dhe për keq.” Ndërsa në Kuran, Allahu (i Madhëruar thotë):
“Mirësia nuk është që të ktheni fytyrat nga lindja e perëndimi, por mirësia është vepra e atij, i cili beson Allahun, ditën e fundit, engjëjt, librin dhe profetët.” (El-Bekare: 177).
Po ashtu edhe në fjalën e Tij:
“I dërguari besoi atë që iu shpall nga Zoti i tij, e po ashtu edhe besimtarët; të gjithë besuan Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij dhe të dërguarit e Tij, (duke thënë): “Nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Pastaj thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm.” (El-Bekare: 285).
Po ashtu edhe në fjalën e Tij:
“Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është zbritur neve, në atë që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve, në atë që i është dhënë Musait dhe Isait, dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë dallim mes tyre dhe vetëm Atij (Allahut) i jemi nënshtruar.” (El-Bekare: 136)
Prandaj është detyrë besimi në të gjithë engjëjt, ata të cilët Allahu i ka përmendur me emra edhe ata të cilët nuk i ka përmendur. Engjëjt, të cilët janë prej botës së fshehtë, Allahu i ka krijuar prej drite. Ndërsa xhinët Allahu i krijoi prej zjarrit, kurse njeriun e krijoi prej balte, e pastaj prej një pike të lëngut të shpërfillur ashtu siç e ka përmendur Allahu i Lartmadhëruar. Kush beson te disa engjëj dhe i mohon të tjerët, ky person nuk beson në të gjithë engjëjt.
I (Madhëruari thotë):
“Thuaju: “Kushdo që është armik i Xhibrilit dhe pa dyshim se ai (Xhibrili) e zbriti atë (Kuranin) në zemrën tënde (o Muhammed) me lejen e Allahut, vërtetues të atyre (Librave) para tij, udhëzues dhe përgëzues për besimtarët, kushdo që është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe Mikailit, atëherë pa dyshim se Allahu është armik i mohuesve.” (El-Bekare: 97-98)
- 25 Mars, 2016
- Comments are off