Alameh Zejd bin Muhammed bin Hadi el-Medkhali (v. 1435)
Burimi: Uakafat ue Ma’alim, fq. 8-10
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Usameh bin Laden dhe pasuesit e tij mbjellin shkatërrim në tokë duke vrarë njerëz që Islami nuk lejon të vriten. Ata shkatërrojnë pronat dhe objektet. Ata terrorizojnë muslimanët dhe njerëzit e tjerë të cilëve sheriati u jep siguri. Sheriati nuk u ka dhënë leje për këtë. Mendja e shëndoshë nuk u ka dhënë atyre ndonjë dëshmi për këtë. Ata vetëm se i kanë bërë armiqtë e muslimanëve që të gëzohen. Ata vetëm u kanë dhënë atyre një arsye për të qeshur dhe tallur. Ata ua hapin rrugën atyre që të mund të fyejnë madhështinë e Islamit dhe lavdinë e të gjithë muslimanëve. Mjerë për ta! Aq guximtarë ata janë në lidhje me krimet! Sa shumë kujdesen pas mëkateve dhe të këqijave!
Ibn Laden ua ka zbukuruar mendjelehtëve dhe injorantëve të papërvojë vetëvrasjet. Veprimi është i padrejtë dhe shtypës. Si rezultat ata vrasin veten dhe të tjerët, as sheriati dhe as logjika nuk lejojnë të vriten muslimanët, dhe kufarët të cilëve u është ofruar siguria dhe kanë marrëveshje me muslimanët. Kushdo që vret njerëzit nga këto grupe ka bërë një mëkat të rëndë. Një person i tillë meriton dënimin më të rreptë bazuar në ajetet e qarta dhe në hadithet autentike. Allahu (tebareke ue te ala) ka thënë:
وَمَن يَقْتُلْ مُؤْمِنًا مُّتَعَمِّدًا فَجَزَآؤُهُ جَهَنَّمُ خَالِدًا فِيهَا وَغَضِبَ اللّهُ عَلَيْهِ وَلَعَنَهُ وَأَعَدَّ لَهُ عَذَابًا عَظِيمًا
Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është xhehenemi në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është hidhëruar me të, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.”1
وَمَا كَانَ لِمُؤْمِنٍ أَن يَقْتُلَ مُؤْمِنًا إِلاَّ خَطَئًا وَمَن قَتَلَ مُؤْمِنًا خَطَئًا فَتَحْرِيرُ رَقَبَةٍ مُّؤْمِنَةٍ وَدِيَةٌ مُّسَلَّمَةٌ إِلَى أَهْلِهِ إِلاَّ أَن يَصَّدَّقُواْ فَإِن كَانَ مِن قَوْمٍ عَدُوٍّ لَّكُمْ وَهُوَ مْؤْمِنٌ فَتَحْرِيرُ رَقَبَةٍ مُّؤْمِنَةٍ وَإِن كَانَ مِن قَوْمٍ بَيْنَكُمْ وَبَيْنَهُمْ مِّيثَاقٌ فَدِيَةٌ مُّسَلَّمَةٌ إِلَى أَهْلِهِ وَتَحْرِيرُ رَقَبَةٍ مُّؤْمِنَةً فَمَن لَّمْ يَجِدْ فَصِيَامُ شَهْرَيْنِ مُتَتَابِعَيْنِ تَوْبَةً مِّنَ اللّهِ وَكَانَ اللّهُ عَلِيمًا حَكِيمًا
“Besimtari nuk e vret besimtarin përveç nëse ndodh gabimisht; dhe në këtë rast, kushdo që vret besimtarin pa dashje, urdhërohet që ai (vrasësi) të lirojë një rob besimtar dhe përmbushjen e pagesës së gjakut e cila do t’i jepet familjes së të ndjerit në rast se ata nuk e falin atë. Në rast se i ndjeri i takonte ndonjë populli në luftë me ju dhe ai ka qenë besimtar, ju detyrohet lirimi i një robi, ndërsa po të ishte nga ndonjë popull me të cilin ju keni marrëveshje bashkëpunimi me njëri-tjetrin, atëherë duhet të jepni pagesën e gjakut familjes së tij dhe në të njëjtën kohë duhet të lironi edhe një rob besimtar. Ndërsa kush nuk i ka mundësitë (për të liruar robin si plotësim të pendimit), ai duhet të agjërojë dy muaj pandërprerë për të treguar pendim tek Allahu. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.”2
Profeti ﷺ ka thënë:
“Fyerja e muslimanit është mëkat i madh dhe të luftuarit kundër tij është mosbesim.“3
Profeti ﷺ ka thënë për kafirin me të cilin muslimanët kanë një marrëveshje:
“Kushdo që vret një kafir me të cilin ka një marrëveshje nuk do të ndiejë aromën e xhenetit dhe se aroma e tij shtrihet në një distancë që korrespondon me dyzet vite.”4
Një transmetim tjetër thotë:
“… shtatëdhjetë vite.”5
Bukhari dhe Muslimi transmetuan nëpërmjet Ebu Bekrit (radijAllahu anhu) se profeti ﷺ ka thënë:
“Aroma e xhenetit shtrihet në një distancë që korrespondon me njëqind vite. Nuk ka rob që vret një shpirt me të cilin muslimanët kanë një marrëveshje vetëm se Allahu ia ndalon xhenetin dhe aromën e tij.”6
Ebu Bekreh tha:
“Allahu më bëftë të shurdhër nëse nuk e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke e thënë këtë.
Që ky nuk do ta ndiejë erën e xhenetit do të thotë se është i privuar aq kohë sa Allahu dëshiron. Ky person është nën dëshirën e Allahut. Ai bën atë që Ai dëshiron dhe gjykon si Ai dëshiron.
Ky është gjykimi i Allahut dhe i të dërguarit të Tij ﷺ dhe besimi i besimtarëve në këtë çështje.
1 4:93.
2 4:92.
3 Bukhari (48) dhe Muslimi (64).
4 Bukhari (2995).
5 Hakim (2581).
6 Hakimi (2579) dhe Ahmedi (5/46).