Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

1.Cilësitë e gruas së devotshme

Shejkh Abdurr-Rrezak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abbad 
Sifetuz-Zeuxhetus-Salihah
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, dhe tek Ai pendohemi. I lutemi Allahut të na ruaj prej të keqes të punëve dhe veteve tona! Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga të këqijat e shpirtit tonë dhe veprave tona të liga. Atë që e udhëzon Allahu, nuk ka kush që e devijon, dhe atë që e devijon Allahu, nuk ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Cili është Një dhe nuk ka ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi ﷺ është rob dhe i dërguari i Allahut.

Qëllimi i këtij punimi me këtë titull: “Cilësitë e gruas së devotshme” nuk i dedikohet vetëm femrës së re e cila është para martesës dhe dëshiron ta di se cilat cilësi duhet t’i ketë gruaja në mënyrë që të përgatitet për t’i përmbushur dhe për t’i plotësuar ato.

Po ashtu nuk i dedikohet vetëm gruas së martuar e cila dëshiron t’i posedojë këto cilësi apo me qëllim që të kujdeset për to dhe t’i realizojë në jetën e saj, nuk i dedikohet vetëm gruas e cila ka mangësi të shumta në mënyrë që ajo të jetë në gjendje t’i trajtojë të metat e saj duke e korrigjuar veten dhe martesën e saj, por në fakt ky është një përkujtim më gjithëpërfshirës se kaq, është një këshillë për babanë i cili dëshiron që bijat dhe gratë e tij mbi të cilat ka autoritet, të kenë jetë të lumtur dhe të ndershme duke jetuar një jetë bashkëshortore ashtu siç ka porositur Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ. Përmes këtij shkrimi shpresojmë t’ua kujtojmë atyre rregullat e sheriatit dhe cilësitë që femra muslimane duhet t’i posedojë dhe t’i jetësojë.

Gjithashtu është përkujtim edhe për nënën e cila është përgjegjëse, edukatore dhe udhëzuese e fëmijëve të saj, ngase shumica e vajzave rriten dhe edukohen nga edukata që kanë marrë nga nënat e tyre.

Është përkujtim edhe për thirrësit në fe në mënyrë që t’i kushtojnë rëndësi kësaj çështje, të kujdesen për të dhe të luftojnë për t’i përhapur këto cilësi fisnike, këtë edukatë të lavdërueshme dhe këto veçori të bekuara në mënyrë që këto që i përmendëm të jenë përgjithmonë veçori shoqëruese të vajzave dhe grave ashtu si në shtëpitë Islame po ashtu dhe në shoqërinë e cila ka besim.

Kjo vlen veçanërisht sot kur femra muslimane sulmohet në një mënyrë që nuk është parë kurrë më parë, e gjithë kjo po bëhet përmes revistave të ndryshme, programeve televizive të ndryshme dhe me metoda të tjera nga më të ndryshmet, me të vetmin qëllim: humbjen e dëlirësisë, bujarisë, pozitës së saj që Islami ia jep, edukatës, moralit dhe të gjitha mësimeve të tjera të mira të fituara nga Islami i pastër.

Në kohët e hershme ishte shumë e vështirë që femra të bjerë në kontakt me propagandën shkatërruese, epshet djallëzore dhe ideologjitë e fëlliqura, përveç nëse kishte shoqe të këqija dhe të ngjashme. Kurse në ditët e sotme femra e ka shumë të lehtë t’i afrohet gjërave të ulëta, poshtërsive dhe degjenerimit nga tëra anët e botës edhe pse ajo qëndron në shtëpinë e saj. Për të tilla gjëra madje ajo nuk ka nevojë të dalë jashtë shtëpisë, mjafton të ulet para televizionit në dhomën e saj, ta përdorë internetin apo të blejë revista amorale përmes të cilave ajo e ushqen trurin, zemrën dhe të menduarit me të gjitha gjërat negative dhe shkatërruese.

Femra muslimane ka nevojë që të jetë e devotshme, e moralshme dhe e bindur ndaj Allahut -subhanehu ue te ala-, ajo duhet t’i mbyllë të gjitha rrugët dhe shtigjet drejt së keqes dhe shkatërrimit.

Femra është një përgjegjësi shumë e madhe e mashkullit. Prandaj kini kujdes çështja është shumë madhështore dhe e rëndësishme dhe kërkon shumë vëmendje. Nën hijen e kësaj gjendje dhe mungesës së paralajmërimeve dhe paralajmëruesve, po thuajse kanë humbur cilësitë e imanit dhe cilësitë e mira që duhet t’i posedojë femra muslimane. Ndërsa shumë prej tyre janë bërë të brishta dhe të dobëta. Në mesin e tyre gjen lloje të ndryshme të mangësive dhe rrugë të ndryshme të gabimeve dhe lëshimeve.

Pra kjo broshurë përbën siç thamë disa mësime rreth cilësive të gruas së devotshme. E lus Allahun, Zotin e arshit madhështor, që kjo broshurë të jetë çelës i së mirës dhe pengesë e së keqes, ta bëjë udhëzim të zemrave, përmirësim të shpirtit dhe lidhje me Zotin e botëve në mënyrë që ta arrijmë kënaqësinë dhe dashurinë e Zotit -subhanehu ue te ala- dhe të largohemi nga ajo që e hidhëron Atë!

 

Shpërndaje: