Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

1.Dituria lidhur me Allahun, profetin e Tij dhe fenë Islame

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Sherh Thalathat-il-Usul, fq. 1-7 

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com 

Shejkh-ul-Islam Muhammed ibn Abdil-Uehab -rahimehullah ka thënë:

Dije – Allahu të mëshiroftë – se ne jemi të detyruar të mësojmë katër çështje:

E para: Dija e cila është njohja e Allahut, njohja e profetit të Tij dhe njohja e fesë Islame me argumente.

E dyta: Të vepruarit me të.

E treta: Thirrja në të.

E katërta: Durimi me problemet që mund të ndodhin gjatë thirrjes në të.

Argument për këtë janë fjalët e Allahut -te ala-:

وَالْعَصْرِ إِنَّ الْإِنسَانَ لَفِي خُسْرٍ إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, bënë vepra të mira, porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” El-Asr, 103:1-3

Imam Esh-Shafei -rahimehullah- ka thënë: “Sikur Allahu të mos u kishte shpallur krijesave të Tij ndonjë argument tjetër pos kësaj sureje, kjo sure do të kishte qenë e mjaftueshme për ta.”

Imam Bukhari -rahimehullah- ka thënë: Kapitulli: Dija i paraprinë fjalës dhe veprimit. Argument për këtë janë fjalët e Allahut -te ala-:

فَاعْلَمْ أَنَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَاسْتَغْفِرْ لِذَنبِكَ

”Atëherë, dije se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut dhe kërko falje për mëkatin tënd.” Muhammed, 47:19

Allahu filloi pra me dijen para të folurit dhe veprimit.”

Shpjegimi

Të gjithë besimtarët e besimtaret, të rinj e të moshuar janë të obliguar që t’i mësojnë këto çështje.

Çështja e parë është dituria. Njeriu është i detyruar që të mësojë e të meditojë për t’u mbështetur në qartësi. Ai duhet të ketë dije për fenë e Zotit të vet, gjë për të cilën Allahu e ka krijuar. Pra, kjo dije është njohja e Allahut, njohja e profetit të Tij ﷺ dhe njohja e fesë Islame me argumente.

Prandaj robi para së gjithash duhet të mësojë në lidhje me Zotin e tij. Ai duhet ta dijë se Zoti i tij është Krijuesi i Cili e krijoi atë dhe e furnizoi atë. Ai i ka dhuruar atij shumë begati. Ai ka krijuar njerëz përpara tij dhe Ai do të krijojë të tjerë pas tij. Ai është Zoti i krijesave. Ai është Zoti i Vërtetë. Askush tjetër nuk ka të drejtë të adhurohet; asnjë engjëll i afërt tek Allahu, asnjë profetë i dërguar, asnjë xhin, asnjë njeri, asnjë statujë, asgjë. I tërë adhurimi i përket vetëm Atij. Vetëm Ai -subhanehu ue te ala- ka të drejtë të adhurohet.

Vetëm Zoti i krijesave ka të drejtë të adhurohet. Ai është Zoti yt, Krijuesi yt dhe Zoti i Vërtetë -subhanehu ue te ala-. Prandaj, mësoje çështjen e parë. Mëso në lidhje me Zotin tënd, profetin tënd ﷺ dhe fenë tënde së bashku me argumentet. Përmende Allahun dhe të dërguarin e Tij ﷺ. Mos fol sipas një mendimi apo sipas fjalëve të një personi. Fol sipas argumenteve në ajete dhe hadithe. Ky është Islami që je i detyruar të hysh në të dhe ta praktikosh.

Feja Islame është që të adhurosh Allahun.

Allahu -subhanehu ue te ala- ka thënë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ

 “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56.

Ky adhurim është Islami. Ai është bindje ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij ﷺ, është zbatimi i urdhrave të Allahut dhe braktisja e ndalesave të Tij. Njerëzit janë krijuar për këtë adhurim. Allahu i urdhëroi njerëzit dhe tha:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُواْ رَبَّكُمُ

”O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj…” El-Bekare, 2:21

D.m.th. adhurojeni Atë duke iu bindur urdhrave të Tij dhe qëndroni larg ndalesave të Tij. Nënshtrojuni Atij dhe adhurojeni Atë -subhanehu ue te ala- të vetëm.

Kjo dije gjithashtu përfshinë dijen tënde lidhur me profetin tënd ﷺ, Muhammed bin Abdil-lah bin Abdil-Mutalib el-Hashimi el-Kureshi el-Mekki dhe pastaj el-Medeni. Ti duhet ta dish se ai është profeti yt dhe se Allahu e ka dërguar atë me fenë e vërtetë te ti, që të mësojë ty dhe që të udhëzojë ty. Ti duhet të besosh se ai është me të vërtetë i dërguari i Allahut dhe se Allahu e dërgoi atë për të gjithë xhinët dhe njerëzit. Dhe se është e detyrueshme për ta pasuar atë dhe për të ecur sipas metodologjisë së tij.

Shpërndaje: