Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

1.Mirësitë e Islamit

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Burimi: Fadl-ul-Islam, fq. 6-9

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

بسم الله الرحمن الرحيم

Allahu (te ala) ka thënë

ٱلْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِى وَرَضِيتُ لَكُمُ ٱلْإِسْلَٰمَ دِينًا

”Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” 1

قُلْ يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ إِن كُنتُمْ فِى شَكٍّ مِّن دِينِى فَلَآ أَعْبُدُ ٱلَّذِينَ تَعْبُدُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ وَلَٰكِنْ أَعْبُدُ ٱللَّهَ ٱلَّذِى يَتَوَفَّىٰكُمْ

”Thuaj: “O njerëz! Nëse jeni në dyshim për fenë time, dijeni atëherë se unë nuk do t’i adhuroj kurrë ata që i adhuroni ju përveç Allahut, por unë adhuroj Allahun i Cili ju sjell juve vdekjen. Dhe unë jam urdhëruar të jem prej besimtarëve.” 2

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ ٱتَّقُوا۟ ٱللَّهَ وَءَامِنُوا۟ بِرَسُولِهِۦ يُؤْتِكُمْ كِفْلَيْنِ مِن رَّحْمَتِهِۦ وَيَجْعَل لَّكُمْ نُورًا تَمْشُونَ بِهِۦ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ۚ وَٱللَّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ

”O ju (jehudë dhe nasara) që keni besuar (Musain dhe Isain)! Kini frikë Allahun dhe besoni edhe të dërguarin e Tij. Ai do t’ju japë dy herë shpërblim nga Mëshira e Tij, dhe Ai do t’ju japë juve dritë me të cilën do të ecni në udhën e drejtë dhe Ai do t’ju falë ju. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” 3

Bukhari transmeton nga Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Shembulli i juaj dhe shembulli i ithtarëve të dy librave është si shembulli i atij që merr disa punëtorë me mëditje, dhe u thotë: “Kush do punojë për mua nga mëngjesi deri në mesditë për një kirat (një pjesë të dinarit)?” Punuan jehudët. Pastaj tha: “Kush do punojë për mua nga mesdita deri në ikindi për një kirat?” Punuan nasarat. Pastaj tha: “Kush do punojë për mua nga ikindia deri në perëndim për dy kirate?” Ju jeni ata. U zemëruan jehudët dhe nasarat, dhe thanë: “Si është e mundur që ne të punojmë më shumë e të paguhemi më pak?” Ai u thotë: ”Mos u është mangësuar e drejta e juaj?” Ata thonë: ”Jo.” Pastaj ai u thotë: ”Kjo është mirësia ime të cilën ia jap atij që dua.” Transmeton Bukhari (2268).

Bukhari transmeton nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhum) se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Allahu i largoi nga dita e premte popujt para nesh. Jehudët e patën ditën e shtunë dhe nasarat ditën e dielë. Pastaj Allahu na solli ne dhe na udhëzoi tek dita e premte. Po ashtu ata do të jenë pas nesh në ditën e gjykimit. Ne jemi të fundit në këtë jetë, të parët në ditën e gjykimit.” 5

Bukhari transmetoi me sened të shkëputur, se profeti ka thënë:

”Feja më e dashur tek Allahu është Islami mesatar.” 6

Ubej bin Ka’b (radijAllahu anhu) ka thënë:

”Ecni rrugës së drejtë dhe sunnetit. Nuk ka rob që ecë rrugës së drejtë dhe sunnetit dhe që kur e përmend të Gjithëmëshirshmin i dalin lot nga frika ndaj Tij dhe që pastaj të digjet nga zjarri. Nuk ka rob që ecë rrugës së drejtë dhe sunnetit të cilit i rrëqethet lëkura kur e përmend të Gjithëmëshirshmin nga frika prej Tij, e të mos i bien gjynahet siç i bien gjethet e thata drurit që e godet era. Është më mirë të qenurit mestar në rrugë të drejtë dhe në sunnet sesa të jepet mund i madh në atë që kundërshton rrugën e drejtë dhe sunnetin.” 7

Ebu-Derda (radijAllahu anhu) ka thënë:

”Që të mençurit të flenë dhe të përmbahen nga agjërimi është më e mirë sesa budallenjtë të falen gjatë natës dhe të agjërojnë ditën. Pastërtija (e nijetit) me frikë ndaj Allahut dhe me një bindje sa pesha e një grimce është më e mirë dhe peshon më shumë sesa male e male me adhurime të njerëzve me vetëpëlqim.” 8


1 El-Maide 5:3.

2 Junus 10:104.

3 El-Hadid 57:28.

4 Bukhari (2268).

5 Bukhari (876) dhe Muslimi (855).

6 Bukhari në ”el-Adeb el-Mufred” (1/108).

7 Ibn-ul-Mubarak në ”ez-Zuhd” (1/21), Ahmedi në ”ez-Zuhd” (1/196) dhe Ebu Nuajm në ”Hiljat-ul-Eulija” (1/252).

8 Ahmedi në ”ez-Zuhd” (137) dhe Ebu Nuajm në ”Hiljat-ul-Eulija” (1/211).

Shpërndaje: