Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

1.Parathënia e librit Fet’h Rabb-il-Berijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Berijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Hamdi dhe lavdërimi i përkasin Allahut. Ne e lavdërojmë Atë dhe i kërkojmë ndihmë dhe falje. Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu kundër veprave të këqija dhe të këqijave të shpirtrave tanë. Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk mund ta devijojë, dhe atë që Allahu e devijon, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut dhe unë dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij. Selamet dhe salavatet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

Allahu e ka dërguar Muhammedin ﷺ me udhëzimin dhe fenë e vërtetë si mëshirë për krijesat, një shembull për vepërmirët dhe një argument kundër të gjithë robërve. Ai e përmbushi përgjegjësinë, kumtoi shpalljen, e këshilloi umetin dhe u sqaroi njerëzve gjithçka që kanë nevojë nga themelet dhe degët e fesë. Ai nuk la asnjë mirësi vetëm se ua sqaroi atë dhe thirri në të. Ai nuk la asnjë të keqe vetëm se ai e paralajmëroi umetin ndaj saj. Ai e la umetin në një rrugë të qartë, nata e së cilës është si dita e saj. Këtë rrugë të shkëlqyeshme e të ndritshme e pasuan shokët e tij (sahabët), pastaj tebiinët, dhe breza të shkëlqyer e pranuan atë prej tyre.

Me kalimin e kohës, qielli u errësua me errësirat e bidateve të ndryshme. Ky ishte kurthi i bidatçive ndaj Islamit dhe muslimanëve. Ata u lëkundën me bidate dhe ndërtuan besimet e tyre në rrjetën e merimangës. Megjithëkëtë, Zoti (te ala) e mbron fenë e Tij përmes robërve të Tij besimtarë e të devotshëm, që me ndihmën e besimit, diturisë e urtësisë hyjnore, i pengon këta sulmues dhe planet e tyre. Nuk ka një njeri që ka shpikur një bidat vetëm se Allahu – dhe hamdi dhe lavdërimi i përket Atij – bën që dikush nga Ehl-us-Sunneti ta refuzojë dhe ta zbulojë atë.

Prej atyre që qëndronin në rreshtin e parë ndaj këtyre bidatçive, ishte Shejkh-ul-Islam Takijj-ud-Din Ahmed bin Abdil-Halim bin Abdis-Selam bin Tejmijeh el-Harani ed-Dimeshki. Ai lindi të hënën më 10-të Rabi-ul-Euuel në vitin 661 hixhri dhe vdiq i burgosur padrejtësisht në Damask, në muajin Dhul Ka’deh në vitin 728 hixhri. Ai ka disa vepra në të cilat ai e shpjegon sunnetin, vendos shtyllat e tij dhe rrënon bidatet.

Një nga veprat e tij në këtë temë është “el-Fatua el-Hamauijjeh”, të cilin ai e shkroi në vitin 698 hixhri si përgjigje të një pyetjeje nga Hamah, në Sham. Personi pyeti se, si dijetarët dhe imamët e fesë u përmbahen ajeteve dhe haditheve në lidhje me cilësitë e Allahut. Si rezultat ai u përgjigj me 83 faqe. Për shkak të kësaj ai hasi në sprova dhe probleme. Allahu e shpërbleftë atë për atë që ka bërë për Islamin dhe muslimanët.

Meqenëse shumë lexues kanë pasur vështirësi për të kuptuar këtë përgjigje kam dashur të përmbledh më të rëndësishmet dhe të shtoj shtesat e nevojshme. Unë e kam emëruar librin me emrin “Fet’h Rabb-il-Berijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh”.

E kam botuar për herë të parë në vitin 1380 hixhri. Tani po e botoj për herë të dytë. Është e mundur që të kem ndryshuar diçka për hir të dobisë.

E lus Allahun t’i bëjë punët tona të jenë të sinqerta vetëm për fytyrën e Tij dhe që t’u bëjë dobi robërve të Tij – Ai me të vërtetë është Bujar dhe i Butë.

Shpërndaje: