Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

1.Parathënia e librit ”Sifatu Salat-in-Nebi”

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 32

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, i Cili i ka urdhëruar robërit e Tij me namaz. I urdhëroi ata që ta falin atë dhe ta kryejnë në mënyrën më të mirë. Ai e ka lidhur shpëtimin dhe suksesin me përulësinë dhe përqendrimin në namaz dhe bëri që falja e namazit të jetë kriter dallues midis besimit dhe kufrit, si dhe mbrojtje kundër gjërave të turpshme dhe mëkateve.

Lavërimet dhe selamet qofshin mbi profetin tonë Muhamed, të cilit Allahu -te ala- iu drejtua me fjalët:

“Ty ta zbritëm Kuranin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre.” 1

Si rezultat, profeti ﷺ e përmbushi këtë detyrë siç duhet. Namazi ishte një nga gjërat më të rëndësishme të cilën ua shpjegonte njerëzve si me fjalë ashtu dhe me vepra. Njëherë madje, ai edhe u fal në minber. Ai qëndroi në të, zbriti në ruku dhe u tha atyre:

“Vërtet unë e bëra këtë që ju të më pasoni mua dhe ta mësoni namazin tim.” 2

Ai ﷺ na bëri obligim që ta pasojmë atë në mënyrën e faljes së namazit, prandaj ai tha:

“Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.” 3

Profeti ﷺ e përgëzoi atë që e fal namazin si ai, se Allahu i ka premtuar hyrjen në xhenet kur tha:

“Allahu -azze ue xhel- na ka urdhëruar të falim pesë namazet. Ai që merr abdes mirë për to, i fal ato në kohën e tyre dhe i plotëson siç duhet rukutë dhe sexhdet e tyre dhe është i përulur dhe i përqendruar në to, Allahu i ka dhënë garanci se do ta falë atë. Ndërsa ai që nuk i bën këto, nuk ka asnjë garanci nga Allahu; nëse do Ai e fal, nëse do Ai e ndëshkon.” 4

Lavdërimet dhe salavatet qofshin gjithashtu mbi familjen e tij dhe mbi sahabët e tij të drejtë dhe të devotshëm, të cilët na e transmetuan neve adhurimin, namazin, fjalët dhe veprat e tij ﷺ dhe që i bënë të tëra këto një rrugë të vetme që duhet pasuar dhe po ashtu mbi të gjithë ata që e pasojnë këtë rrugë deri në ditën e gjykimit.


1 16:44.

2 Bukhari dhe Muslimi.

3 Bukhari, Muslimi dhe Ahmedi. Ky përmendet në “Irua-ul-Ghalil (213)”.

4 Hadithi është i saktë, e kanë saktësuar disa prej imamëve. Unë e kam përmendur atë në “Sahih Sunen Ebi Daud (451) dhe (1276)”.

Shpërndaje: