Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

1.Përçarja dhe shkaqet e saj

Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)

Një përmbledhje nga libri “esh-Shari’ah”

Përkthu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

 بسم الله الرحمن الرحیم

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.

1 – Me mirësinë e Tij, Allahu na ka treguar në Librin e Tij se jehudët dhe nasarat (të krishterët) u shkatërruan vetëm pasi u ndanë në fetë e tyre. Ai na ka mësuar se ishte vetëm padrejtësia dhe hasedi që i bëri ata të përçahen dhe të devijojnë drejt së kotës. Kjo padrejtësi e vrazhdë dhe xhelozia i bëri ata që përfundimisht të ndahen, për shkak se ata dinin atë që të tjerët nuk e dinin.

2 – Ibn Abbasi (radijAllahu anhu) ka thënë:

“Allahu (azze ue xhel) i urdhëroi besimtarët që të jenë të bashkuar dhe Ai ua ndaloi atyre përçarjen dhe ndarjen. Ai u tregoi atyre se paraardhësit e tyre u shkatërruan vetëm për shkak se ata u grindën dhe debatuan në lidhje me fenë e Allahut (azze ue xhel).”

3 – Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) ka thënë:

“Kjo rrugë është e shkurtër dhe vizitohet nga shejtanët. Ata thërrasin dhe thonë: “O rob i Allahut, eja në këtë rrugë në vend të rrugës së vërtetë!” Ata e bëjnë këtë për të të tërhequr nga rruga e Allahut (te ala). Prandaj, përmbajuni litarit të Allahut (tebareke ue te ala), se vërtetë litari i Allahut (azze ue xhel) është Libri i Allahut (xhele ue ala).”

4 – Esh-Sha’bi ka thënë:

“Ishte zakon të thuhej: “Kushdo që dëshiron të hyjë në xhenet, duhet t’i përmbahet xhematit të muslimanëve.”

5 – Ebul-Alijeh ka thënë:

“Mësojeni Islamin. Pasi ta keni mësuar atë, ju nuk duhet t’ia ktheni shpinën. Përmbajuni rrugës së drejtë, se vërtetë rruga e drejtë është Islami. Mos devijoni nga rruga për të shkuar në të djathtë apo në të majtë. Përmbajuni Sunnetit të profetit tuaj dhe asaj që pasonin sahabët. Ne e kemi lexuar Kuranin 15 vite para se ata të vepronin atë që vepruan. Qëndroni larg nga këto epshe që përhapin armiqësi dhe padrejtësi në mesin e njerëzve.”

6 – Shenjë që tregon se Allahu (azze ue xhel) ia dëshiron të mirën një personi është se ai e pason këtë rrugë; Librin e Allahut (azze ue xhel), Sunnetin e të dërguarit të Tij , Sunnetin e sahabëve të tij (radijAllahu anhum), tabiinët e tyre që i pasuan ata në mirësi dhe atë në të cilën ishin imamët e muslimanëve si el-Euzai, Sufjan eth-Theuri, Malik bin Enes, esh-Shafi’i, Ahmed bin Hanbel, el-Kasim bin Selam dhe ata që i pasuan ata. Prej kësaj rruge është gjithashtu që të qëndrosh larg atyre që nuk pasojnë rrugën e këtyre dijetarëve.

7 – Jusuf bin Asbat ka thënë:

“Bidati ka katër baza; Rafiditë (Shiitët), Khauarixhët, Kaderitë dhe Murxhiat. Pastaj, ndahen nga çdo sekt tetëmbëdhjetë sekte të reja. Rezultati është shtatëdhjetë e dy. Ndërsa lidhur me grupin e 73, ai është Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati të cilin profeti e ka përmendur duke thënë:

“Ai është Grupi i Shpëtuar.”

8 – Muhammed bin Sirin ka thënë:

“Ai që pason transmetimet është në rrugën e drejtë.”

9 – Hudhejfeh bin el-Jemen ka thënë:

“Islami do të ndahet copë, copë. Shenja e parë e kësaj (ndarje) do të jetë mungesa e përqendrimit në namaz derisa ti nuk sheh më dikë të përqendruar.”

Shpërndaje: