Shejkh Abdus-Selam bin Berxhas
Burimi: el-Mu’takad es-Sahih
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ehl-us-Sunneti besojnë se imani përbëhet nga fjala e gjuhës, duke thënë shahadetin ”La ilahe ilAllah, Muhammedun resuluLlah”-”Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Allahut, dhe besimi me zemër, duke qenë i bindur prerë në vërtetësinë e kësaj fjale, dhe imani përbëhet edhe nga veprat e gjymtyrëve.
Imam Shafiu ka thënë:
”Sahabët, tebiinët dhe ata që i takuam pas tyre, janë të pajtimit se imani përbëhet nga fjala, vepra dhe qëllimi. Nëse ndonjë prej tyre mungon, atëherë të tjerat nuk mjaftojnë.” Transmetuar nga El-Lalaka’i në ”Es-Sunneh”.
Imani shtohet me vepra të mira dhe pakësohet me mëkate. Allahu (te ala) ka thënë:
”Besimtarëve të cilëve njerëzit hipokritë u thanë: “Vërtet, populli pagan ka grumbulluar kundër jush një ushtri të madhe, kështu që frikësojuni atyre”, kjo në të vërtetë vetëm u shtoi besimin dhe thanë: “Allahu Vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve.” Al-Imran 3:173.
”Të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre.” El-Enfal 8:2.
”E kur zbret ndonjë sure, ka prej tyre që thonë: ”Cilit prej jush ia shtoi kjo besimin?” Sa u përket atyre që besuan, atyre u shtohet besimi dhe gëzohen për të.” Teube 9:124.
”E kur muslimanët e panë ushtrinë aleate, thanë: ”Kjo është ajo që Allahu dhe i dërguari i Tij na premtuan neve, e Allahu dhe i dërguari i Tij e thanë të vërtetën”. Ushtria e armikut që e panë vetëm ua shtoi atyre besimin dhe përuljen.” El-Ahzab 33:22.
”Ai është që në zemrat e besimtarëve dhuroi qetësinë për ta shtuar ata bindjen në besimin e vet që kishin.” El-Fet’h 48:22.
”E atyre që besuan t’u shtohet edhe më shumë besimi.” El-Muddeththir 74:31.
Bukhariu dhe Muslimi transmetuan nga Ibn Umeri se profeti ﷺ i këshilloi gratë dhe u tha atyre:
”Unë nuk kam parë askënd si ju me mendje dhe fe aq të mangët, që e bëjnë një burrë mendjemprehtë që të humbas mendjen e tij.”
Ky është një argument se imani pakësohet. Po ashtu, ai ﷺ tha:
”Besimtarët me besim më të plotë janë ata që kanë moralin më të mirë.”
Nëse ata që kanë moralin më të mirë i përkasin besimtarëve më të plotë në besim, ata që kanë më pak moral kanë besim më të pakët.
Imani nuk është vetëm fjalë dhe vepër pa besim sepse ky është besimi i hipokritëve. Ai (te ala) ka thënë:
”Ka disa njerëz që thonë: ”Ne i kemi besuar Allahut dhe jetës tjetër (ahiretit), por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë.” El-Bekare 2:8.
Nuk është imani vetëm njohje sepse kjo i përket besimit të kufarëve. Ai (te ala) ka thënë:
”Dhe ata i përgënjeshtruan ajetet Tona padrejtësisht dhe me mospërfillje edhe pse vetë në veten e tyre ishin të bindur për to.” En-Neml 27:14.
”Ne dimë se ty të brengos ajo që thonë, e ata nuk të gënjejnë ty, por ata mizorë mohojnë argumentet e Allahut.” En-Aam 6:33.
”Atyre që ua kemi dhënë librin, ata e njohin atë (Muhammedin) siç i njohin bijtë e vet, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë.” El-Bekare 2:146.
”E kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë.” El-Bekare 2:89.
”I shkatërruam edhe Adin e Themudin, e vendbanimet e tyre janë të qarta për ju. Djalli ua pat zbukuruar veprat e tyre dhe i ka shmangur nga e vërteta edhe pse e shihnin atë.” El-Ankebut 29:38.
Në mënyrë të ngjashme, imani nuk është fjalë dhe besim pa vepër. Allahu i quajti veprat iman. Ai (te ala) ka thënë:
”Dhe Allahu kurrë nuk do t’ua humbasë besimin.” El-Bekare 2:143.
Do të thotë falja e namazit tuaj drejtuar drejt el-Mesxhid el-Aksasë.
Bukhari dhe Muslimi transmetojnë nga Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) se profeti ﷺ i tha delegacionit të Abdul-Kajsit:
”Unë ju urdhëroj për katër gjëra; që t’i besoni Allahut, dhe a e dini se çfarë do të thotë që t’i besoni Allahut? Kjo do të thotë që të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut, të falni namazin, të jepni zekatin, të agjëroni Ramazanin dhe të jepni një të pestën e plaçkës së luftës.”
Bukhariu dhe Muslimi transmetuan nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se profeti ﷺ ka thënë:
”Imani është shtatëdhjetë e disa – apo gjashtëdhjetë e disa – degë. Dega e tij më e lartë është fjala ”La ilahe ilAllah” dhe më e ulëta është të largosh një pengesë nga rruga dhe turpi është një degë prej degëve të imanit.”
Lënja e asnjë vepre nuk është kufër (dalje nga feja), me përjashtim të namazit. Kush e braktis namazin në tërësi, ai ka bërë kufër dhe ka dalë prej Islamit, e kjo është me konsensus të sahabëve të të dërguarit të Allahut ﷺ.
Abdullah ibn Shekik ka thënë:
”Sahabët e të dërguarit të Allahut ﷺ, nuk kanë qenë të mendimit se mosbërja e ndonjë vepre është kufër, me përjashtim të namazit.”
Tekfiri (gjykimi për dikë se është kafir) është e drejtë vetëm e Allahut. Prandaj nuk lejohet börja tekfir mbi dikë mbi të cilin nuk ka bërë tekfir Allahu ose i dërguari i Tij ﷺ, ose konsensusi muslimanëve. Prandaj ai që bënë tekfir mbi dikë, për kufrin e të cilit nuk ka argument të qartë dhe të dukshëm nga tekstet e librit Madhështorë dhe sunnetit të saktë ose nga konsensusi, atëherë ai meriton dënim të rëndë.
Në Sahihun e Bukhariut transmetohet nga Thabit ibn Dahhak se profeti ﷺ, ka thënë:
”Kush e akuzon besimtarin për mosbesim (kufër) është njësojë sikur ta ketë vrarë.”
Kufri ndodhë duke thënë fjalë kufri, për të cilën nuk ka divergjenca të konsiderueshme mes muslimanëve, duke bërë ndonjë vepër të tillë ose me ndonjë besim. Që këto ta bëjnë njeriun kafir nuk është kusht që ai të pretendojë se janë të lejuara.
Ka dallim mes tekfirit të përgjithshëm dhe bërjes tekfiri mbi një individ. Tekfiri i përgjithshëm është si kërcënimi i përgjithshëm, i cili duhet të thuhet në përgjithësi dhe në mënyrë të pa specifikuar. Gjykimi i tillë është kur dijetarët thonë:
”Kush thot se Kurani është i krijuar, ai është kafir.”
Apo, siç ka thënë Ibn Khuzejmeh (rahimehullah):
”Kush nuk pohon se Allahu qëndron mbi arshin e Tij dhe se Ai është ngritue mbi shtatë qiej, ai blasfemon Zotin e tij. Është e lejueshme të ekzekutohet. Ai ose pendohet ose i pritet koka. Pas kësaj, trupi i tij duhet të hidhet aty ku hidhen mbeturinat në mënyrë që era e keqe e kufomës së tij të mos shqetësojë muslimanët dhe kufarët që kanë marrëveshje me ta. Pasuria e tij duhet të konsiderohet si pre e luftës. Asnjë musliman nuk duhet ta trashëgojë atë sepse muslimani nuk trashëgon kufarët. Profeti ﷺ ka thënë:
“Muslimani nuk e trashëgon kafirin dhe kafiri nuk e trashëgon muslimanin.”
Ndërsa për të bërë tekfir mbi një individ specifik, domosdoshëm duhet të plotësohen kushtet dhe të menjanohen pengesat. Tekfiri i përgjithshëm dhe i pa specifikuar nuk lidhet domosdoshëm me tekfirin mbi një personi të caktuar. Personi mund të gjykohet me tekfir vetëm pasi të plotësohen kushtet e tekfirit për të dhe të largohen pengesat të cilat e pengojnë bërjen tekfir.