Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Kini frikë Allahun -te ala- dhe dijeni se do të takoni 10 ditët e bekuara, ato janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes, për të cilat i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë në hadithin autentik:
“Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira të jenë më të dashura tek Allahu sesa gjatë këtyre dhjetë ditëve (të para të Dhul-Hixhes).”
Sahabët thanë: “O i dërguar i Allahut, as lufta në rrugë të Allahut?”
Ai tha: “As lufta në rrugë të Allahut, përveç atij i cili del në luftë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre.”
Transmeton Bukhari nr (969)
Ato janë ditë të bekuara. Gjatë këtyre ditëve është ligjësuar bërja tekbir (Allahu Ekber) që nga fillimi i tyre deri në fund. Është ligjësuar agjërimi i 10 ditëve përveç ditës së Arafatit për personin në haxh, atij nuk i lejohet të agjërojë ditën e Arafatit.
Atyre që nuk janë në haxh, u lejohet të agjërojnë 9 ditë. Sa i përket ditës së Kurban bajramit, ajo është dita e haxhit të madh dhe nuk lejohet agjërimi i saj, agjërimi i saj është haram. Pra atij i lejohet të agjërojë 9 ditë nëse nuk është në haxh dhe nëse është duke kryer haxhin i lejohet të agjërojë 8 ditë, në agjërimin e këtyre ditëve ka mirësi të madhe dhe shpërblim të madh.
Dhënia e sadakasë duhet shtuar, duhet shtuar faljen e namazeve të ndryshme vullnetare sepse me të vërtetë këto 10 ditë janë të bekuara.
Veprat e mira gjatë këtyre 10 ditëve janë më të mira sesa lufta në rrugën e Allahut, siç dëgjuat në hadith.
Andaj shfrytëzoni sa më shumë këto ditë! Allahu më dhëntë sukses mua dhe juve! Të gjithë duhet të bëjnë atë që Allahu ua lehtëson gjatë këtyre ditëve.