Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Burimi: El-Mufid fi Maxhalis Shehr Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
O muslimanë! Mëso gjërat vijuese të cilat e prishin agjërimin:
5 – Hixhamja1
Gjaku që e prish agjërimin është gjaku që del gjatë bërjes hixhame.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Ai që bën hixhame dhe atij të cilit i bëhet hixhame e kanë prishur agjërimin.” 2
Analogji të njëjtë marrin të gjitha që kanë të njëjtin efekt kur një person qëllimisht nxjerr gjakun në mënyrë që ai të ndikohet nga dobësia. Ashtu si hixhamja edhe kjo gjithashtu e prish agjërimin. Nga njëra anë, sheriati Islam nuk bën dallimin në mes të dy gjërave të barabarta. Nga ana tjetër, ai gjithashtu nuk bën bashkimin mes dy gjërave të kundërta.
Nëse një person humb shumë gjak pa qëllim sikurse përmes rrjedhjes së gjakut nga hunda, nga plaga e shkaktuar me thikë në lidhje me prerjen e mishit apo të shkelurit mbi xhama, agjërimi nuk prishet. Në këtë rast nuk ka rëndësi nëse personi humbë shumë gjak. E njëjta gjë vlen edhe në qoftë se humbet pak gjak gjatë kryerjes së analizave të gjakut. Kjo gjithashtu nuk e prish agjërimin pasi që kjo nuk ndikon në agjërimin.
6 – Marrëdhënia seksuale me depërtimin e penisit në vagjinë
Nëse burri ka marrëdhënie seksuale me gruan e tij gjatë ditës në Ramazan që të dy obligohen të bëjnë shpagim. Shpagimi është që të lirohet një rob besimtar. Nëse ata nuk mund ta bëjnë këtë, atëherë obligohen që të agjërojnë dy muaj rresht, nëse gruaja bëri marrëdhënie me vetë dëshirë. Nëse ata nuk munden ta bëjnë këtë, atëherë obligohen që t’u japin ushqim 60 njerëzve të varfër. Çdo njëri është i detyruar të japë 30 sa’a, rreth 90 kg, nga ushqimi bazë i atij vendi, 60 njerëzve të varfër. Çdo person i varfër duhet të marrë nga një sa’a, rreth 3 kg, ku burri e jep gjysmën dhe gruaja gjysmën. Kështu është praktika kur ata nuk janë në gjendje për të liruar një rob ose të agjërojnë për dy muaj rresht. Përveç kësaj, ata janë të obliguar që të kompensojnë ditën në të cilën kishin marrëdhënie. Ata gjithashtu duhet të pendohen tek Allahu, duhet të ndiejnë keqardhje, të braktisin veprimet e ngjashme dhe t’i kërkojnë falje Allahut. Marrëdhënia seksuale gjatë ditës në Ramazan është një mëkat i rëndë. Çdonjëri që është i obliguar të agjërojë nuk duhet të bjer në këtë veprim.
Por nëse personi është në udhëtim ose i sëmurë saqë nuk mund të agjërojë, ai nuk është i obliguar të bëjë shpagim. Ky nuk ka bërë asgjë gabim. Ai duhet vetëm të kompensojë ditën në të cilën kishte marrëdhënie. Sepse është e lejueshme për të sëmurin dhe udhëtarin që të ketë marrëdhënie seksuale dhe të bëjë gjëra të tjera, kur ata nuk janë agjërueshëm. Allahu (te ala) ka thënë:
مَن كَانَ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ
”Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë më vonë aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” El-Bekare 2:185
Gruaja dhe burri kanë të njëjtin gjykim në këtë rast. Nëse agjërimi i saj është i obliguar ajo është e obliguar që të bëjë shpagimin dhe ta kompensojë atë ditë. Ndërsa nëse ajo është duke udhëtuar apo e sëmurë në mënyrë që agjërimi e mundon atë, ajo nuk duhet të bëj shpagimin.
7 – Ejakulimi me epsh
Ejakulimi me epsh e prish agjërimin. Nuk ka rëndësi nëse personit i vjen ejakulimi për shkak të puthjeve, lojës me gruan, shikimeve të përsëritura apo ndonjë gjë tjetër që nxitë epshin sikurse masturbim dhe gjëra të tjera.
Më tutje vijojnë disa shembuj të gjërave që nuk e prishin agjërimin:
1 – Kuhli/Syrmeja e syve.
Sipas mendimit të saktë të dijetarëve, kuhli nuk e prish agjërimin e gruas apo të burrit. Megjithatë, është më mirë për agjëruesin që ta përdorë kuhlin gjatë natës. Gjykim të njëjtë kanë të gjitha produktet e tjera të bukurisë të tilla sikurse sapuni, vajrat dhe gjëra të tjera që përdoren për lëkurën. Shembuj të tillë janë kana, makijazhi dhe të ngjashme. Është në rregull për agjëruesen që t’i përdor të gjitha këto. Megjithatë, makijazhi nuk duhet të përdoret në qoftë se e dëmton fytyrën.
2 – Pasta e dhëmbëve
Agjërimi nuk prishet nga pastrimi me pastë dhëmbësh. Kjo është si sivaku. Personi duhet të sigurohet që të mos të përtypë diçka nga pasta. Por nëse rastësosht përbin diçka nga pasta ai nuk është i detyruar që ta kompensoi këtë ditë.
3 – Pikat e syve dhe të veshëve
Pikat e syve dhe veshëve nuk e prishin agjërimin sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Nëse personi ndien shijen e tyre në fyt, atëherë është më e sigurt për ta kompensuar këtë ditë. Megjithatë, nuk është e detyrueshme për shkak se sytë dhe veshët nuk janë kanale që furnizojnë me ushqim dhe pije.
Sa i përket pikave të hundës, ato nuk janë të lejuara për shkak se ato kanë kanale që furnizojnë me ushqim dhe pije. Prandaj, profeti ﷺ ka thënë:
“Fute ujin thellë në hundë, përveç nëse je agjërueshëm.”
Ebu Daudi (142), Tirmidhi (788), Nesai (1/66) dhe Ibn Maxheh (407). Autentik sipas imam Albanit në ”Irua-ul-Ghalil” (930).
Bazuar në këtë hadith obligohet ai që merr pika të hundës që ta kompensojë atë ditë. E njëjta gjë vlen edhe për atë që bën gjithçka që ka të njëjtin efekt në qoftë se ai e ndien shijen e tyre në fyt.
4 – Ejakulimi në gjumë dhe shkuarja e mendjes për seks
Ejakulimi në gjumë dhe shkuarja e mendjes për seks nuk e prish agjërimin, edhe nëse me këtë ndodhë dalja e spremës. Nëse personi sheh gjurmë të spermës duhet të pastrohet. Nëse ka dalje të spermës pas namazit të sabahut dhe e shtyen pastrimin der sa të arrij namazi i drekës ska të keqe në këtë. E njëjta gjë vlenë nëse ai do të ketë marrëdhënie seksuale me gruan e tij gjatë natës dhe pastrohet pas hyrjes së agimit. Kjo është në rregull. Është konfirmuar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka pasur marrëdhënie seksuale gjatë natës, u zgjua në mëngjes, u pastrua dhe vazhdoi agjërimin. E njëjta gjë vlenë edhe për gratë me ciklin mujor dhe me lehoni. Nëse atyre u përfundon cikli mujor/lehonia gjatë natës dhe pastrohen pas hyrjes së agimit nuk ka të keqe në këtë dhe agjërimi i tyre është i saktë. Megjithatë, nuk është e lejueshme për këto gra, ose për atë që ka patur ejakulim, ta shtyej pastrimin apo namazin deri në lindjen e diellit.Të gjithë janë të detyruar të pastrohen para lindjes së diellit në mënyrë që ato të mund t’a falin namazin në kohë.
5 – Paraloja me gruan
Është e lejueshme për burrin që ështe agjërueshëm që të ketë paralojë me gruan e tij, ta puthë atë përderisa nuk kanë marrëdhënie. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e kishte zakon të puthte gratë e tij dhe kishte paralojë me to kur ishte agjërueshëm. Ndërsa nëse personi ka frikë që të bjer në atë që Allahu e ka ndaluar, atë që kemi përmendur më lartë, atëherë bëhet e ndaluar për të. Nëse ai joshet shpejt, atëherë ky veprim është i urrejtur në lidhje me të. Nëse përveç kësaj arrin ejakulim, ai duhet të vazhdojë agjërimin dhe pos kësaj duhet ta kompesoi këtë ditë. Sipas shumicës së dijetarëve ai nuk është i obliguar që të bëjë shpagim për këtë.
Lidhur me medhijun (lëngu që del gjatë epshit), ai nuk e prish agjërimin, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Agjërimi është në parim i saktë, dhe se është e vështirë për t’i shpëtuar medhijut.
6 – Gëlltitja e pështymës
Pështyma nuk ndikon në agjërimin. Është në rregull për të gëlltitur pështymën, sikurse edhe për ta nxjerr atë jashtë.
Lidhur me këlbazën që vjen nga gjoksi apo hunda, është obligim për burrin dhe gruan që ta nxjerr jashtë atë dhe të mos e gëlltis.
O muslimanë! Agjërimi është një vepër e mirë, shumë madhështore. Shpërblimi i tij është i madh dhe veçanërisht agjërimi i Ramazanit. Madhëroje atë, Allahu ju mëshiroftë, me nijet të sinqert dhe që t’i ipni rëndësi agjërimit, namazit të natës, garimit në vepra të mira dhe nxitimit në pendim të sinqertë për të gjitha mëkatet dhe të këqijat. Qëndroni larg nga ajo që Allahu dhe i dërguari i Tij (salAllahu alejhi ue selem) ua kanë ndaluar. Qëndroni larg nga ajo që Allahu dhe i dërguari i Tij (salAllahu alejhi ue selem) ua kanë ndaluar. Bindjuni Atij vazhdimisht në Ramazanit dhe jashtë tij. Këshilloni njëri-tjetrin që të urdhëroni në punë të mira dhe që të ndaloni nga veprat e këqija dhe thërrisni në çdo gjë të mirë në mënyrë që ju të fitoni xhenetin, lumturinë, nderimin dhe shpëtimin në të dy jetët.
Lusim Allahun që të na mbrojë ne dhe ju nga ajo që shkakton zemërimin e Tij, ta pranojë agjërimin tonë dhe namazin e natës, të përmirësojë sundimtarët muslimanë dhe të mbështesë fenë e Tij nëpërmjet tyre dhe të shkatërrojë armiqtë e Tij nëpërmjet tyre dhe t’i bëjë të gjithë që ta kuptojnë fenë dhe të jenë të qëndrueshëm, të gjykojnë dhe të gjykohen sipas tij në të gjitha çështjet. Ai është në gjendje të bëjë gjithçka.
Allahu e nderoftë. Salavatet, selamet dhe bekimet e Allahut qofshin për profetin tonë Muhammed, familjen e tij, shokët e tij dhe ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
1 http://en.wikipedia.org/wiki/Cupping_therapy
2 Ebu Davudi (2367), Tirmidhi (774), Ibn Maxheh (1679) dhe Ahmedi (15866). Autentik sipas Imam Albanit në ”Irua-ul-Ghalil” (931).