Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – Profeti ﷺ ka thënë:
“Prej fjalëve profetike që kanë arritur njerëzit, është: “Nëse nuk ke turp, vepro ç’të duash.” Bukhari (3484).
2 – Obligim i njeriut të mençur është që të jetë i turpshëm sepse turpi është baza e mençurisë dhe kultivim i mirësisë. Ndërsa mungesa e turpit është baza e injorancës dhe kultivim i së keqes. Pra turpi tregon mençurinë e njeriut kurse mungesa e turpit tregon injorancën tek ai.
3 – Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Gjëja më e keqe tek besimtari është mungesa e turpit.”
4 – Turp do të thotë t’i shmangesh tipareve të urryera.
5 – Turpi i mirë ndahet në dy lloje:
I pari: “Të turpërohesh para Allahut në lidhje me mëkatin.”
I dyti: “Të turpërohesh nga njerëzit lidhur me fjalët dhe veprimet që ata i urrejnë.”
6 – I tërë turpi është i rekomandueshëm. Por duhet pasur parasysh se ka turp që është i detyrueshëm dhe turp që është i pëlqyeshëm. Turpi i detyrueshëm është që të braktisësh atë që Allahu e ka ndaluar. Turpi i pëlqyeshëm është që të braktisësh ato fjalë dhe veprime që njerëzit nuk i duan.
7 – Turpi është prej besimit dhe besimtari do të jetë në xhenet. Ndërsa fjalët dhe veprat e këqija janë ngurtësi dhe mungesë e respektit dhe kjo e shpien njeriun në xhehenem. Përveç nëse Allahu e nderon personin në mënyrë që ta shpëtojë atë me mëshirën e Tij.
8 – Nëse njeriu vazhdimisht është i turpshëm kjo është prej shkaqeve të mirësisë. Ndërsa nëse njeriu nuk ka kujdes në fjalët dhe veprat e tij (nuk turpërohet) atëherë mundësia për të pasur mirësi tek ai nuk ekziston dhe e keqja tek ai është gjithëpërfshirëse sepse turpi është pengesa mes personit dhe të gjitha veprimeve të liga. Sa më i fortë të jetë turpi aq më e pamundshme bëhet veprimi i mëkateve dhe veprave të liga. Dhe me zvogëlimin dhe humbjen e turpit veprimi i mëkateve dhe veprave të liga bëhet më e lehtë.
9 – Zejd bin Thabit –radijAllahu anhu- ka thënë:
“Ai që nuk turpërohet prej njerëzve nuk turpërohet as prej Allahut.”
10 – Është detyrë e të mençurit që ta bëjë zakon turpin para njerëzve. Prej begative më të mëdha është të mësohesh që të ke cilësi të mira e të lavdërueshme dhe në të njëjtën kohë t’i shmangesh cilësive të këqija, ashtu sikurse fryti më i madh i turpit ndaj Allahut është shpëtimi nga xhehenemi po ashtu duhet qëndruar larg nga ajo që Allahu ka ndaluar.
Me turp të madh mbrohet nderi, fshihen anët e këqija dhe anët e mira përhapen. Ai që e humb turpin e humb edhe gëzimin, ai që e humb gëzimin e humb vlerën në sytë e njerëzve dhe bëhet njeri i urryer tek ta. Ai që urrehet prej njerëzve do të dëmtohet. Ai që vajton e humb mendjen. Ai që e humb mendjen më shumë flet në dëm të vetin sesa në dobi të tij. Atij që i mungon turpi nuk gjen ilaç. Atij që i mungon turpi nuk ka besnikëri. Atij që i mungon besnikëria nuk ka miq. Ai që ka pak turp vepron atë që do dhe thotë atë që dëshiron.