Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

10.Mënyrat e faljes së namazit të natës

Imam Muhamed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Kijamu Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Kam shkruar në detaje në lidhje me këtë çështje në librin Salat-ut-Tarauih, fq. 101-115, dhe do të përmendë shkurtimisht këtu si lehtësim dhe kujtesë për lexuesin:

Mënyra e parë: Të falen trembëdhjetë rekate. Fillon me dy rekate të shkurtra dhe sipas mendimit më të fortë këto dy rekate janë nafilet pas namazit të jacisë ose dy rekate të veçanta me të cilat fillohet namazi i natës, pastaj falen dy rekate shumë të gjata, pastaj falen dy rekate më të shkurtra se ato të mëparshmet, pastaj falen dy rekate më të shkurtra se ato të mëparshmet, pastaj falen dy rekate më të shkurtra se ato të mëparshmet, pastaj falen dy rekate më të shkurtra se ato të mëparshmet, pastaj falet vitri me një rekat.

Mënyra e dytë: Të falen trembëdhjetë rekate. Falen tetë rekate duke dhënë selam pas çdo dy rekateve, pastaj falet vitri me pesë rekate, nuk ulesh dhe nuk jep selam deri në rekatin e pestë.

Mënyra e tretë: Të falen njëmbëdhjetë rekate. Jepet selam pas çdo dy rekateve, pastaj falet vitri me një rekat.

Mënyra e katërt: Të falen njëmbëdhjetë rekate. Falen katër rekate me një selam, pastaj bën të njëjtën gjë me katër të tjerat, pastaj i fal tre rekate. A e kishte zakon profeti ﷺ të ulej pas çdo dy rekateve kur fali katër rekate dhe tre rekate? Ne nuk kemi gjetur ndonjë përgjigje të mjaftueshme, por nuk është e ligjësuar të ulesh kur i fal tre rekate.

Mënyra e pestë: Të falen njëmbëdhjetë rekate. Këtu ulesh vetëm në rekatin e tetë dhe e thua teshehudin, pastaj dërgon salavate mbi profetin ﷺ, pastaj ngrihesh në këmbë dhe fal një rekat vitër. Këto janë nëntë. Pastaj i fal dy rekate ulur.

Mënyra e gjashtë: Të falen nëntë rekate dhe ulesh vetëm në rekatin e gjashtë, pastaj e thua teshehudin, pastaj dërgon salavate mbi profetin . Këto mënyra janë konfirmuar nga profeti ﷺ. Është e mundur të shtojmë një mënyrë tjetër, dhe kjo është që të zvogëlohet numri i rekateve derisa të zbresim në një rekat të vetëm. Kjo është në përputhje me fjalët e profetit ﷺ:

”Kush dëshiron ta falë me pesë rekate, le ta bëjë këtë, kush dëshiron ta falë me tri rekate, le ta bëjë këtë, dhe kush dëshiron ta falë me një rekat, le ta bëjë këtë.”

Transmeton Tahaui, Hakimi, Nesai (1712), Ibn Maxheh (1190), Ebu Daudi (1422) dhe të tjerët. Hadithi ka një zinxhir autentik të transmetimit të cilin disa imamë e kanë thënë. Ai pasohet nga një hadith i ngjashëm me një shtesë të kundërt të cilën e kam sqaruar në Salat-ut-Tarauih, fq. 99-100.

Këto pesë dhe tre rekate mund të falen me një ulje dhe një selam siç tregohet në mënyrën e dytë. Po ashtu kush dëshiron mund të japë selam pas çdo dy rekateve siç thuhet në mënyrën e tretë, e cila është më mirë.1

Ndërsa falja e pesë dhe tre rekateve duke u ulur pas dy rekateve pa dhënë teslim, nuk kam gjetur asgjë të vërtetuar prej tij . Në esencë kjo lejohet por profeti ka ndaluar të falet vitri me tre rekate dhe shpjegoi arsyen:

“Mos e falni vitrin në mënyrë që t’i ngjajë namazit të akshamit!”

Transmeton Et-Tahaui, Darakutni dhe të tjerët. Shih Et-Tarauih, fq. 99-100.

Kështu që ai që dëshiron të falë vitrin me tre rekate duhet t’i shmanget këtij përngjasimi. Kjo bëhet në dy mënyra:

Mënyra e parë: Jep selam midis çiftit (pas dy rekateve) dhe tekut (pas një rekatit) dhe ky mendim është më i fortë dhe më i mirë.

Mënyra e dytë: Të mos ulesh ndërmjet çiftit (pas dy rekateve) dhe tekut (pas një rekati) dhe Allahu -te ala- e di më mirë.


1 Dobi e rëndësishme! Ibn Khuzejmeh ka thënë në Es-Sahih (2/194), pasi ka përmendur hadithin e Aishes dhe hadithe të tjera në lidhje me mënyrat e përmendura:

”Lejohet të falësh cilin do namaz që është vërtetuar nga profeti .”

Unë them: Kjo është në përputhje me mendimin tim se njeriu duhet t’u përmbahet numrit të vërtetuar nga profeti . Hamdi dhe lavdërimi i përket Allahut për suksesin e Tij dhe i lutem Atij që të na dhurojë më shumë nga mirësia e Tij.

Shpërndaje: