Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

10.Miraxhi i profetit

Imam Ibn Kethir ed-Dimeshkij (v. 774)
Burimi: El-Fusul fi Sirat-ir-Rasul, fq. 27-28
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Sipas mendimit të saktë të sahabëve dhe të dijetarëve, i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) udhëtoi në një udhëtim nate nga xhamia e shenjtë në Meke për në Jeruzalem. Ai kalëroi mbi burak duke u shoqëruar nga Xhibrili (alejhi-selam). Ai zbriti në Jeruzalem dhe i udhëhoqi profetët në namaz.

Po atë natë ai u ngrit nga i njëjti vend për në qiellin më të ulët, pastaj në qiellin e dytë, pastaj në të tretin, pastaj në qiellin e katërt, pastaj në qiellin e pestë, pastaj në qiellin e gjashtë dhe pastaj në qiellin e shtatë. Ai pa profetët në qiejt e ndryshëm. Pastaj u ngrit tek pema fundore (sidretul munteha). Atje ai e pa Xhibrilin në formën që Allahu e ka krijuar. Atë natë Allahu e bëri obligim faljen e namazit.

Dijetarët kanë dy mendime, nëse profeti (salAllahu alejhi ue selem) e pa Zotin e tij apo jo. Është transmetuar në të vërtetë nga Ibn Abasi (radijAllahu anhu) se ai ka thënë:

“Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e pa Zotin e tij.”

Në një transmetim tjetër ai ka thënë:

“Ai e pa atë me zemrën e tij.”

Bukhari dhe Muslimi transmetojnë se Aisha (radijAllahu anha) e mohonte këtë. Edhe ajo dhe Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) kanë thënë:

“Profeti e pa xhibrilin.”1

Muslimi transmeton në sahihun e tij nga Katade nga Abdullah Shekik i cili tregoi se Ebu Dherri ka thënë:

“E pyeta të dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem): “A e pe Zotin tënd?” Ai tha: “Është dritë; si ta shoh Atë.”2

Në një transmetim tjetër thuhet:

“Unë pashë një dritë.”3

Hadith është i mjaftueshëm në këtë çështje.

Të nesërmen në mëngjes i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) i tregoi popullit të tij në lidhje me mesazhet e mëdha që Allahu ia kishte treguar atij. Rrjedhimisht ata e përgënjeshtruan dhe e bezdisën edhe më shumë.

Kur vinte koha e haxhit, i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) e kishte zakon të bisedonte me fiset dhe u thoshte:

”A ka kush që më merr mua tek populli i tij dhe të mund të më pengojë që të kumtojë mesazhin e Zotit tim? Kurejshët më kanë ndaluar mua që të kumtojë mesazhin e Zotit tim.”  4

Ndërkohë, qëndronte xhaxhai i tij Ebu Lehebi -Allahu e mallkoftë atë!- pas tij dhe i tha popullit:

“Mos e dëgjoni atë! Ai është gënjeshtar!”

Fiset arabe iu shmangën atij (salAllahu alejhi ue selem), kur dëgjuan se Kurejshët e akuzuan atë për të qenë gënjeshtar, magjistar, fallxhorë, poet dhe gënjeshtra tjera të cilat ata i shpikën. Popujt fisnor që nuk kishin mprehtësi i dëgjonin ata. Por kur të mençurit e dëgjuan dhe i kuptuan fjalët e tij, ata dëshmuan se kjo ishte e vërteta dhe se të tjerët vetëm gënjenin për të. Kështu ata u konvertuan në Islam.


1 Axhuri (491). I mirë sipas Alameh Albanit në ”Dhilal-ul-Xhennah” (439).

2 Muslimi (178).

3 Muslimi (178).

4 Ahmedi (3/322).

Shpërndaje: