Imam Muhammed bin Muhammed el-Hanbeli el-Menbaxhi
Burimi: ”Teslijetu Ehlil-Mesaib” fq. 218-219
Përktheu: Valdet Gashi
Ai që argumenton se shpirti është i lidhur me Allahun (te ala) në fjalën e Tij:
فَإِذَا سَوَّيْتُهُ وَنَفَخْتُ فِيهِ مِن رُّوحِي فَقَعُواْ لَهُ سَاجِدِينَ
“Kështu që kur Unë t’i kem dhënë plotësisht formën atij dhe t’i kem fryrë shpirtin që e kam krijuar për të, atëherë përkuluni para tij duke rënë në sexhde (me nderim).”1
duhet të dihet se ajo që i përket Allahut është dy llojesh:
1 – Cilësi që nuk ekzistojnë në vetvete pa qenie, si dija, aftësia, të folurit, dëgjimi dhe shikimi. Në këtë rast, cilësitë i dedikohen Allahut, i Cili cilësohet me to. Cilësitë e Tij nuk janë të krijuara. E njëjta gjë vlen edhe për fytyrën dhe dorën e Tij (subhanehu ue te ala).
2 – Kur Allahut i dedikohet përkatësia e gjërave që janë të ndara nga Allahu, siç është shtëpia e Allahut (Qabeja), deveja e Allahut (Deveja mrekulli që iu dërgua popullit të Salihut), rob i Allahut, i dërguari i Allahut dhe shpirti i Allahut. Këto fjalë nënkuptojnë që këto krijesa i përkasin Krijuesit. Por në këtë rast, këto veçohen me përmendjen se i përkasin Allahut, si veçim dhe nder që ato të veçohen nga të gjitha të tjerat. Një shembull i kësaj është shtëpia e Allahut, edhe pse të gjitha shtëpitë (xhamitë) e tjera janë gjithashtu të Allahut. E njëjta gjë vlen edhe për devenë e Allahut edhe pse të gjitha devetë janë krijesat e Allahut. Se këto krijesa i përkasin Allahut tregon se Allahu i do ato dhe i nderon ato. Kështu nuk është rasti kur krijesat në përgjithësi i dedikohen dhe përkasin Zotit. Në këtë rast kjo vetëm nënkupton se Ai i ka krijuar dhe formuar ato.
Pra, kur gjërat e përgjithshme i dedikohen Allahut, do të thotë se Ai i ka krijuar ato, dhe kur gjërat e veçanta i dedikohen Allahut, do të thotë se Ai i ka zgjedhur ato. Allahu krijon atë që Ai dëshiron dhe zgjedh atë që Ai dëshiron. Kur shpirti i dedikohet Allahut është për qëllim lloji i veçantë dhe jo ai i përgjithshëm. Mendo për këtë. Kjo të sjell dobi që të mos biesh në bidate. Shumë njerëz kanë devijuar në këtë çështje. Ne i kërkojmë mbrojtje Allahut.
1 15:29