Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ajo që robi duhet të dijë është se kur sheh apo lexon atë që është përmendur më parë në kapitull dhe se ka lloje të ndryshme të dëshmorëve, ai ngushëllohet me vdekjen e të dashurit të tij. Në parim i vdekuri do të përjetojë ndonjë nga ajo që kemi përmendur edhe pse nuk kam lexuar çdo gjë që është transmetuar nga i dërguari ﷺ në lidhje me martirizimin. Është transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:
“Vdekja e të huajit (garibit) është martirizim.”
Hadithi është i dobët sipas Ibnul Xhauzit në El-Ilal El-Mutanahijeh.
Unë kam përmendur numrin e dëshmorëve gjerësisht në librin “Ahkam-ut-Ta’un”. Si përgëzim mjafton hadithi të cilin e transmeton Ahmedi:
“Shumica e dëshmorëve të umetit tim vdesin në shtretërit e tyre.”
Hadithi është i dobët sipas Albanit në Silsilet-ul-Ahadithe Ed-Daifeh (2988).
Është përmendur se me çfarë shpërblehen dëshmorët kur ata vdesin dhe çfarë shpërblimi i pret ata tek Allahu dhe sesi shpirtrat e tyre janë në zogj të gjelbër që hanë, pinë dhe fluturojnë si të duan në xhenet. Gjitha këto ndodhin në jetën në varr. Kur ata pastaj të hyjnë në xhenet me trupat e tyre ata lëvizin në një lumturi edhe më të madhe dhe më të bollshme.
Ebu Bekr El-Kati’i transmetoi me zinxhirin e tij të transmetimit se një grua tha:
“O i dërguari i Allahut! Kush është në xhenet?”
Ai tha: “Profetët janë në xhenet, dëshmori është në xhenet, të porsalindurit janë në xhenet dhe të porsalindurit që u varrosën të gjallë është në xhenet.”
Hadithi është i dobët sipas Albanit në Daif Sagir-il-Xhemi (5997).
Kalimi i robit për tek Allahu dhe tek ajo që është tek Ai, ajo është më mirë për të se të qenit në këtë tokë në të cilën ai është krijuar. Allahu shikon sesi ata veprojnë. Ai i sprovon ata me vështirësi, fatkeqësi dhe martirizimin për të ditur (për të pasur dëshmi kundër tyre) se kush duron dhe kush dorëzohet që secili prej tyre të shpërblehet sipas veprave të tij. Disa shpërblehen me kopshte ndërsa të tjerët dënohen në zjarre. Gjitha këto janë të drejta prej Tij. Ai nuk është aspak i padrejtë ndaj askujt. Kur Ai e fut dikë në xhenet, Ai e bën këtë nga mëshira dhe mirësitë e Tij, dhe kur Ai e fut dikë në xhehenem Ai e bën këtë nga drejtësia dhe fuqia e Tij:
“Ai nuk pyetet se çfarë vepron, kurse ata do të pyeten.” El-Enbija, 21:23
Hamdi dhe lavdërimi i takon Atij gjithmonë dhe në të gjitha rastet.