“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

11.Besimi i saktë lidhur me muslimanin mëkatarë

Shejkh Abdus-Selam bin Berxhas
Burimi: el-Mu’takad es-Sahih
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati besojnë se asnjë mëkat përveç shirkut nuk e nxjerr vepruesin e tij musliman nga Islami përderisa ai nuk e konsideron atë të lejuar, apo beson se është e lejuar edhe nëse nuk e vepron. Sepse me këtë ai përgënjeshtron Kuranin dhe të dërguarin ﷺ, e cila është kufër sipas Kuranit, sunnetit dhe konsensusit të dijetarëve.

Asnjë mëkat tjetër përveç shirkut nuk e bën vepruesin e tij që të qëndrojë përgjithmonë në zjarr. Allahu (te ala) ka thënë:

”Padyshim që Allahu nuk e fal (gjynahun e) të vënit ortak Atij në adhurim, por Ai i falë kujtdo që Ai dëshiron gjynahe të tjera. Ai që i bën ortak Allahut ka trilluar një mëkat të madh.” En-Nisa’ 4:48.

Ajeti thekson se mëkatari është nën dëshirën e Allahut (azze ue xhel); në qoftë se Ai (te ala) dëshiron ta fal atë me mirësinë dhe bujarinë e Tij, Ai e bën këtë, dhe në qoftë se Ai dëshiron ta fusë atë në zjarr për shkak të mëkateve të tij që ta pastrojë atë dhe që pastaj ta nxjerr atë nga aty dhe ta fusë atë në xhenet sepse ai rob kishte teuhidin, Ai e bënë këtë.

Allahu ka përmendur disa mëkate të mëdha në librin e Tij. Disa prej tyre janë vrasja dhe sulmi. Megjithatë, Ai ia konfirmoi besimin vepruesve të këtyre mëkateve. Prandaj, ata janë besimtarë me besimin e tyre, mëkatarë me mëkatet e tyre. Ai (te ala) ka thënë:

”O ju që keni besuar! Ju është detyruar kisasi (ligji i barazisë në ndëshkim) në rast vrasje: të lirin për të lirin, robin për robin dhe femrën për femrën. Por nëse vrasësi falet nga vëllai (ose të afërmit e tij) i viktimës kundrejt pagesës (si shlyerje) së gjakut, atëherë duke iu përmbajtur kësaj me ndershmëri, edhe pagesa e shlyerjes së gjakut trashëguesit të viktimës duhet të bëhet me ndershmëri.” El-Bekare 2:178.

Këtu Allahu (te ala) ia konfirmon besimin vrasësit dhe të vrarit në të njëjtën mënyrë sikurse konfirmon se ata janë vëllezër në fe. Nuk ka asnjë kontradiktë që ajo vepër të quhet ”mëkat” ndërsa vepruesi i saj të quhet musliman dhe të zbatohen dispozitat Islame mbi të. Ajo që e sqaron këtë është ngjarja që Buhkari e përmend në ”Sahihun” e tij nga sahabiu Abdullah bin Himar. Abdullah bin Himari e kishte zakon që të pinte alkool. Kur ai u soll tek i dërguari ﷺ, një prej sahabëvë të tij tha: ”Mallkimi i Allahut qoftë mbi të. Sa shpesh po e sillni të dehur.”

Profeti ﷺ tha:

”Mos e mallkoni atë, vërtetë ai e do Allahun dhe të dërguarin e Tij.”

Ky mëkat i madh nuk e nxorri atë nga Islami. Në fakt, ai ia konfirmoi besimin atij edhe pse ai ra në këtë mëkat të madh. Ajo që sqaron këtë është se kufri (mosbesimi), shirku (idhujtaria), shtypja, mëkati dhe hipokrizia janë ndarë në dy lloje në sheriat;

Llloji i madh: Ky lloj e nxjerr vepruesin e tij nga feja sepse e kundërshton plotësisht bazën e fesë.

Lloji i vogël: Ky lloj ia mohon vepruesit të tij besimin e plotë por pa e nxjerr atë nga besimi.

Kjo ndarje është bërë nga selefët (radijAllahu anhum). Një nga më të diturit e umetit dhe komentuesi i Kuranit, Ibn Abbasi (radijAllahu anhu), ka thënë se ekziston kufër i vogël, padrejtësi e vogël, mëkat i vogël dhe hipokrizi e vogël. Allahu (te ala) e quajti atë që e adhuron dikë tjetër pos Tij, ”kafir””fasik” dhe ”zullumqarë”. Allahu (te ala) ka thënë:

”E ai që u lutet të tjerëve karshi Allahut duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të japë llogari vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për kufarët.” El-Mu’minun 23:117.

”Thuaj: ”Unë e adhuroj vetëm Zotin tim dhe nuk i bëj shirk Atij askënd dhe asgjë në adhurim!” El-Xhin 72:20.

”Dhe mos lut tjetërkë pos Allahut, ndonjë (idhull) që nuk të sjellë as dobi as dëm, e nëse e bën atë, dije se i ke bërë padrejt vetvetes.” Junus 10:106.

”Përveç Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet (bëri mëkat).” El-Kehf 18:50.

E gjithë kjo ka të bëjë me llojin e madh të idhujtarisë, mosbesimin dhe mëkatin që nuk mund të bashkohet me imanin. Allahu (te ala) ka thënë:

”E kush nuk gjykon me atë që e ka shpallur Allahu, ai është kafir.” El-Maide 5:44.

”E kush nuk gjykon me atë që e ka zbritur Allahu, ai është i padrejtë.” El-Maide 5:45.

”E kush nuk gjykon me atë që e ka zbritur Allahu, ai është mëkatar.” El-Maide 5:47.

”Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues.” En-Nisa 4:10.

Ai ﷺ ka thënë:

”Të flasësh keq për një musliman është mëkat dhe të luftosh kundër tij është kufër.”

Përveç kësaj, profeti ﷺ ka thënë:

”Ai që betohet në dikë tjetër përveç Allahut ka bërë kufër ose shirk.”

Këtu përfshihet lloji i vogël i kufrit, idhujtarisë dhe mëkatit që mund të bashkohet me besimin gjë të cilën e gjejmë në Kuran, në sunnet dhe tek konsensusi i selefëve. Këto e bëjnë imanin të mangësohet dhe mohojnë plotësinë e tij.

Shpërndaje: