Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

11.Kushti i tetë i namazit

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtez
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam dhe Imam Muhamed bin Abdil-Uehab –rahimehullah- ka thënë:

Kushti i tetë është drejtimi drejt kiblës. Argument për këtë janë fjalët e Tij -te ala-:

”Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga xhamia e shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë!El-Bekare, 2:144

Shpjegimi:

Drejtimi drejt kiblës është drejtimi drejt qabes. Është e detyrueshme të qenurit i kthyer nga ajo si në namazet e detyrueshme ashtu edhe në namazet vullnetare. Argument për këtë është ajeti fisnik. Allahu -xhele ue ala- ka thënë:

”Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga xhamia e shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë!

Megjithatë, është e padëmshme për t’u falur në një drejtim tjetër në qoftë se ke arsye të vlefshme. Shembuj të këtyre arsyeve janë namazi vullnetarë gjatë udhëtimit, ku udhëtari falet në drejtimin nga është duke ecur. Kjo është e lejuar sepse arsyeja ka bazë në sheriat. Një tjetër arsye është sëmundja, nëse askush nuk mund ta kthej personin e sëmurë drejt kiblës dhe ai ka frikë se koha e namazit do të kalojë. Ai duhet të falet në mënyrën që mundet: 

”Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni.” Et-Tagabun, 64:16

Personi që është i sëmurë dhe nuk mundet të kthehet në drejtim të kiblës dhe nuk ka askënd që ta kthej atë në drejtim të kiblës. Nuk ka të keqe në këtë. Një shembull tjetër është i burgosuri i prangosur apo personi i kryqëzuar i cili nuk mundet të kthehet drejt kiblës. Në këtë rast, Allahu -xhele ue ala- thotë: 

”Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni.”

”Allahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij.” El-Bekare, 2:286

Ndërsa kur ke mundësinë është e detyrueshme për t’u kthyer drejt kiblës pa marrë parasysh nëse namazi është i obliguar apo vullnetarë. I vetmi përjashtim është namazi vullnetarë gjatë udhëtimit. Gjatë udhëtimit është e padëmshme për të falë namaz nafile në një drejtim tjetër përveç kiblës (kur je në lëvizje).

Shpërndaje: