“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

11.Pasuesit e imamëve mund të braktisnin mendimet e tyre për hir të sunnetit

Imam Muhammed Nasirudin El-Albani (v. 1420)
Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 50-52
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Vërtetë pasuesit e imamëve ishin:

ثُلَّةٌ مِّنَ الْأَوَّلِينَ وَقَلِيلٌ مِّنَ الْآخِرِينَ

“(Ata janë) Shumë prej të hershmëve. E janë pak prej të mëvonshmëve.”1

Ata nuk pranuan të gjitha mendimet e imamëve të tyre. Shumë herë ata i braktisën shumë prej mendimeve të tyre kur ata e kuptuan se ato mendime ishin në kundërshtim me sunnetin. Të dy imamët Muhammed bin El-Hasan dhe Ebu Jusufi -rahimehuma Allah- e kundërshtuan mësuesin e tyre Ebu Hanifen jo më pak se në një të tretën2 e medhhebit të tij. Librat e fikhut dëshmojnë për këtë. Ngjashëm thuhet në lidhje me imam El-Muzenin3 dhe nga pasuesit e Shafeiut. Do të kishte marrë shumë kohë për të përmendur të gjithë shembujt e kësaj. Kështu, ne mjaftohemi me dy shembuj:

1 – Imam Muhammed bin El-Hasan4 ka thënë:

Ebu Hanife -rahimehullah- nuk mendonte se ka namaz për shi. Ndërsa unë mendoj se imami duhet të falë dy rekate me njerëzit, të lutet për shi dhe t’i kthen rrobat e tij mbrapsht.”5

2 – Isam bin Jusuf El-Balkhi ishte një nga pasuesit e imam Muhammedit dhe nxënësit6 e ngushtë të imam Ebu Jusufit. Shumë prej fetvave të tij kundërshtonin mendimet e imam Ebu Hanifes. Nga njëra anë ai nuk e njihte argumentin e tij, dhe ai dinte argumente të tjera dhe prandaj dha fetva sipas tyre7. Për këtë arsye, ai ngriste duart kur binte në ruku dhe kur ngrihej nga rukuja8.

Së fundi, unë shpresoj se pasuesit e verbër të mos fillojnë të fyejnë metodologjinë e këtij libri e të braktisin mësimet nga sunneti profetik që janë në të vetëm sepse ai nuk është në përputhje me medhhebin e tyre. Në vend të kësaj, unë shpresoj që ata të mendojnë për thëniet e deklaruara të imamëve se është e detyrueshme për të praktikuar sunnetin dhe për të braktisur çdo gjë tjetër që shkon kundër sunnetit. Ata duhet të dinë se fyerja e kësaj metodologjie të librit nuk është gjë tjetër veçse fyerje e imamëve të tyre. Ne e kemi marrë këtë metodologji prej tyre. Ai që ia kthen shpinën këtyre parimeve në këtë çështje është në një gjendje kritike sepse kjo do të thotë se ata ia kthejnë shpinën sunnetit. Në lidhje me mospajtimet ne jemi të detyruar që t’i referohemi sunnetit dhe të veprojmë sipas sunnetit.

Allahu -te ala- ka thënë:

فَلاَ وَرَبِّكَ لاَ يُؤْمِنُونَ حَتَّىَ يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لاَ يَجِدُواْ فِي أَنفُسِهِمْ حَرَجًا مِّمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُواْ تَسْلِيمًا

“Jo, për Zotin tënd, ata nuk janë besimtarë të vërtetë derisa të zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë pakënaqësi ndaj gjykimit tënd dhe derisa t’i pranojnë vendimet e tua plotësisht të nënshtruar.”9

E lus Allahun të na bëjë të jemi sikurse ata për të cilët Ai tha:

إِنَّمَا كَانَ قَوْلَ الْمُؤْمِنِينَ إِذَا دُعُوا إِلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ لِيَحْكُمَ بَيْنَهُمْ أَن يَقُولُوا سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا وَأُوْلَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ وَمَن يُطِعِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ وَيَخْشَ اللَّهَ وَيَتَّقْهِ فَأُوْلَئِكَ هُمُ الْفَائِزُونَ

“Kur thirren besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te Allahu dhe te i dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: “Dëgjuam dhe u bindëm!” Të tillët janë ata të shpëtuarit. Kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ia ka frikën Allahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë ata që do ta arrijnë atë që dëshirojnë.”10

Damask
13 Xhumada El-Akhirah në vitin 1370.


1 56:13-14.

2 Ibn Abidin në ”El-Hashijeh (1/62)”. El-Luknaui ia dedikoi këtë El-Ghazalit në ”En-Nefi El-Kebir, fq. 93″.

3 Ai tha në fillim të “Mukhtasar Fikh-Ish-Shafei”:

“Unë e kam shkurtuar këtë libër në bazë të njohurive dhe përfundimeve të Muhammed bin Idriz Esh-Shafeiut -rahimehullah-, me qëllim që t’ia lehtësoj lexuesit që dëshiron ta lexojë atë. Përveç kësaj duhet të sqarohet se ai ndaloi që edhe ai dhe të tjerët të ndiqen në mënyrë të verbër. Ai donte që feja dhe jeta e tij të mbeten të sigurta.”

4 Ai tha qartë se kundërshton imamin e tij jo në pak më shumë se njëzet pyetje. Ato gjenden në 43, 44, 103, 120, 158, 169, 172, 173, 228, 230, 240, 244, 274, 275, 284, 314, 331, 338, 355 dhe 356. Shih “Et-Ta’lik Mumexhxhed ala Muata Muhammed”.

5 El-Muata, fq. 158.

6 El-Feuaid El-Behijjeh fi Taraxhim-il-Hanefijjeh, fq. 116.

7 El-Bahr Er-Ra’ik (6/93) dhe Rasm-ul-Mufti (1/28).

8 El-Feuaid, fq. 116. Komenti i tij është i mirë:
“Kështu dihet se transmetimi përmes Makhulit nga Ebu Hanife është i rremë, pra thënia:

“Ai që ngritë duart gjatë namazit e ka prishur namazin e tij.”

Amir Khatib El-Atkani u mashtrua nga ky transmetim, siç përmendet në biografinë e tij. Ismail bin Jusuf El-Balkhi, i cili ishte një nga nxënësit e Ebu Jusufit, i ngriste duart në namaz. Nëse ky transmetim do të kishte ndonjë bazë, Ebu Jusufi dhe Isami do ta dinin këtë.

Ai gjithashtu tha:

“Vetëm për shkak se një Hanefi e braktis mendimin e imamit të tij në një çështje për shkak të dëshmive të forta të mendimit tjetër, kjo nuk do të thotë që ai e braktis medhhebin. Ky është medhhebi. A nuk e shihni se Isam bin Jusufi e braktisi mendimin e Ebu Hanifes për ngritjen e duarve dhe akoma konsiderohet t’i përket Hanefive?

Ai gjithashtu tha:

“Duhet ankuar vetëm tek Allahu për injorantët tanë bashkëkohorë. Ata e fyejnë atë që nuk i përmbahet imamit brenda një çështje për shkak të forcës së mendimit të dytë dhe e përjashtojnë atë nga medhhebi. Në fakt kjo nuk është e çuditshme, ata janë njerëz të thjeshtë (jo dijetar). Gjëja e çuditshme është që ajo rrjedh nga njerëz të cilët shtiren se janë prej dijetarëve dhe zvarriten në atë rrugë si bagëti!”

9 4:65.

10 24:51-52.

Shpërndaje: