Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

117.Të gjithë muslimanët do të hyjnë në xhenet

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Duhet ditur se besimi i Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit nga sahabët dhe tabiinët është se secili që vdes duke qenë me Teuhid, do të hyj në xhenet, kjo është gjë e prerë në të gjitha rastet.

Njerëzit pa mëkate si fëmijët, të çmendurit që humbasin mendjen para pubertetit, njerëzit që pendohen sinqerisht për idhujtarinë apo mëkatet e tjera dhe pastaj nuk mëkatojnë pas pendimit, si dhe ai që rritet me adhurim dhe kurrë nuk mëkaton, hyn në xhenet pa hyrë fare në xhehenem. Megjithatë, ata do të kalojnë kah ai, sipas mospajtimit të njohur në këtë çështje1. Mendimi i saktë – insha’a Allahu – në lidhje me kalimin është se secili prej tyre do të kalojë mbi siratin e xhehnemit, të cilën disa dijetarë e thonë. Allahu na ruajt ne dhe ju nga të nxehtit dhe të ftohtit e tij.

Sa u përket mëkatarëve që vdesin pasi kanë bërë mëkate të mëdhaja dhe nuk janë penduar për to, çështja është në dorën e Allahut se çfarë Ai do të bëjë me ta. Në qoftë se Ai dëshiron t’i dënojë ata, i dënon sipas mëkateve të tyre që pastaj t’i fus në xhenet. Dhe në qoftë se Ai dëshiron i fal ata plotësisht. Me fjalë të tjera, çdokush që e ka adhuruar vetëm Allahun, nuk do të mbetet në xhehenem. Nuk ka rëndësi se çfarë mëkate ai ka bërë. Ky është inkurajimi më i mirë për atë të cilit i kanë vdekur të afërmit apo miqtë mëkatar dhe nuk e dinë nëse ata janë penduar ose jo.

Ebu Zekerijah en-Nevevi (rahimullah) ka thënë:

“Ka argumente nga Kurani, Sunneti dhe konsensusi i njohur lidhur me këtë parim. Janë transmetuar tekste të shumta në fjalë me të cilat arrihet bindje e plotë për këtë.”

Ajo që e mbështet këtë është hadithi autentik i transmetuar nga Uthmani (radijAllahu anhu) i cili tha se i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Ai që vdes dhe e di se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut, do të hyjë në xhenet.”

El-Kadhi Ijadh ka thënë:

“Njerëzit kanë mendime të ndryshme në lidhje me muslimanët mëkatarë. Murxhiat thonë se ata nuk dëmtohen nga mëkatet nëse janë besimtarë. Khauarixhët thonë se ata me të vërtetë dëmtohen dhe se ata dalin nga feja. Mutezilitë thonë se do të mbeten në xhehenem në qoftë se ata bëjnë mëkate të mëdhaja dhe se ata as nuk duhet të quhen besimtarë apo jobesimtarë, por mëkatarë kundërshtues. Një grup i dijetarëve thonë se ai është besimtar edhe në qoftë se atij nuk i falen mëkatet, dhe se ai duhet të dal nga xhehenemi herët apo vonë dhe të hyjë në xhenet.

 Hadithi është argument kundër Khauarixhëve dhe Mutezilive. Ndërsa në lidhje me Murxhiat, edhe në qoftë se ata argumentojnë me hadithin nga ana e dukshme, ne themi se ai duhet të interpretohet se mëkatari do të falet dhe do të lirohet nga xhehenemi dhe pastaj do të hyjë në xhenet përmes ndërmjetësimit. Nëse është kështu, atëherë fjalët e profetit (salAllahu alejhi ue selem) “hyjnë në xhenet” pasi që janë ndëshkuar. Hadithi duhet të kuptohet kështu sepse ka shumë argumente të dukshme se disa mëkatarë do të ndëshkohen.”

Shpërndaje: