Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

118.Përfundimi i pasuesit të teuhidit

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Transmeton Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Çdo profet ka një lutje të pranuar. Unë do të ruaj lutjen time që të ndërmjetësojë për umetin tim në Ditën e Gjykimit. Ajo -nëse do Allahu- do t’i ipet atij nga umeti im, i cili vdes pa adhuruar dikë karshi Allahut.”

Transmetuar nga Muslimi.

Ka disa hadithe të ngjashme. Në parim Muslimi i ka përmendur të gjitha ato në të njëjtin kapitull të librit “es-Sahih”. Kur Seid bin el-Musejib dëgjoi këto hadithe, ai tha:

“Kjo vlente para se të shpalleshin farzet, rekomandimet dhe ndalesat.”

Megjithatë, mendimi i Seid bin el-Musejibit (rahimehullah) nuk përbën asgjë. Disa dijetarë kanë thënë se ky është i gabuar, sepse një nga sahabitë i cili e transmeton hadithin është Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) i cili hyri në Islam vonë. Ka konsensus se ai hyri në Islam në të njëjtin vit kur Khajberi u çlirua, do të thotë në vitin e 7 hixhri. Atëherë dispozitat e Islamit si namazi, zekati dhe agjërimi ishin vënë tashmë. Kështu, ne e dimë se mendimi i tij është i dobët, Allahu e di më mirë.

Disa dijetarë thonë se hadithi ka nevojë të shpjegohet dhe se ai përfshinë atë që thotë shahadetin dhe përmbushë të drejtat dhe detyrat e tij. Kështu tha Hasan el-Basri.

Të tjerë kanë thënë se kjo ka për qëllim atë që e thotë shahadin kur pendohet dhe vdes në atë gjendje. Kështu ka thënë el-Bukhari.

Megjithatë këto kuptime janë përmendur në fillim të kapitullit. Ajo duhet të interpretohet nga ana sipërfaqësore dhe se besimi i Selefëve dhe dijetarëve të mëvonshëm dhe Ehl-ul-Hadithit është se ai që vdes duke adhuruar vetëm Allahun, hyn në xhenet edhe nëse ai do të ishte mëkatar dhe se është në dëshirën e Allahut, ajo që Ai dëshiron të bëjë me të.

Ebu Xhaferi ka thënë:

“Kur Ebu Zur’ah ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes, ai ishte i rrethuar nga Ebu Hatim, Muhammed bin Muslim, el-Mundhir bin Shadhan dhe dijetarë të tjerë. Ata kishin frikë t’i thonin atij që të përmend shahadetin. Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit që të përmendin hadithin. Muhammed bin Muslim tha: “Edh-Dhahak bin Abdil-Hamid bin Xhafer na tregoi, nga Salihu.” Pastaj ai u ndal aty. Ebu Hatim tha: “Bandar na tregoi, nga Ebu Asim, nga Abdul-Hamid bin Xhafer, nga Salihu.” Pastaj ai u ndal aty. Të gjithë të tjerët ishin të heshtur. Atëherë Ebu Zur’ah tha: “Bandar na tregoi, nga Ebu Asim, nga Abdul-Hamid bin Xhafer, nga Ebu Ghraib, nga Kethir bin Kurrah el-Hadhrami, nga Muadh bin Xhebeli (radijAllahu anh) i cili tha se i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Ai, fjala e fundit e të cilit është “nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut” hyn në xhenet.”

Dhe vdiq. Allahu e mëshiroftë.”

Shpërndaje: