Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

12.Grada e dytë e Kaderit: Shkrimi

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: el-Kada uel-Kadar, nga libri Mexhmu-ul-Fataua (5/223-224)

Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com

Grada e dytë: Shkrimi. Allahu (tebarek ue te ala) ka shkruar gjithçka nga kaderi në Leuhi-Mahfudh (pllakën e ruajtur). Këto dy grada Allahu (te ala) i ka përmendur në një ajet të vetëm kur Ai tha:

أَلَمْ تَعْلَمْ أَنَّ اللَّهَ يَعْلَمُ مَا فِي السَّمَاء وَالْأَرْضِ إِنَّ ذَلِكَ فِي كِتَابٍ إِنَّ ذَلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ

 “A nuk e ke ditur se Allahu di çka ekziston në qiell e në tokë, e tërë ajo është e shënuar në libër. Dhe sigurisht që kjo është krejt e lehtë për Allahun.1

Allahu (subhaneh) filloi me dijen dhe tha:

إِنَّ ذَلِكَ فِي كِتَابٍ

“e tërë ajo është e shënuar në libër.”

Do të thotë është shkruar në Leuhi-Mahfudh (pllakën e ruajtur). I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

”Gjëja e parë që Allahu e krijoi ishte lapsi. Ai i tha atij: ”Shkruaj”. Ai tha: ”O Zot! Çka të shkruaj? ”Ai tha: ”Shkruaje kaderin deri në ditën e gjykimit.”

Kur profeti ﷺ është pyetur nëse veprimet tona janë të përcaktuara ose jo, ai tha se ato janë të përcaktuara. Dhe kur ai u pyet lidhur me kuptimin e të vepruarit dhe se në vend të kësaj duhet t’i mbështetemi kaderit, ai tha:

”Veproni! Sepse çdo njërit i është lehtësuar ajo që është krijuar për të.”

Profeti ﷺ i urdhëroi ata që të veprojnë. Veproni! Ajo për të cilën je krijuar është lehtësuar për ty. Pas kësaj ai ﷺ lexoi fjalët e Allahut (te ala):

فَأَمَّا مَن أَعْطَى وَاتَّقَى وَصَدَّقَ بِالْحُسْنَى فَسَنُيَسِّرُهُ لِلْيُسْرَى وَأَمَّا مَن بَخِلَ وَاسْتَغْنَى وَكَذَّبَ بِالْحُسْنَى فَسَنُيَسِّرُهُ لِلْعُسْرَى

“Sa i përket atij që jep dhe plotëson detyrimin ndaj Allahut, edhe i frikësohet Atij, dhe vërteton bindshëm për më të mirën, Ne do t’ia lehtësojmë rrugën e lumturisë (xhenetit). E sa i përket atij, që bën koprraci dhe e ndien veten të pavarur nga Zoti, dhe që përgënjeshtron besimin, Ne do t’ia lehtësojmë rrugën e rëndë (skëterrës).” 2


1 22:70

2 92:5-10

Shpërndaje: