Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Burimi: Sherh Thalathat-il-Usul, fq 19-20
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Gjëja më madhështore që Allahu ka urdhëruar është teuhidi. Teuhid do të thotë që i tërë adhurimi t’i dedikohet vetëm Allahut. Ty nuk të lejohet të adhurosh të tjerë pos Tij. Nuk të lejohet të adhurosh ndonjë statujë, ndonjë profet, ndonjë engjëll, ndonjë gur, ndonjë xhin apo diçka tjetër.
Allahu -subhaneh- ka thënë:
وَلَوْ أَشْرَكُواْ لَحَبِطَ عَنْهُم مَّا كَانُواْ يَعْمَلُونَ
”Por nëse ata i bëjnë ortak Allahut, do t’u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë.” En-Aam, 6:88
وَلَقَدْ أُوحِيَ إِلَيْكَ وَإِلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكَ لَئِنْ أَشْرَكْتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ
”Me të vërtetë, të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën ortak (Allahut), veprat tuaja do të asgjësohen dhe ti do të jesh prej të humburve!” Ez-Zumer, 39:65
Bukhari dhe Muslimi transmetojnë se profeti ﷺ u pyet:
“Cili mëkat është më i madhi?”
Ai ﷺ u përgjigj: “Që të adhurosh dikë karshi Allahut, kur Ai është që të krijoi ty.”
Iu tha: “Cili mëkat vjen pastaj?”
Ai ﷺ u përgjigj: “Që ta mbytësh fëmijën tënd nga frika se ai do të ha me ty.”
Iu tha: “Cili mëkat vjen pastaj?”
Ai ﷺ u përgjigj: “Që të bësh imoralitet me gruan e komshiut tënd.” Bukhari (447) dhe Muslimi (86).
Profeti ﷺ e bëri të qartë se idhujtaria është mëkati më i madh, më i keq dhe më i rrezikshëm. Në një hadith tjetër, profeti ﷺ thotë:
“A të mos ju tregojë për mëkatin më të madh?”
Ne thamë: “Po, o i dërguari i Allahut.”
Ai ﷺ tha: “T’i bësh idhujtari Allahut.” Bukhari (5976) dhe Muslimi (87).
Teuhid pra d.m.th. që Allahu të veçohet me adhurim.
Idhujtaria (shirku) është të adhurosh dikë tjetër pos Allahut, t’i frikësohesh dikujt tjetër pos Allahut, të shpresosh në dikë tjetër pos Allahut, të therësh kurban për dikë tjetër pos Allahut, të betohesh në dikë tjetër pos Allahut, ose t’i dedikosh ndonjë formë tjetër adhurimi dikujt tjetër pos Allahut. Të gjitha këto janë idhujtari e madhe pavarësisht nëse atij që i lutesh është një profet, një engjëll, një xhin, një pemë, një shkëmb apo diçka tjetër.
Prandaj Allahu -te ala- ka thënë:
وَاعْبُدُواْ اللّهَ وَلاَ تُشْرِكُواْ بِهِ شَيْئًا
”Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim).” En-Nisa, 4:36
Fjala “asgjë” është përmendur në formën e pashquar në kontekst mohimi dhe prandaj përfshin gjithçka.
Allahu -subhaneh- ka thënë:
وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ
”Ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” El-Bejjineh, 98:5
Gjëja më madhështore që Allahu ka urdhëruar është teuhidi që do të thotë që të adhurohet vetëm Allahu, dhe gjëja më e madhe që Ai ka ndaluar është idhujtaria (shirku) dhe kjo është që të adhurohet diçka karshi Allahut -azze ue xhel-. Prandaj shpesh ndodhë që Allahu -subhanehu ue te ala- urdhëron teuhidin dhe ndalon idhujtarinë (shirkun) në librin e Tij.