Shejkh Abdus-Selam bin Berxhas
Burimi: el-Mu’takad es-Sahih
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Nga besimi i Ehli-Sunnetit është që ta duan familjen e profetit ﷺ dhe ta njohin meritën dhe nderin e tyre. Në këtë rast veprojnë sipas këshillës së profetit ﷺ të cilën ai e dha në ditën Ghadir Khum. Ai e lavdëroi Allahun, këshilloi dhe i kujtoi njerëzit. Pastaj tha:
”O njerëz! Unë jam vetëm një njeri. Një i dërguar nga Zoti im është duke ardhur [që të më marr mua] dhe unë do t’i përgjigjem atij. Po ua lë dy gjëra midis jush. E para është libri i Allahut në të cilën gjendet udhëzimi dhe drita. Prandaj, merreni librin dhe mbane atë.”
Ai i thërriti ata tek libri i Allahut, e pastaj tha:
”Dhe familjen time. Unë ju kujtoj juve Allahun dhe familjen time. Unë ju kujtoj juve Allahun dhe familjen time. Unë ju kujtoj juve Allahun dhe familjen time.”
Ibn Kethiri ka thënë në tefsirin e tij:
”Ne nuk e mohojmë porosinë për ta trajtuar familjen e tij, për t’i respekuar dhe nderuar ata. Ata vijnë nga një fis i pastër, nga familja më fisnike që ka ekzistuar ndonjëherë mbi faqen e tokës, kur bëhet fjalë për krenari, pasardhës dhe për trungun familjar. Kjo vlen veçanërisht nëse ata e pasojnë sunnetin profetik, autentik dhe të qartë. Në këtë gjendje ishin parardhësit e tyre si el-Abbasi dhe bijtë e tij, Aliu dhe familja e tij – (Allahu qoftë i kënaqur me ata të gjithë).”
Prej familjes së tij ﷺ janë gratë e tij. Allahu (te ala) ka thënë rreth tyre:
“Dhe qëndroni në shtëpitë tuaja dhe mos e shfaqni veten siç bënin në kohën e xhahilisë (periudha e injorancës para Islamit), edhe falni rregullisht namazin dhe jepni zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të dërguarit të Tij. O familje e profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht. Dhe kujtoni (o ju pjesëtarë të familjes së profetit) atë që lexohet në shtëpitë tuaja nga vargjet e Allahut dhe El-Hikmeh (sunnetin e të dërguarit, rrugën e vërtetë të vënies në jetë të Islamit). Vërtet që Allahu është gjithnjë më Dashamirësi, në Dijeni të Plotë për çdo gjë.” El-Ahzab 33:33-34.
Ibn Kethiri (rahimehullah) ka thënë në tefsirin e tij:
”Ky ajet është argument se gratë e profetit ﷺ i përkasin familjes së profetit ﷺ sepse ato janë arsyeja e shpalljes së këtij ajeti. Arsyeja e shpalljes së ajetit është përfshirë në këtë ajet dhe s’ka asnjë paqartësi në lidhje me këtë.”
Në këtë ajet hyjnë edhe Aliu (radij Allahu anhu), Fatimja, Haseni, Husejni, duke u bazuar në hadithin e Aishes: Doli një ditë herët i dërguari, duke vendosur mbi krahë një xhybe, ku më pas erdhi Haseni, dhe e futi nën të, e më pas erdhi Husejni dhe e futi nën të, më pas erdhi Fatimja dhe e futi nën të, erdhi Aliu dhe e futi nën të, e më pas tha ajetin:
”O familje e profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” El-Ahzab 33:33.