Autori i librit: Hafidh Ibn Haxher el-Askalani
Shpjegues: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Esh-Sherh el-Mukhtasar ala Bulugh-il-Maram
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Hafidh Ibn Haxher el-Askalani -rahimehullah- ka thënë:
12 – Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Në qoftë se një qen lëpin pjatat tuaja ato duhet të pastrohen në mënyrë të tillë që t’i lani shtatë herë nga të cilat pastrimi i parë duhet të jetë me dhe.”
Transmetuar nga Muslimi. Në një nga formulimet e tij thuhet:
“… duhet ta derdhni atë…”
Tek Tirmidhi thuhet:
“… nga të cilat hera e fundit ose hera e parë duhet të jetë me dhe.”
Shpjegimi
Qeni i përmendur në hadith përfshinë qenin që lejohet të mbahet dhe qentë e tjerë. Qeni lejohet të mbahet për tre qëllime:
1 – Për roje. Qentë rojtar për të ruajtur tokën bujqësore kundër ujqërve, dhelprave dhe të tjerëve.
2 – Për bagëti. Njeriu mund të ketë nevojë për një qen që kujdeset për bagëtitë e tij dhe e mbron atë kundër ujqërve, grabitqarëve, hajdutëve dhe gjërave të tjera. Disa qen janë të ushtruar dhe fillojnë të lehin menjëherë kur të shohin të huajt.
3 – Për gjueti. Një qen mund të ushtrohet në mënyrë që të bëhet qen i gjuetisë. Gjahu i kapur nga një qen gjahu i ushtruar është i ligjshëm për të ngrënë.
Lejohet posedimi i këtyre qenve pasi që i sjellin dobi njerëzve dhe nevojiten. Qentë me detyra të ngjashme mund të krahasohen me këto tre lloje. Për shembull, personi që jeton në një pallat të largët nga komuniteti gjithashtu i lejohet të ketë qen roje që ruan pallatin. Nevoja për një qen të tillë është më e madhe se nevoja për një qen për kullosje. Nëse lejohet të posedosh një qen që kujdeset për shtazët atëherë nuk mund të jetë më pak e lejuar për të pasur një qen roje që e ruan shtëpinë dhe banorët saj. Kur profeti ﷺ i lejoi këto tre lloje të qenve, qentë me detyrë përkatëse morën të njëjtin gjykim. Megjithatë, është e ndaluar që të mbash një qen pa nevojë.
1 Muslimi (279).
2 Tirmidhi (91).