Sherh El-Kaua’id El-Arba’ah [Shpjegimi i katër parimeve] fq. 8-9
Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab
Shpjegues i librit: Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Fusnotat: Shejkh Khalid bin Kasim er-Raddadi
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Imam Muhammed bin Abdil-Uehabi -rahimehullah- ka thënë:
“Dije – Allahu të udhëzoftë drejt bindjes ndaj Tij – se Hanifijeh është feja e Ibrahimit ﷺ. Ajo është që ta adhurosh sinqerisht vetëm Allahun.”
Allahu -te ala- ka thënë:
“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56
Shpjegimi
”Dije – Allahu të udhëzoftë drejt bindjes ndaj Tij…”
Kjo është një lutje nga shejkhu -rahimehullah- dhe në këtë mënyrë mësuesi duhet të lutet për nxënësin e tij.
T’i bindesh Allahut do të thotë që t’i nënshtrohesh urdhrave të Tij dhe që t’i shmangesh ndalesave të Tij.”
“…se Hanifijeh është feja e Ibrahimit ﷺ … “
Allahu -xhele ue ala- e urdhëroi profetin e Tij Muhammedin ﷺ që të pasoj fenë e Ibrahimit ﷺ.
Ai -te ala- ka thënë:
“Pastaj ty të shpallëm: “Paso fenë monoteiste të Ibrahimit dhe ai nuk ishte prej idhujtarëve.“ En-Nahl, 16:123
Hanifijeh është monoteizmi (teuhidi), feja e Ibrahimit ﷺ. “Hanif” është ai që i kthehet Allahut dhe ia kthen shpinën çdo gjëje tjetër. Pra, ky është kuptimi i fjalës “Hanif”; ai që i kthehet Allahut me zemrën e tij, veprat e tij dhe me qëllimet e tij. Të gjitha këto duhet t’i kushtohen vetëm Allahut. Nga ana tjetër, duhet t’ua kthesh shpinën çdo gjëje tjetër pos Allahut. Allahu na ka urdhëruar që të pasojmë fenë e Ibrahimit ﷺ:
“Ai ju zgjodhi ju dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi, në fenë e babait tuaj, Ibrahimit.” Haxh, 22:78
Feja e Ibrahimit është që sinqerisht të adhurohet vetëm Allahu. Kjo është Hanifijeh. Ai nuk tha që vetëm ta adhurosh Allahun, por ta adhurosh me sinqeritet. Kjo do të thotë që të qëndrosh larg nga shirku sepse adhurimi i përzier me shirkun anulohet dhe nuk konsiderohet adhurim derisa ai të jetë i pastër nga shirku i madh dhe i vogël.
Ai -te ala- ka thënë:
”E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” El-Bejjineh, 98:5
“Hanif” është pra ai që sinqerisht i kthehet Allahut -azze ue xhel-.
Me këtë adhurim Allahu i ka urdhëruar të gjithë njerëzit.
Allahu -te ala- ka thënë:
“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56
Kuptimi i adhurimit është që të adhurosh vetëm Allahun dhe askënd tjetër. Urtësia e krijimit është pikërisht për të adhuruar vetëm Allahun -azze ue xhel-. Disa pra i janë nënshtruar kësaj e disa të tjerë nuk e jo. Megjithatë, kjo është urtësia prapa krijimit. Pra ai që pastaj adhuron dikë tjetër pos Allahut, e kundërshton qëllimin e krijimit në të njëjtën mënyrë sikurse ai e kundërshton edhe sheriatin.
Ibrahimi ﷺ është babai i profetëve që e pasuan atë. Të gjithë ata vijnë nga pasardhësit e tij. Për këtë arsye, Allahu -xhele ue ala- tha:
”Dhe Ne ia dhuruam atij Is’hakun dhe Ja’kubin, e në pasardhësit e tij shpallëm profecinë dhe librin e shenjtë (librat e shpallur).” Ankebut, 29:27
Të gjithë nipërit e Ibrahimit ﷺ janë izraelitë përveç Muhammedit ﷺ i cili është nga pasardhësit e Isma’ilit ﷺ. Prandaj, të gjithë profetët janë nga Ibrahimi ﷺ si një nder për të. Allahu bëri që ai të jetë imam për njerëzit, do të thotë e bëri atë një shembull që të ndiqet:
Allahu i tha atij: “Vërtet Unë po të bëj ty prijës (profet) të njerëzimit.” El-Bekare 2:124
“Me të vërtetë që Ibrahimi ishte prijës shembullor, i bindur ndaj Allahut, ishte hanif (monoteist) dhe nuk ishte prej idhujtarëve.” En-Nahl, 16:120
Që do të thotë imam që merret si shembull për t’u ndjekur. Me këtë Allahu i ka urdhëruar të gjithë njerëzit.
Allahu -te ala- ka thënë:
”Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56
Ashtu si të gjithë profetët e tjerë, Ibrahimi nxiti që të adhurohet Allahu -azze ue xhel-. Të gjithë profetët u bën thirrje njerëzve që ta adhurojnë vetëm Allahun dhe askënd tjetër.
Allahu -te ala- ka thënë:
”Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni adhurimin e tagutit!” En-Nahl, 16:36
Lidhur me sheriatet të cilat përbëhen nga urdhëresat, ndalesat, të ligjshmet dhe të paligjshmet, ato dallojnë tek umetet paraprake në përputhje me nevojat dhe kërkesat e tyre. Allahu e ligjëson një sheriat (ligj) dhe pastaj e abrogon (shfuqizon) atë me një të tillë më vonë. I tillë ishte rasti deri sa erdhi sheriati (ligji) Islam dhe anuloi të gjitha sheriatet e mëparshme.
Ky sheriat do të vlej deri në ditën e gjykimit. Por sa i përket bazës së fesë së profetëve e që është teuhidi, ai mbetet e nuk shfuqizohet. Feja e tyre është një dhe ajo është Islami, që do të thotë të adhurohet sinqerisht vetëm Allahu. Ligjet mund të jenë të ndryshme dhe të shfuqizohen, por teuhidi dhe besimi është i njëjtë që nga Ademi ﷺ deri te profeti i fundit. Të gjithë ata thërritën në teuhid dhe që adhurimi t’i përkushtohet vetëm Allahut. Të adhurohet Allahu do të thotë të respektohen obligimet e Tij legjislative. E nëse ky legjislacion (sheriat) shfuqizohet, adhurimi bëhet duke vepruar sipas asaj që ka shfuqizuar dhe ajo që është shfuqizuar nuk do të konsiderohet më si një adhurim ndaj Allahut.