Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

14.Arritja në Medine

Imam Ibn Kethir Ed-Dimeshkij (v. 774)
El-Fusul fi Sirat-ir-Rasul, fq. 37-38
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ensarët tashmë kishin marrë lajmin se profeti ﷺ kishte lënë Mekën dhe ishte nisur drejt tyre. Çdo ditë ata dilnin jashtë Medinës për ta pritur me padurim. Të hënën, më 12 Rabi El-Euel, 18 vite pas shpalljes së tij ﷺ, ai mbërriti në mëngjesin e ndritur.

Atë ditë Ensarët ishin dalë si zakonisht për ta pritur por pasi kishin qëndruar për një kohë të gjatë pa e parë, u kthyen në shtëpitë e tyre. Pikërisht atëherë, një jehudi që qëndronte mbi çatinë e shtëpisë së tij e pa profetin ﷺ dhe thirri me sa fuqi kishte:

“O Benu Kajleh, po vjen ai që po e prisni!”

Me të dëgjuar lajmin, Ensarët dolën me shpatat e tyre dhe e mirëpritën profetin ﷺ me përshëndetjen profetike. Ai qëndroi në Kuba, te Kulthum bin El-Hadam, edhe pse sipas një mendimi tjetër, ishte mysafir te Sad bin Khajthemeh.

Muslimanët erdhën për ta takuar dhe përshëndetur të dërguarin e Allahut ﷺ. Shumica prej tyre nuk e kishin parë kurrë më parë. Ngaqë Ebu Bekri -radijAllahu anhu- kishte disa thinja, disa menduan se ai ishte profeti ﷺ. Kur dielli u bë tepër i fortë, Ebu Bekri mori një leckë dhe i bëri hije profetit ﷺ. Vetëm atëherë njerëzit e kuptuan se kush ishte në të vërtetë i dërguari i Allahut ﷺ.

 

Shpërndaje: