Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

14.Besimi në sundimin e Allahut nuk siguron jetën dhe pasuritë

Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Sherh Kefsh-ish-Shubahat

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Nëse e ke kuptuar ata e pranuan këtë, “se besimi i tyre se vetëm Allahu është Zot” por kjo nuk bëri që ata të hyjnë në Teuhidin në të cilin i thirri i dërguari i Allahut ﷺ, dhe pasi e ke kuptuar se ai Teuhid të cilin ata e mohuan ishte Teuhidi në adhurim që sot idhujtarët e quajnë “besim”, ashtu sikurse ata e kishin zakon që ta adhuronin Allahun (subhanehu ue te ala) natë e ditë – pastaj disa prej tyre adhuruan engjëjt, për shkak të mirësisë së tyre, dhe për shkak se ata janë afër Allahut, që të ndërmjetësojnë tek Ai, ose e adhuronin një njeri të mirë, për shembull, el-Latin ose një profet sikurse Isain ﷺ – dhe pasi e ke kuptuar se i dërguari i Allahut ﷺ luftoi kundër tyre për shkak të kësaj idhujtarie dhe se ai i thirri ata që sinqerisht ta adhurojnë vetëm Allahun, siç ka thënë Allahu (te ala):

“Kështu që mos lutni askënd tjetër karshi Allahut!” 72:18

”Lutje e vërtetë është vetëm ajo drejtuar Atij, e ata që u luten të tjerëve pos Tij, ata nuk mund tu përgjigjen atyre.” 13:14

dhe pasi e ke kuptuar se i dërguari i Allahut ﷺ luftoi kundër tyre në mënyrë që lutja e tyre t’i drejtohet vetëm Allahut, që të theret kurban vetëm në emër të Allahut, që të bëhen zotime vetëm në emër të Allahut, që mbrojtja të kërkohet vetëm prej Allahut, dhe pasi e ke kuptuar se pranimi i tyre i Teuhidit Rububijeh nuk i bëri ata që të hyjnë në Islam, dhe se ata adhuronin engjëjt, profetët dhe njerëzit e mirë në mënyrë që ata të ndërmjetësojnë për ta dhe t’i afrojnë tek Allahu, është kjo që ka bërë të lejuar për të marrë jetën dhe pasurinë e tyre, do ta kuptosh këtë lloj të Teuhidit në të cilën thirrën të dërguarit, të cilin idhujtarët nuk e pranuan.

Shpjegimi:

Nëse e ke kuptuar se … – Do të thotë idhujtarët tek të cilët u dërgua i dërguari i Allahut ﷺ.

…..ata e pranuan këtë… – Do të thotë Teuhidin Rububijeh, që do të thotë të besosh se Allahu është i vetmi Krijues, që ka gjithçka në dorën e Tij dhe që drejton çështjet.

por kjo nuk bëri që ata të hyjnë në Teuhidin në të cilin i thirri i dërguari i Allahut ﷺ – Besimi i tyre se Allahu është i vetmi Krijues, që ka gjithçka në dorën e Tij dhe drejton çështjet nuk i bëri që ata të hyjnë në Teuhid Uluhijeh në të cilën i dërguari i Allahut ﷺ i thirri ata. Ai gjithashtu nuk ndaloi që të merret jeta dhe pasuria e tyre.

…dhe pasi e ke kuptuar se ai Teuhid të cilin ata e mohuan ishte Teuhidi në adhurim që sot idhujtarët e quajnë “besim” – Nëse e ke kuptuar se ata mohuan Teuhidin Uluhijeh, të cilin idhujtarët e sotëm e quajnë “besim”, të sqarohet ty se ajo që ata e pranuan nuk ishte e mjaftueshme për ta përmbushur Teuhidin. Në fakt kjo nuk është edhe e mjaftueshme për të qenë musliman. Ai që nuk e pranon dhe beson Teuhidin Uluhijeh nuk është musliman, edhe nëse ai e pranon Teuhidin Rububijeh. Prandaj, profeti ﷺ luftoi kundër idhujtarëve, edhe pse ata e pranuan Teuhidin Rububijeh.

…ashtu sikurse ata e kishin zakon që ta adhuronin Allahun (subhanehu ue te ala) natë e ditë – pastaj disa prej tyre adhuruan engjëjt, për shkak të mirësisë së tyre, dhe për shkak se ata janë afër Allahut, që të ndërmjetësojnë tek Ai, ose e adhuronin një njeri të mirë, për shembull, el-Latin ose një profet sikurse Isain ﷺ… – Këta idhujtarë e kishin zakon që t’i luteshin Allahut (te ala) në qoftë se ata goditeshin nga ndonjë vështirësi. Të tjerët i luteshin engjëjve sepse ata ishin të afërt me Allahun (azze ue xhel). Ata pohuan se ai që është afër Allahut (subhanehu ue te ala) meriton të adhurohet. Kjo dëshmon injorancën e tyre. Askush tjetër përveç Allahut nuk ka të drejtë të adhurohet! Disa iu luteshin Latit. El-Lat ishte një njeri i cili e kishte zakon që t’u përgatiste ushqim pelegrinëve. Kur ai vdiq, ata u mblodhën me përulësi rreth varrit të tij për ta adhuruar atë. Të tjerë e adhurojnë Isain ﷺ, sepse ai është një nga mrekullitë e Allahut. Disa adhurojnë njerëz të mirë sepse ata janë afër Allahut (subhanehu ue te ala). Të gjithë këto për shkak sepse shejtani ua zbukuroi atyre veprat e tyre me të cilat ata u larguan nga rruga e drejtë. Allahu (te ala) ka thënë:

“Thuaju (O Muhammed): “A t’ju tregojmë Ne humbësit më të mëdhenj për veprat e tyre? Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote duke menduar se po përfitonin mirësi nga veprat e tyre! Këta janë ata të cilët mohojnë ajetet (provat, shenjat, shpalljet) e Zotit të tyre dhe takimin me Të (në Jetën e Pastajme për të dhënë llogari), kështu që veprat e tyre shkuan huq e nuk do t’u sjellin dobi dhe në Ditën e Kijametit Ne nuk do t’ua vëmë fare në peshojë.” 18:103-105

dhe pasi e ke kuptuar se i dërguari i Allahut ﷺ luftoi kundër tyre për shkak të kësaj idhujtarie… – Me “këtë idhujtari” do të thotë se ata e kishin zakon që të adhuronin të tjerë karshi Allahut. Kjo pra nuk do të thotë idhujtari në Teuhid Rububijeh. Idhujtarët tek të cilët profeti ﷺ u dërgua, pranuan se Allahu është i vetmi Zot. Ata pranuan se vetëm Ai e dëgjon lutjen e atij që është në vështirësi, i vetmi që largon vështirësitë, dhe veprime të tjera të cilat Allahu i ka përmendur në lidhje me Të, e cila nënkupton se ata e pranuan se Allahu (azze ue xhel) është Zot.

Profeti ﷺ ka luftuar pikërisht ndaj këtyre njerëzve që nuk e pranuan Teuhidin Uluhijeh. Në fakt, ai tregoi se jeta dhe pasuria e tyre janë të lejuara që të merren edhe në qoftë se ata besonin se Allahu është Krijuesi i vetëm sepse ata nuk e adhuronin Atë sinqerisht.

…dhe se ai i thirri ata që sinqerisht ta adhurojnë vetëm Allahun – Sinqeriteti ndaj Allahut do të thotë që “me adhurimin tënd sinqerisht të ke për qëllim që t’i afrohesh Allahut (subhanehu ue te ala) dhe xhenetit të Tij.”

”Lutje e vërtetë është vetëm ajo drejtuar Atij, e ata që u luten të tjerëve pos Tij, ata nuk mund tu përgjigjen atyre.” 13:14

– Këto hyjni që ata adhurojnë në vend të Allahut nuk mund t’u përgjigjem atyre me diçka.

Allahu (te ala) ka thënë:

“Dhe kush është në rrugë më të gabuar se sa ai i cili lut në vend të Allahut të atillë që nuk do t’i përgjigjen atij deri në Ditën e Ringjalljes dhe të cilët madje janë krejt të pavetëdijshëm për lutjet që u bëhen atyre? Dhe kur njerëzimi të grumbullohet (Ditën e Kijametit), ata (idhujt e tyre) do të bëhen armiq të tyre dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre.” 46:5-6

…dhe pasi e ke kuptuar se i dërguari i Allahut ﷺ luftoi kundër tyre në mënyrë që lutja e tyre t’i drejtohet vetëm Allahut… – Ka dy lloje të lutjes:

E para: Lutja e cila është adhurim. Ky lloj është që t’i lutesh të Adhuruarit duke kërkuar shpërblimin e Tij dhe duke pasur frikë nga dënimi i Tij. Kjo duhet t’i dedikohet vetëm Allahut. Që t’i dedikohet dikujt tjetër përveç Allahut është idhujtari e madhe që e përjashton vepruesin e saj prej feje. Personi i tillë përfshihet nga kërcënimi në fjalët e Tij (te ala):

”Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në xhehenem të poshtëruar.” Gafir, 40:60

E dyta: Lutja që është kërkesë. Kjo lutje është që të kërkosh nevoja, dhe ajo ndahet në tri pjesë:

Pjesa e parë: T’i lutesh Allahut (subhanehu ue te ala) për diçka që vetëm Allahu është në gjendje për të kryer. Kjo konsiderohet të jetë adhurim që i dedikohet Allahut (te ala), sepse kjo do të thotë të shfaqësh nevojën për Allahun (te ala), i drejtohesh Atij dhe beson që Ai është i aftë dhe bujar me mëshirë të gjerë. Prandaj ai që i lutet dikujt tjetër pos Allahut për diçka që vetëm Ai është në gjendje për të kryer, është një idhujtarë i pafe. Kjo vlen pavarësisht nëse ai të cilit i lutesh është i gjallë apo i vdekur.

Pjesa e dytë: Që t’i kërkosh një njeriu të gjallë diçka gjë ai është në gjendje për ta kryer. Shembull i kësaj është që t’i kërkosh dikujt ujë. Ky veprim është i lejuar.

Së treti: Që t’i kërkosh një personi të vdekur ose dikujt që nuk është i pranishëm një shërbim të ngjashëm. Ky veprim është idhujtari, pasi që as i vdekuri e as ai që nuk është i pranishëm nuk mund ta kryej këtë shërbim. Prandaj lutja që ia bën atij nënkupton se ai beson se ai ka sundim mbi gjithësinë. Kjo e bënë personin e tillë idhujtar.

… që të theret kurban vetëm në emër të Allahut… – Therje do të thotë dalja e shpirtit përmes derdhjes së gjakut në mënyrë të veçantë. Kjo mund të bëhet në disa mënyra:

E para: Që me anë të therjes (kurbanit) të synosh të nderosh atë për të cilin ther kurban, t’i nënshtrohesh atij dhe të kërkosh praninë e tij. Ky është adhurim që lejohet t’i dedikohet vetëm Allahut (te ala) në mënyrën që Allahu (te ala) e ka përshkruar. Megjithatë, është idhujtari për të sakrifikuar në këtë mënyrë për dikë tjetër përveç Allahut.

Ai (te ala) ka thënë:

Thuaj: “Me të vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve. Ai i Cili nuk ka ortak.” 6:162-163

E dyta: Të synosh me kurbanin nderimin e mysafirit, ose dasmë, ose të ngjashme. Këto janë të urdhëruara dhe ose janë të detyrueshme apo të pëlqyeshme. Ai ﷺ ka thënë:

“Ai që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit le të jetë bujar ndaj mysafirit të tij.” 1

Pos kësaj, ai i tha sapo të martuarit Abdurr-Rrahman bin Aufit:

“Bëje një dasmë, edhe nëse e bën me një qengj.” 2

E treta: Që me kurban të kesh për qëllim ushqimin, të bësh tregti me të, apo gjëra të ngjashme. Ky veprim është i lejuar. Është i lejuar në parim.

Allahu (te ala) ka thënë:

”A nuk e shohin ata se Ne kemi krijuar për ta nga ato gjëra që kanë krijuar duart Tona – bagëtitë, kështu që ato janë nën shërbim të tyre? Dhe që Ne ua nënshtruam ato atyre? Disa prej tyre ata i kanë për të udhëtuar, ndërsa prej disave ushqehen.” 36:71-72

Ky veprim mund të jetë gjithashtu i detyruar, po edhe i ndaluar. E gjitha varet nga arsyeja pse përdoret.

… që të bëhen zotime vetëm në emër të Allahut … – Në përgjithësi, të gjitha llojet e adhurimit mund t’i quajmë “zotime”. Megjithatë, domethënia e saj specifike është që të detyrosh veten me diçka për hir të Allahut (azze ue xhel). Ajo që nënkuptohet në këtë kontekst, është kuptimi i parë. Të gjitha adhurimet i përkasin Allahut (te ala).

Allahu (te ala) ka thënë:

”Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni askënd e asgjë veç Atij.” 17:23

… që mbrojtja të kërkohet vetëm prej Allahut… –Veprimi do të thotë të kërkosh ndihmë dhe mbrojtje kundër vështirësive dhe shkatërrimit. Kjo përbëhet nga disa lloje:

E para: Të lusësh Allahun (azze ue xhel) për mbrojtje. Ky veprim është një nga veprat më të shkëlqyera dhe më të plota. Ky i përket zakoneve të dërguarve (alejhim-us-salatu ues-selam). Dëshmia për këtë janë fjalët e Tij (te ala):

”Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai u është përgjigjur: “Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi).” 8:9

E dyta: Të kërkosh ndihmë prej të vdekurve ose atyre që nuk janë të pranishëm dhe të paaftë për mbrojtje. Kjo vepër konsiderohet idhujtari, sepse kryhet vetëm për shkak se beson se ata posedojnë një zotërim të fshehur mbi krijesat. Prandaj u jepet atyre një hise e zotërimit (të cilën e posedon vetëm Allahu). Allahu (te ala) ka thënë:

“A nuk është Ai i Cili i përgjigjet të nevojtarit (të pikëlluarit) kur ai i drejtohet Atij dhe i Cili e largon të keqen dhe u bën ju trashëgues të tokës brez pas brezi. A ka ndonjë të adhuruar tjetër me Allahun? Sa pak përkujtoni!” 27:62

E treta: Të kërkosh mbrojtje nga njerëzit e gjallë, që dinë dhe janë të aftë. Ky veprim është i lejuar sikurse është e lejuar që t’i kërkohet atyre ndihmë. Allahu (te ala) tha në lidhje me Musain ﷺ:

E ai i anës së tij i kërkoi ndihmë kundër armikut dhe Musai e qelloj me grusht e ai vdiq.” 28:15

E katërta: Ti kërkosh mbrojtje një njeriu të gjallë dhe të paaftë, pa pasur bindjen se ai ka një forcë të fshehur. Shembull i kësaj është që t’i kërkosh një personi të paralizuar mbrojtje kundër një armiku që të ka sulmuar. Kjo nuk është asgjë më shumë sesa një tallje me të paralizuarin. Prandaj, ky veprim është i ndaluar për shkak të kësaj arsye. Një tjetër arsye është se njerëzit e tjerë mund të mendojnë se personi i paaftë të cilit i kërkohet mbrojtje posedon një forcë të fshehur me të cilën ai e shpëton nevojtarin.

dhe pasi e ke kuptuar se pranimi i tyre i Teuhidit Rububijeh nuk i bëri ata që të hyjnë në Islam, dhe se ata adhuronin engjëjt, profetët dhe njerëzit e mirë në mënyrë që ata të ndërmjetësojnë për ta dhe t’i afrojnë tek Allahu, është kjo që ka bërë të lejuar për të marrë jetën dhe pasurinë e tyre, do ta kuptosh këtë lloj të Teuhidit në të cilën thirrën të dërguarit, të cilin idhujtarët nuk e pranuan.  – Përsëri autori (rahimehullah) përcakton se Tuhidi Uluhijeh është lloj i Teuhidit me të cilën erdhën të dërguarit nga Allahu. Idhujtarët tek të cilët u dërgua i dërguari ﷺ, e pranuan Teuhidin Rububijeh. Megjithatë, profeti ﷺ deklaroi se jeta dhe pasuria e tyre ishin të lejuara që të merren. Arsyeja për këtë është se ata e kishin zakon të adhurojnë engjëjt, njerëzit e mirë. Me këtë ata synonin që t’i afrohen Allahut. Pra, kjo është pikërisht siç ka thënë Allahu (te ala):

“Dhe ata që zgjedhin për mbrojtës e ndihmues të tjerë në vend të Tij (thonë): “Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër përveçse që të na afrojnë sa më afër Allahut”.” 39:3

Ata pranuan se qëllimi ishte Allahu, por se ata gjithashtu iu drejtohen engjëjve dhe të tjerëve për t’iu afruar Allahut. Megjithatë, ata kurrë nuk hyrën në Teuhid plotësisht.


1 Bukhari (6018) dhe Muslimi (74).

2 Bukhari (5167) dhe Muslimi (1427).

Shpërndaje: