Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

14.Përjashtimi në Iman (të thuhet jam besimtar nëse do Allahu)

Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)

Një përmbledhje nga libri “Esh-Shari’ah”

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

112 – Prej cilësive të pasuesve të së vërtetës është se ata thonë: “Jam mu’min in sha’a Allah – (jam besimtarë)”. Por ata nuk e bëjnë këtë nga dyshimi – Allahu na ruajt nga dyshimet! – por që të mos lavdërojnë veten sikurse (të pretendojnë se) e kanë imanin e përsosur. Por ne nuk e dimë nëse mund të quash veten në një mënyrë të tillë, që nënkupton besim të vërtetë apo jo. Prandaj dijetarët e së vërtetës përgjigjen kur ata pyeten “A je besimtar?”:

“Unë besoj në Allahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit, në xhenetin dhe xhehenemin dhe të ngjashme.”

Ai që e thotë këtë dhe beson në këtë, është besimtar. Arsyeja e vetme pse ata thonë “In sha Allah”, është se ata nuk e dinë nëse ata e plotësojnë tërë besimin e vërtetë me të cilin Allahut (azze ue xhel) i ka përshkruar besimtarët. Kjo është rruga në të cilën ecën sahabët (radijAllahu anhum) dhe ata që i pasuan ata në mirësi. Ata nuk e kishin për qëllim me këtë përjashtim besimin me zemër dhe shahadetin, por kishin për qëllim veprat që nënkuptojnë realitetin e imanit. Ata besojnë se njerëzit në aspektin e dukshëm janë besimtarë. Ata trashëgohen, martohen dhe gjykohen sipas ligjeve të Islamit.

113 – Një njeri erdhi tek Abdullah bin Mesudi dhe tha:

“Unë jam besimtar.” Ibn Mesudi i tha: “A je në xhenet?” Njeriu tha: “Unë shpresoj këtë.” Ibn Mesudi i tha: “Pse nuk the atë që the së pari, siç thua në këtë të dytën?”

114 – Një njeri i tha Alkames: “A je besimtar?” Ai tha: “Unë shpresoj këtë, in sha’a Allah – nëse do Allahu.”

115 – Ebu Bekr el-Athram ka thënë:

“E kam dëgjuar Ebu Abdil-Lah Ahmed bin Hanbelin duke u pyetur në lidhje me atë që thotë in sha’a Allah në lidhje me besimin. Ai u përgjigj: “Unë nuk e fajësojë atë.”

116 – Ahmed bin Hanbeli ka thënë:

“E kam dëgjuar Jahja bin Sa’idin duke thënë: “Unë nuk kam takuar dikë, përveçse ata thoshin in sha’a Allah në lidhje me imanin e tyre.”

117 – Ahmed bin Hanbeli ka thënë:

“E kam dëgjuar Sufjan bin Ujejnen duke u pyetur “A je besimtar?” Ai tha: “Nëse ai dëshiron, nuk përgjigjet. Dhe në qoftë se ai dëshiron, ai thotë: “Pyetja jote është bidat. Unë nuk dyshoj në imanin tim.”

118 – Xherir bin Abdil-Hamid ka thënë:

“Imani përbëhet nga fjala dhe vepra. El-A’mash, Mansur, Mugirah, Lejthi, A’ta bin Es-Sa’ib, Ismail bin Khalid, Amarah bin el-Ka’ka, El-A’la bin el-Musejib, Ibn Shibrimeh, Sufjan Eth-Theuri, Ebu Jahja nxënës i El-Hasanit dhe Hamzah Ez-Zajjat e kishin zakon të thoshin: “Ne e besojmë Allahun, in sha’a Allah.” Ata e kishin zakon të fajësonin ata që nuk e thonë këtë.”

119 – Ebu Bakr El-Meruezi ka thënë:

“Kam dëgjuar disa nga mësuesit tanë duke thënë: “E kam dëgjuar Abdurr-Rrahman bin Mehdiun duke thënë: “Të mos thuhet in sha’a Allah në lidhje me besimin është rrënja e Irxhasë.”

Shpërndaje: