Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

4.Shpjegimi i teuhidit

Sherh El-Kaua’id El-Arba’ah [Shpjegimi i katër parimeve] fq. 10

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab

Shpjegues i librit: Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Fusnotat: Shejkh Khalid bin Kasim er-Raddadi

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Imam Muhammed bin Abdil-Uehabi -rahimehullah- ka thënë:

“Kur ta dish që Allahu të ka krijuar ty për ta adhuruar Atë, atëherë dije se adhurimi nuk quhet adhurim pa teuhid. Në të njëjtën mënyrë sikurse falja e namazit nuk quhet falje e namazit pa abdes. Kështu që kur shirku përzihet me adhurimin, ai e prish atë sikurse papastërtia e shfuqizon pastrimin.”

Shpjegimi

“Kur ta dish që Allahu të ka krijuar ty për ta adhuruar Atë…” 

Do to thotë të njohësh ajetin:

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56

Ti je njëri në mesin e njerëzve dhe ky ajet vlen edhe për ty. Ti e di se Allahu nuk të ka krijuar kotë, që ti të hash e të pish, apo të jetosh këtë jetë duke u bredhur andej dhe këndej, e duke u tallur. Ai nuk të ka krijuar për këtë. Ai të ka krijuar për ta adhuruar Atë. Allahu t’i ka nënshtruar këto gjëra në mënyrë që të ndihmojnë në adhurim sepse ti nuk je i aftë të jetosh pa to dhe përveç kësaj ti nuk mundesh ta adhurosh Allahun veçse me këto gjëra. Allahu t’i ka nënshtruar ato në mënyrë që ta adhurosh Atë, e jo që të kënaqesh me to dhe të bredhësh i gëzuar, të mëkatosh, të kryesh vepra të këqija dhe të hash e të pish atë që ti dëshiron. Në këtë mënyrë jetojnë kafshët. Njeriu pra është krijuar nga Allahu -xhele ue ala- për një qëllim madhështor dhe një urtësi madhështore, pra për adhurim.

Allahu -te ala- ka thënë:

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56

Allahu nuk të ka krijuar ty që ta furnizosh Atë apo që të mbledhësh pasuri për Të. Kjo është mu ajo që bëjnë njerëzit me njëri-tjetrin kur ata punësojnë punëtorë për t’ua mbledhur atyre furnizim. Allahu nuk ka nevojë për këtë. Allahu nuk ka nevojë për krijesat.

Ai -te ala- ka thënë:

”Unë nuk kërkoj prej tyre furnizim, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë.” Edh-Dharijat, 51:57

Allahu -xhele ue ala- i ushqen krijesat dhe Vet nuk ndien uri. Ai nuk ka nevojë për ushqim. Ai -xhele ue ala- është i Vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për adhurimin tënd. Sundimi i Allahut nuk pakësohet nëse ti bën kufër (mohon apo bën idhujtari). Megjithatë, ti je ai që ke nevojë për Të. Ti je ai i cili ke nevojë për adhurim. I përket mëshirës së Tij që Ai të urdhëroi që ta adhurosh Atë. Para së gjithash kjo është për të mirën tënde. Nëse ti e adhuron Atë, Ai -subhanehu ue te ala- do të nderojë me shpërblim dhe kompensim. Adhurimi është pikërisht shkaku që Allahu do të nderoi ty në këtë jetë dhe në jetën e përtejme. Prandaj, kush është ai që përfiton nga adhurimi? Ai që përfiton nga adhurimi nuk është askush tjetër pos vet robit. Sa për Allahun -xhele ue ala-, Ai nuk ka nevojë për krijesat e Tij.

“…atëherë dije se adhurimi nuk quhet adhurim pa teuhid. Në të njëjtën mënyrë sikurse falja e namazit nuk quhet falje e namazit pa abdes. Kështu që kur shirku përzihet me adhurimin, ai e prish atë sikurse papastërtia e shfuqizon pastrimin.”

Pasi e ke mësuar se Allahu të krijoi që ta adhurosh Atë, duhet ta dish gjithashtu se adhurimi me të cilin kënaqet Allahu -subhanehu ue te ala- është i saktë vetëm nëse ai i plotëson dy kushte. Dhe në qoftë se njëri prej tyre dështon çdo gjë shkon huq.

Kushti i parë: Që vepra sinqerisht t’i përkushtohet Allahut dhe të jetë e zbrazët nga të gjitha llojet e shirkut. Nëse shirku përzihet me të, shirku e anulon atë. Për shembull, abdesi anulohet nëse përzihet me papastërti. Në mënyrë të ngjashme anulohet adhurimin yt nëse ti e adhuron Allahun dhe pastaj bjen në shirk.

Kushti i dytë: Të pasuarit të dërguarin ﷺ. Të gjitha adhurimet të cilat nuk i ka ligjësuar i dërguari ﷺ janë të kota dhe të refuzuara sepse janë bidat (shpikje e re në fe). Prandaj, ai ﷺ tha:

“Ai që bën një vepër e cila nuk është urdhëruar nga ne, ajo është e refuzuar.” 1

Në një formulim tjetër thuhet:

“Ai që shpik diçka të re në çështjen (fenë) tonë, ajo i refuzohet.” 2

Adhurimi pra duhet të jetë në përputhje me atë që erdhi i dërguari ﷺ e jo me atë që njerëzit mendojnë se është e mirë dhe që është në përputhje me qëllimet dhe epshet e tyre. Përderisa ajo nuk mbështetet nga asnjë dëshmi nga sheriati, veprimi është bidat që nuk i sjell dobi praktikuesit të saj. Në fakt, ajo i bën dëm sepse kjo është mosbindje edhe nëse ai pretendon se po i afrohet Allahut -azze ue xhel- me të.

Pra adhurimi duhet t’i përmbushë këto dy kushte në mënyrë që të jetë i saktë dhe që t’i bëjë dobi praktikuesit të tij; sinqeriteti dhe përputhja me sunnetin e të dërguarit ﷺ. Nëse adhurimi do të përzihej me shirk, adhurimi anulohet, dhe në qoftë adhurimi do të përzihej me një risi të shpikur (bidat), adhurimi gjithashtu anulohet. Nuk ka dobi prej adhurimit nëse ai nuk i plotëson këto dy kushte për shkak se ka të bëjë me diçka që Allahu -azze ue xhel- nuk ka ligjësuar – dhe Allahu e pranon vetëm atë që Ai ka urdhëruar në librin e Tij dhe nëpërmjet të dërguarit të Tij ﷺ.

Askush tjetër përveç të dërguarit ﷺ nuk është urdhëruar që të pasohet. Të gjithë të tjerët pasohen vetëm nëse ata e pasojnë dhe i binden të dërguarit ﷺ. Ata nuk duhet të pasohen nëse nuk e pasojnë të dërguarin ﷺ:

Allahu -te ala- ka thënë:

O ju që besuat, binduni Allahut dhe binduni të dërguarit, dhe atyre që janë në udhëheqjen tuaj.” En-Nisa, 4:59.

Ata të cilët janë në udhëheqje janë pushtetarët dhe dijetarët. Është e detyrueshme bindja ndaj tyre në atë që është bindje ndaj Allahut. Megjithatë, nuk lejohet bindja ndaj tyre ose pasimi i tyre në gjëra që e kundërshtojnë Allahun për shkak se askujt prej krijesave nuk lejohet t’u bindesh verbërisht përveç të dërguarit ﷺ. Të gjithë të tjerëve ju bindemi vetëm nëse ata ndjekin dhe i binden të dërguarit ﷺ. Ky është adhurimi i saktë.


1 Muslimi (1718) nga Aishah -radijAllahu anha-.

2 Bukhari (2697) dhe Muslimi (1718) nga Aishah -radijaAllahu anha-.

Shpërndaje: