Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

16.Duaja hyrëse e namazit dhe domethënia e saj

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtez
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam dhe imam Muhamed ibn Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

Pastaj lexohet duaja hyrëse e cila është sunnet, ajo është sikurse vijon:

سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ وتَبَارَكَ اسْمُكَ وَتَعَالى جَدُّكَ وَلا إِله غَيْرُكَ

“Subhaneke Allahume, ue bihamdike, ue tebarake-smuke, ue te ala xheduke, ue la ilahe gajruk.”

“I pa të meta je Ti, o Allahu im, hamdi dhe lavdërimi të përket Ty. Emri yt është i Madhërishëm dhe i Bekuar, Madhëria Jote është e Lartësuar, nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Teje.”

Transmeton Ebu Daudi (775), Tirmidhi (243) dhe Ibn Maxheh (806). Autentik sipas Albanit në ”Sahih Sunen Ebi Daud (3/361)”.

“I pa të meta je Ti, o Allahu im”, do të thotë unë deklaroj që Ti je pa të meta në një mënyrë që i përket Madhërisë Tënde.

”…hamdi dhe lavdërimi të përket Ty…”, do të thotë unë të bëj hamd dhe të lavdëroj Ty.

”Emri yt është i Madhërishëm dhe i Bekuar”, do të thotë bekimi arrihet kur Ti përmendësh.

”…Madhëria Jote është e Lartësuar”, do të thotë Madhështia jote është e Madhërishme.

nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Teje“, do të thotë askush tjetër përveç Teje, o Allah, nuk adhurohet me të drejtë në tokë e as në qiell.

Shpjegimi:

Para duasë së mbrojtjes lexohet duaja hyrëse. Ajo lexohet menjëherë pas Tekbirit-ul-Ihramit (tekbirit të parë) dhe është sikurse vijon:

سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ وتَبَارَكَ اسْمُكَ وَتَعَالى جَدُّكَ وَلا إِله غَيْرُكَ

“I pa të meta je Ti, o Allahu im, hamdi dhe lavdërimi të përket Ty. Emri yt është i Madhërishëm dhe i Bekuar, Madhëria Jote është e Lartësuar, nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Teje.”

Kjo është lutja e hapjes, e shkurtër dhe është një nga hadithet më autentike. Ky hadith është transmetuar përmes disa rrugëve nga Aishah, Ebu Seidi, Umeri  dhe sahabët e tjerë -radijAllahu anhum-. E tërë lutja ka të bëjë me teuhidin. E tërë lutja përbëhet nga sinqeriteti:

سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ وتَبَارَكَ اسْمُكَ وَتَعَالى جَدُّكَ وَلا إِله غَيْرُكَ

“I pa të meta je Ti, o Allahu im, hamdi dhe lavdërimi të përket Ty. Emri yt është i Madhërishëm dhe i Bekuar, Madhëria Jote është e Lartësuar, nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Teje.”

Ka edhe lutje të tjera të hapjes. Cilado që lexohet veprimi është i saktë. Njëra prej tyre është:

اللَّهُمَّ بَاعِدْ بَيْنِي وَبَيْنَ خَطَايَايَ كَمَا باعَدْتَ بَيْنَ الْمَشْرِقِ والْمَغْرِبِ اللَّهُمَّ نَقِّنِي مِنْ خَطَايَايَ كَمَا يُنَقَّى الثَّوْبُ الأَبْيَضُ مِن الدَّنَسِ اللَّهُمَّ اغْسِلْنِي مِنْ خَطَايَايَ بالثَّلْجِ والْمَاءِ والْبَرَدِ

“Allahume baid bejni ue bejne khatajaje kema be’edte bejnel meshriki ue magrib. Allahume nekkini  min khatajaje kema junekka eth-theubul ebjadu min ed-denes. Allahume igsilni min khatajaje bi thelxhi uel meai uel bered.”

“O Allahu im, më largo nga mëkatet e mia ashtu siç ke larguar lindjen nga perëndimi. O Allahu im, më pastro prej mëkateve të mia ashtu sikurse pastrohet rroba e bardhë nga njollat. O Allahu im, më pastro prej mëkateve të mia me ujë, borë dhe akull.” 

Transmeton Bukhari (744) dhe Muslimi (598).

Ndodhte që profeti ﷺ të niste namazet farze me këtë lutje të cilën e ka transmetuar Bukhari dhe Muslimi nga Ebu Hurejra -radijAllahu anhu-.

Lutja e hapjes që u përmend është e shkurtër. Ajo është e thjeshtë si për njerëzit e thjeshtë ashtu dhe për të tjerët.

“I pa të meta je Ti, o Allahu im”, do të thotë unë deklaroj që Ti je pa të meta në një mënyrë që i përket Madhërisë Tënde.

”hamdi dhe lavdërimi të përket Ty”, do të thotë se unë të bëj hamd dhe të lavdëroj Ty.

”Emri yt është i Madhërishëm dhe i Bekuar”, do të thotë që bekimi arrihet kur Ti përmendësh. Me fjalë të tjera emri i Tij arrin bekimet maksimale. Të gjitha bekimet arrihen me emrin, me begatinë dhe mirësinë e Tij -xhele ue ala-.

”…Madhëria Jote është e Lartësuar”, do të thotë se Madhështia jote është e Madhërishme. Kjo i referohet Madhështisë dhe Lartësimit të Tij sepse Ai -subhanehu ue te ala- as nuk ka lindur dhe as nuk është i lindur.

”nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Teje”, do të thotë se askush tjetër përveç Teje, o Allah, nuk adhurohet me të drejtë në tokë e as në qiell.

Ai -azze ue xhel- ka thënë: 

”Kjo, ngase Allahu është Ai i Vërteti, dhe gjithçka që ata lusin pos Tij është e kotë. Allahu është vërtet Ai i Larti, i Madhi.” Haxh, 22:62

Shpërndaje: