Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

15.Vendosja në Medine

Imam Ibn Kethir ed-Dimeshkij (v. 774)
Burimi: El-Fusul fi Sirat-ir-Rasul, fq. 38-39
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) qëndroi disa ditë në Kuba. Një tjetër mendim thotë se ai qëndroi aty katërmbëdhjetë ditë. Aty ai edhe ndërtoi xhaminë Kuba. Pastaj vazhdoi udhëtimin e tij me urdhrin e Allahut (Te ala). Ishte ditë e premte kur ai shkoi tek fisi Benu Selim bin Auf. Ai e fali namazin e xhumasë në xhaminë në luginën Ranuna. Njerëzit e fisit kërkuan prej tij që të jetoj në mesin e tyre, por ai tha:

“Lereni deven. Sepse ajo është urdhëruar.” 1

Kur deveja kishte mbërritur në vendin ku ndodhet sot xhamia e tij, ajo u ul në gjunjë. Ai (salAllahu alejhi ue selem) nuk zbriti prej saj derisa ajo u ngrit përsëri, eci disa hapa, u kthye, dhe zbriti aty ku kishte zbritur për herë të parë. Atëherë profeti (salAllahu alejhi ue selem) zbriti prej saj. Kjo ndodhi tek Benun-Nexhxhar. Ebu Ejubi barti gjësendet e të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem) në shtëpinë e tij. I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) e bleu tokën ku ndodhej xhamia e tij. Ajo kishte qenë më parë stalla e deveve të dy djemve jetima. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e bëri këtë vend xhami dhe kjo është xhamia e tij sot. Krahas saj ai ndërtoi shtëpitë e grave të tij.

Ndërsa Aliu (radijAllahu anhu) qëndroi në Meke për ti kthyer gjërat e njerëzve të cilat ata i kishin tek i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) dhe tek të tjerët. Pastaj edhe ai iu bashkua të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem).


1 Bejhaki në ”Dala’il-un-Nubuuah” (2/508). I dobët sipas Albanit në ”edh-Dha´ifah” (6508).

Shpërndaje: