Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

15.Vlera e diturisë gjatë fatkeqësive

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Mund të ndodh që kur injoranti të goditet nga ndonjë vështirësi të reagojë në mënyrë që janë të shëmtuara për t’i parë dhe dëgjuar, duke përfshirë veprimet të cilat në realitet kundërshtojnë caktimin e Allahut. Kjo rrjedh si shkak i asaj se robi i tillë është marrë me adhurime duke lënë anash përvetësimin e asaj sesi duhet reaguar në situata të tilla. Nganjëherë shohim se shumë njerëz në pamje të parë na duken se janë fetarë të mëdhenj e të devotshëm, ndërsa në anën tjetër bëjnë veprime skandaloze kur u vdes ndonjë i afërm duke grisur rrobat, duke goditur veten apo bëjnë veprime të cilat shprehin qartazi kundërshtimin me caktimin dhe përcaktimin e Allahut.

Ibnul-Xheuzi -rahimehullah- ka thënë: “Kam parë një mik timin të vjetër mosha e të cilit është afër 80 vjet. Ai njihej si fetar i madh i cili gjithmonë e falte namazin me xhemat. Kur nipi i tij vdiq, ai tha: “Nuk kemi se për çfarë të lutemi pasi që lutjet nuk po na pranohen.” Ai gjithashtu tha: “Edhe pse jemi këmbëngulës në lutjen tonë prapëseprapë po na vdesin fëmijët tanë.” Unë e kuptova se namazi dhe veprat e tij të mira që i bënte janë vetëm traditë e jo rezultat i imanit. Këta janë njerëz të cilët adhurojnë Allahun me kushte.

Pastaj Ibnul-Xheuzi -rahmetullahi- vazhdon duke thënë: “Xhaxhai im Muhamed bin Uthmani më ka treguar se kishte dëgjuar për një 80 vjeçar nga qyteti i Tilit, i cili nuk falte namazin pasi ishte falur shumë dhe kishte bërë shumë vepra të mira.

Ai e thirri atë dhe i tha: “O xhaxha, pse nuk falesh?”

Ai tha: Si të falem kur të gjithë fëmijët e mi kanë vdekur dhe të gjitha delet e mia kanë ngordhur? Nga tash e tutje nuk do të falë asnjë rekat të vetëm për Të.”

Pasi që e goditi plakun lehtësisht, e mori me vete dhe u shëtitën rreth qytetit, dhe pas kësaj ai gjithmonë falej në xhami.”

Nuk ka asgjë që është aq e dobishme sesa dituria. Nëse dijetari goditet nga ndonjë shqetësim apo fatkeqësi e rëndë, ai e di se ky është gabimi i tij dhe di sesi ta menaxhoj situatën. Ndërsa injoranti mendon se po ngrihet çdo herë kur në të vërtetë ecën drejt humnerës. Prandaj njeriu kur goditet nga ndonjë fatkeqësi duhet të shëroj veten me mjetet (lutjet dhe format tjera të kërkimit të ilaçit) e bazuara në sheriat.

Një fjalë e urtë thotë: “Njeriu gjatë fatkeqësive ose nderohet ose poshtërohet.”

I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: 

O Muhamed! Jeto sa të duash, një ditë do të vdesësh. Duaje kë të duash, një ditë do të ndahesh prej tij. Vepro çfarë të duash se ke për t’u shpërblyer për të.” Es-Sahihah (831).

Allahu na ruajt nga mungesa e durimit gjatë sprovave. Njeriu është në rrezik të madh nëse bie në kundërshtim me caktimin e Allahut. E lusim Allahun që të na dhuroj përfundim të mirë.


Hadithi i plotë:

Xhibrili erdhi tek unë dhe më tha: “O Muhamed! Jeto sa të duash, një ditë do të vdesësh. Duaje kë të duash, një ditë do të ndahesh prej tij. Vepro çfarë të duash se ke për t’u shpërblyer për të. Dije se me të vërtetë nderi i besimtarit është namazi i natës dhe krenaria e tij është mospasja nevojë për njerëzit.” Es-Sahihah (831).

Shpërndaje: