Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)
Një përmbledhje nga libri “esh-Shari’ah”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
125 – Ez-Zuhri ka thënë: “Nuk ka asnjë bidat që është më i dëmshëm për fenë se sa ky.” Do të thotë irxhaja.”
126 – Ebu Hamza Eth-Thimali El-A’uar ka thënë:
“I thashë Ibrahimit: “Çfarë mendon për mendimin e Murxhiave?” Ai tha: “Ah! Ata e kanë shpikur një ideologji. Unë ia kam frikën umetit nga e keqja e tyre. Ata kanë shumë të keqe në vetvete. Unë ta tërheq vërejtjen ndaj tyre!”
127 – Ejubi ka thënë:
“Seid bin Xhubejri më tha: “Unë të pash me Talkun.” Unë i thashë: “Po. Çfarë është puna me të?” Ai tha: “Mos u ulë me të. Ai është Murxhi.” Kurrë nuk e kam konsultuar atë në lidhje me irxhanë1. Muslimani ka të drejtë që të urdhërojë dhe të ndalojë vëllanë e tij nëse ai sheh diçka të urryer.”
128 – El-Fad’hl bin Zijad ka thënë:
“E kam dëgjuar Ebu Abdil-Lah Ahmed bin Hanbelin duke u pyetur në lidhje me Murxhiat. Ai tha: “Ata janë ata që thonë se imani është vetëm fjalë (pa vepra).”
129 – Selemeh bin Nubejt ka thënë:
“Hadithi “Ai që thotë “La ilahe ilAllah hyn në xhenet”, është përmendur në prani të edh-Dhahhak bin Muzahimit. Ai tha: “Kjo ishte para se ndëshkimet të përcaktoheshin dhe para se obligimet të detyroheshin.”
130 – Uaki ka thënë:
“Ehl-us-Sunneti thonë se imani është fjalë dhe vepër, Murxhiat thonë se imani është fjalë dhe Xhehmitë thonë se imani është njohje.”
131 – Nëse një person thotë se imani është vetëm fjalë, duhet t’i thuhet kjo në vijim:
Ti e ke refuzuar Kuranin, Sunnetin dhe konsensusin e dijetarëve. Ti ke braktisur konsensusin e muslimanëve dhe e bëre veten fajtor për mosbesim në Allahun.
Nëse ai thotë: “Si?”, thuaji atij:
Pasi që besimtarët kishin besuar, Allahu i urdhëroi ata që të falin namazin, të japin zekatin, të agjërojnë, të kryejnë haxhin, të dalin në xhihad dhe tjera. Pos kësaj ata ishin shumë të frikësuar se ata nuk do të jenë të papërsosur në to dhe prandaj të hyjnë në zjarr dhe të vuajnë dënim. Ai që pastaj pohon se Allahu i obligon besimtarët me këto vepra, pa dashur që ata t’i kryejnë ato dhe se Allahu është i kënaqur në qoftë se ata vetëm i shprehin me gjuhë ato, e ka kundërshtuar Allahun dhe të dërguarin e Tij ﷺ. Allahu ka thënë pasi e përsosi Islamin me dispozitat:
“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” El-Maide 5:3
Profeti ﷺ ka thënë :
“Islami është ndërtuar mbi pesë.”
Përveç kësaj, ai ﷺ tha:
“Ai që e lë namazin ka bërë kufër.”
Ai që thotë se imani është vetëm njohuri (me zemër) pa fjalë dhe vepër, ka ardhur me diçka më të rrezikshme se sa për të thuhet se imani është vetëm fjalë. Me anë të kësaj pohohet se edhe Iblisi është besimtarë sepse Iblisi e njeh Zotin e Tij. Ai (te ala) ka thënë:
”(Iblisi) Tha: ”Zoti im, për shkak se Ti më humbe mua e më fute në rrugë të shtrembër.” El-Hixhr 15:39
Po ashtu, kjo pohon se edhe jehudët gjithashtu janë besimtarë sepse ata gjithashtu kanë njohuri në lidhje me Allahun dhe të dërguarit të Tij ﷺ.
Allahu ka thënë:
”Atyre që ua kemi dhënë Librin, ata e njohin atë (Muhammedin) siç i njohin bijtë e vet.” El-Bekare 2:146
Duhet gjithashtu t’u thuhet atyre:
A nuk është dallimi në mes Islamit dhe kufrit vepra? Ne e dimë se kufarët dhe idhujtarët e dinin se Allahu krijoi qiejt dhe tokën dhe çfarë ka ndërmjet tyre. Ata e dinin se vetëm Allahu i shpëton ata kur ata hasin në vështirësi. Duke u bazuar në mendimin e tyre se imani është vetëm njohja me zemër, të gjithë këta janë të njëjtë, sikurse ai që thotë se imani është vetëm njohuri. Mallkimi i Allahut qoftë për personin që e ka këtë mendim!
132 – Ez-Zuhri ka thënë:
“Abdul-Melik bin Meruan më tha: “Çfarë thua në lidhje me hadithin “Ai që vdes pa i bërë shirk Allahut do të hyjë në xhenet”, edhe nëse ai vodhi”?” Unë i thashë: “O udhëheqës i besimtarëve, kjo ishte para urdhëresave dhe ndalesave. Kjo ishte para detyrimeve.”
133 – Kini kujdes – Allahu ju mëshiroftë! – ndaj atyre që thonë se imani i tyre është si imani i Xhibrilit dhe Mikailit, se ata janë besimtarë në Allahun dhe se ata kanë një iman të përsosur. Ky është besimi i Murxhiave!
134 – El-Euzai ka thënë:
“Tre çështje janë prej bidateve: të thuash “Unë jam besimtar me iman të plotë”, “Unë jam besimtar i vërtetë,” dhe “Unë jam besimtar tek Allahu (te ala)”. “
1 D.m.th nuk e pyeta Seid bin Xhubejrin se a të shoqërohem me atë Murxhi, por u pajtova menjëherë me qortimin që ma dha.