Imam Muhammed bin Muhammed el-Hanbeli el-Menbaxhi
Burimi: Teslijetu Ehlil-Mesaib, fq. 27-28
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Ai që është goditur me fatkeqësi në vetveten e tij, në fëmijë apo ndonjë të afërm tjetër, duhet gjatë kohës së sëmundjes ta përmend Allahun ‘Azze ue Xhel, të kërkojë falje dhe të bëjë adhurime në vend të rënkimeve. Selefët e urrenin që njeriu të ankohej tek njeriu. Edhe pse kjo mund ta lehtësojë paksa vështirësinë, mirëpo kjo është dobësi dhe ligësi e njeriut. Ndërsa të bësh durim, është rezultat i forcës dhe krenarisë. Kjo përhapë urtësinë e Allahut me robin dhe ndikon tek armiku i cili gëzohet për pikëllimin tuaj (ndërsa kjo bën që ai të mos ketë arsye për gëzim), gjithashtu ndikon në mëshirën e mikut tuaj (i cili pikëllohet kur ai të sheh duke rënkuar).
Ibn Ebi Dunja ka transmetuar se Ismail bin ‘Amr ka thënë: “Ne vizituam Uarka bin Umerin kur ai ishte në prag të vdekjes, ndërsa thoshte: “La ilahe il-lall-llah” dhe “Allahu-Ekber” dhe e bënte dhikr Allahun ‘Azze ue Xhel. Njerëzit e vizitonin atë dhe i jepnin selam ndërsa ai ua kthente selamin. Kur vizitorët u bënë të shumtë, ai i tha të birit: “O biri im! Më liro që të mos ua kthej atyre selamin. Ngase kjo po më pengon që ta përmend Zotin tim ‘Azze ue Xhel”.”
Ebu Muhamed el-Hariri ka thënë: “Isha tek Xhunejdi dy orë para se ai të vdiste. Mirëpo gjatë gjithë kohës ai lexonte Kuran dhe falte namaz. Unë i thashë atij: “O Ebul-Kasim! Ti je në një gjendje të vështirë!” Ai ma ktheu: “O Ebu Muhamed! Kjo është ora për të cilën unë kam nevojë më së shumti.” Ai vazhdoi kështu derisa u largua nga kjo jetë.”
Është transmetuar në një hadith se Iblisi sillet më së keqi ndaj njeriut para se ai të vdes. Atëherë ai u thotë bashkëpunëtorëve të tij: “Sulmojeni! Nëse ai ju shpëton kësaj here nuk do të keni mundësi për ta zënë më kurrë.”