Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

17.Çka është bidati dhe cilat janë llojet e tij?

Autor: Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di (v. 1376)
Shpjegues i librit: Alameh Ahmed bin Jahja en Nexhmi (v. 1429)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Berijjat ala Kitab Ahamm-il-Muhimmat, fq. 46-51
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di ka thënë:

Pyetja e shtatëmbëdhjetë: Çka është bidati dhe cilat janë llojet e tij?

Përgjigje: Bidati është e kundërta e sunnetit. Ai është dy llojesh:

1 – Bidati në besim. Ky është një besim që është i ndryshëm nga ai për të cilin Allahu dhe i dërguari i Tij na kanë informuar. Ky përmendet në fjalët e profetit :

“Umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe. Të gjithë ata do të jenë në zjarr përveç njërit.” Ata thanë: “Cili është ai grup, o i dërguari i Allahut?” Ai tha: “Ata që pasojnë atë që pasojë unë dhe shokët e mi sot.” 1

Ai që është sipas këtij përshkrimi pason sunnetin e pastër. Ai që pason sektet e tjera, është një bidatçi. Të gjitha bidatet janë devijime dhe ato ndryshojnë sipas largimit së tyre nga Sunneti.

2 – Bidati në vepër. Kjo do të thotë që të adhurosh në një mënyrë që as Allahu e as i dërguari i Tij nuk e kanë ligjësuar ose të ndalosh diçka që Allahu dhe i dërguari i Tij e kanë lejuar. Ai që adhuron në një mënyrë jo të ligjësuar ose ndalon një gjë që feja nuk e ka ndaluar është një bidatçi.”

Shpjegimi

Në aspektin gjuhësorë bidati është e kundërta e sunnetit. Përkufizimi i tij fetar është besim apo vepër që nuk është ligjësuar nga profeti . Autori e ndau bidatin në dy lloje:

1 – Bidat në besim.

2 – Bidat në vepër.

Bidati në besim është më i rëndë se sa bidati në vepër. Shembuj të bidateve në besim janë:

1 – Mohimi i emrave dhe cilësive të Allahut nga Xhehmitë.

2 – Mohimi i cilësive dhe kaderit të Allahut nga Mutezilitë, mendimi se Kurani është krijuar dhe mohimi se Allahu do të shihet në ditën e gjykimit.

3 – Mendimi i Murxhiave se mëkatarët e mëdhenj janë besimtarë me besim të plotë.

4 – Qëndrimi ekstrem i Shiave që kanë ndaj familjes së profetit me ç’rast ata i ngritën ata në një nivel që është më i lartë se niveli që ua ka dhënë Allahu (azze ue xhel). Në të njëjtën kohë ata i neglizhojnë gjithë sahabët e tjerë.

5 – Interpretimi i cilësive të Allahut (azze ue xhel) nga Esharitë.

Të gjitha këto që përmendëm janë bidate në besim dhe ato ndryshojnë. Disa janë kufër (dalje nga feja) sikurse të konsiderosh se Kurani është i krijuar. Të tjerat nuk janë aq të rënda si kjo, prandaj ato konsiderohen bidate që janë mëkate (jo kufër). Gjithashtu ato ndryshojnë; disa janë më të rënda dhe më larg nga e vërteta se sa të tjerat.

E njëjta gjë vlen edhe për bidatin e Tesavufit (të Sufive) i cili filloi në formën e përmbajtjes nga gjërat e kësaj bote dhe pastaj eskaloi në një nivel që është kufër (dalje nga feja) si dhe besimi se Allahu është në çdo vend, apo besimi se Ai është brenda krijesave. Të gjitha këto janë bidate në besim.

Bidati në vepër është dy lloje:

1 – Bidati në vepër që është shpikur dhe është në kundërshtim me sheriatin (Islam). Shembull të një bidati të tillë është adhurimi i Sufive me këngë, valle, përplasje dhe gjëra të tjera.

2 – Bidati shtesë, kur një gjë është e ligjësuar në parim, kurse bidatçiu i shton një formë që nuk është urdhëruar nga sheriati. Për shembull, është e ligjësuar dhe sunnet që të thuhet tesbih, tehmid, tekbir dhe tehlil pas namazit. Të thuash atë në mënyrë kolektive dhe njëzëri në kor së bashku është një shtesë. Kjo u bë, për shembull, nga ata që u falën në xhaminë e Kufës, ku Abdullah bin Mesudi i qortoi.

Edhe një shembull tjetër i një bidati të tillë është kur disa hizbijun vendosin mes tyre që të agjërojnë një ditë të caktuar së bashku dhe të bëjnë iftar tek një individ i caktuar.

E njëjta vlen edhe për t’i shtuar diçka të pa ligjësuar asaj që është ligjësuar apo të pasosh të tjerët në bidat. Të gjitha këto janë bidate.

Profeti ka thënë:

”Ai që kryen një vepër që nuk përputhet me fenë tonë, i refuzohet.” 2

”Ai që shpik diçka që nuk i përket fesë tonë ajo i refuzohet.” 3

Bidatçiu sikur e përmirëson të dërguarin e Allahut dhe në mënyrë indirekte thotë se ai di diçka që i dërguari i Allahut nuk dinte.

Malik bin Enesi (rahimehull) ka thënë:

”Ai që shpik një bidat dhe pohon se ai bidat është i mirë, e ka akuzuar Muhamedin për mashtrim.” 4

Prandaj është e detyrueshme të përmbajturit larg nga të gjitha llojet e bidateve qofshin të vogla apo të mëdha, qofshin në besim apo vepër. Gjëja më e mirë që një person mund të arrijë në këtë jetë është një jetë sipas sunnetit dhe duke iu shmangur kështu dënimit pas vdekjes.

Mbaje në mend se bidati i ndaluar është ai që lidhet me fenë. Bidatet (shpikjet) që kanë të bëjnë me gjërat e jetës nuk hyjnë në këtë kategori.


1 Transmeton Ibn Maxheh (3992), Tirmidhi (2641) dhe Ebu Daudi (4596). I mirë sipas Albanit në ”Mishkat-ul-Mesebih (171)”.

2 Bukhari (2697).

3 Muslimi (1718).

4 el-I’tisam (1/297) nga esh-Shatibi.

Shpërndaje: