Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

17.Larja para hyrjes në Mekë

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Manasik-ul-Haxh uel-Umrah, fq. 19-20

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

21 – Ai që e ka të lehtë të lahet përpara se të hyjë në Mekë, duhet të lahet. Gjithashtu, ai duhet të pasojë të dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem) dhe të hyjë në qytet gjatë ditës1.

22 – Hyrja duhet të jetë nga ana e derës Mu’allah. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) hyri nga kodrina e ngritur Kada”2 që ngrihet mbi varrezat. Duke pasur parasysh se dera e Benu Shejbeh është më afër gurit të zi, ai (salAllahu alejhi ue selem),  hyri nëpërmjet saj.

23 – Megjithatë, lejohet hyrja në Mekë nga të gjitha drejtimet.

Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Të gjitha rrugët e gjera në Mekë janë një rrugë dhe një vend ku theret kurbani.”

Në një hadith tjetër thuhet:

“Meka e tërë është një rrugë; këtu hyhet dhe dilet atje.”3

24 – Mos harro të hysh në xhaminë me këmbën e djathtë dhe të thuash:

اللَّهُمَّ صَلِّ عَلَى مُحَمَّدٍ اللهُمَّ افْتَحْ لِي أَبْوَابَ رَحْمَتِكَ

 “O Allah, dërgo salavate dhe selame mbi Muhammedin. “O Zoti im, m’i hap dyert e mëshirës Tënde.”4

ose:

أَعُوذُ باللهِ الْعَظِيم وَبِوَجْهِهِ الْكَرِيمِ وَبِسُلْطَانِهِ الْقَدِيمِ مِنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيمِ

“Kërkoj mbrojtje tek Allahu i Madhërishëm, përmes fytyrës së Tij të ndershme dhe me fuqinë e Tij të përhershme ndaj shejtanit të mallkuar.”5

25 – Në shikim e parë të Qabes, ai që dëshiron i lejohet të ngre duart e tij. Kjo është konfirmuar nga Ibn Abbasi6.

26 – Në këtë kontekst, nuk ka asnjë lutje të posaçme të konfirmuar nga profeti (salAllahu alejhi ue selem). Pra, lutesh me atë që di. Gjithashtu, konsiderohet të jetë e mirë që të lutesh me lutjen e konfirmuar të Umerit (radijAllahu anhu):

اللَّهُمَّ أَنْتَ السَّلاَمُ وَمِنْك السَّلاَمُ فَحَيِّنا رَبَّنا بالسلام

“O Allah! Ti je i përsosur pa të meta dhe nga Ti vjen shpëtimi. Na jep, Zoti ynë, një jetë me shpëtim.”7


1 Transmetuar nga Bukhari (779) me shkurtimin tim dhe “Sahih Ebi Davud” (1630).

2 Transmetuar nga Bukhari ((780) me shkurtimin tim) dhe “Sahih Ebi Davud” (1929).

3 Transmetuar nga el-Fakihi me një zinxhir të mirë transmetimi.

4 Shih librin e Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijes “el-Kelim et-Tajjib”, fq. 51-52, me verifikimin dhe korrigjimin tim.

5 Transmetuar nga Ibn Ebi Shejbeh me një zinxhir transmetues autentik. Të tjerë e kanë transmetuar atë nga i dërguari (salAllahu alejhi ue selem) me një zinxhir të dobët të transmetimit, e cila është bërë e qartë në “edh-Dha’ifah” (1054).

6 Transmetuar nga el-Bejhaki (5/72) me një zinxhir të mirë të transmetimit nga Se’id bin el-Musejjeb i cili tha:

“E pashë Umerin të bëjë diçka të cilën nuk e kam parë askë duke bërë. Kur e pa Qaben, e pashë …”

Nëpërmjet një zinxhiri të mirë të transmetimit ai gjithashtu transmetoi se Se’id bin el-Musejjeb e kishte zakon të bënte këtë. Po kështu, Ibn Ebi Shejbeh (4/97) e ka transmetuar këtë nga të dy.

7 Një hoxhë i ndershëm e komentoi në librin e tij “El-Manasik uez-Zijarat” se veprimi nuk është transmetuar nga i dërguari (salAllahu alejhi ue selem). Megjithatë, pohimi i tij është një lëshim nga ai. Unë e kam verifikuar vërtetësinë e tij në “el-Irua” (1112).

Shpërndaje: