Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

18.Pajtohu me atë që të ka goditur!

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Në qoftë se i godituri me fatkeqësi mbështetet në Allahun, duron dhe shpreson shpërblimin e Tij, gjithashtu shpreson se Allahu do t’ia zëvendësojë atë që ka humbur, Allahu nuk do ta lerë atë duarbosh. Përkundrazi Allahu do t’ia zëvendësoj me diçka edhe më të mirë.

Siç edhe thuhet: “Çdo gjë që humbet mund të zëvendësohet përveç Allahut!”

Dije se përballimi i fatkeqësisë në vazhdim varet nga ajo sesi është mbështetja e njeriut në Allahun. Ai që kënaqet me sprovën do të fitojë kënaqësi, ai që zemërohet me të do ta godet zemërimi. Prandaj ti zgjidh atë që e dëshiron!

Nëse shfaq zemërim dhe mosmirënjohje, ti je prej të humburve! Nëse shfaq pikëllim dhe neglizhencë kundrejt kryerjes së obligimeve ndaj Allahut dhe respektimit të ndalesave të Tij, atëherë je prej neglizhuesve (ndaj detyrave fetare). Nëse ankohesh dhe shfaq mungesë të durimit dhe kënaqësisë, je prej njerëzve jo të drejtë. E nëse shfaq kundërshtim ndaj Allahut dhe flet keq në lidhje me urtësinë e Tij dhe gjithashtu polemizon rreth përcaktimit, atëherë, je duke trokitur në derën e kufrit!

Andaj ke kujdes që të mos bie mbi ty ndëshkimi i Allahut ngase Ai është i Vetëdijshëm në lidhje me ata që kundërshtojnë Atë.

Në të kundërtën nëse shfaq durim dhe stabilitet për hir të Allahut, atëherë me të vërtetë je prej durimtarëve. E nëse shfaq kënaqësi (ndaj caktimit të Allahut) dhe je falënderues ndaj Tij, atëherë je në mesin e falënderuesve dhe të lavdëruarve tek Ai. Nëse shfaq dashuri dhe mall për ta takuar Atë, atëherë je prej atyre që sinqerisht e donë Allahun!

Mahmud bin Lubejd -radijAllahu anhu- rrëfen se profeti ka thënë:

“Nëse Allahu e do një popull, e sprovon atë. Kush është i kënaqur me Allahun në fatkeqësi, edhe Allahu është i kënaqur me të, ndërsa kush hidhërohet, Allahu hidhërohet me të.

Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhi (2396), hadithi është autentik sipas Albanit në Sahih Sunen Et-Tirmidhi (2396).

Ilaçi më i dobishëm të cilin mund ta marrë njeriu është që të pajtohet dhe të jetë i kënaqur me Zotin, Krijuesin e vetë dhe me atë që Allahu e do apo është i kënaqur me të. Kjo sepse nga veçoritë e dashurisë është që ta duash atë që i dashuri e do. Andaj kushdo që pretendon se e do dikë dhe pastaj urren atë që i dashuri do apo e do atë që i dashuri urren, ai ka dëshmuar kundër vetvetes së tij se ai është duke gënjyer dhe të njëjtën kohë ka zemëruar të dashurin e tij.

Ebu-Derda -radijAllahu anhu- ka thënë: “Kur Allahu bën një veprim, dëshiron që njerëzit të kënaqen me të!”

Imran bin Husejn -radijAllahu anhu- në prag të vdekjes ka thënë: “Dua më së shumti atë që Ai do më së shumti.”

Pas kësaj Ebul-Alijeh tha: “Ky është ilaçi dhe kurimi për ata që e duan Allahun por të gjithë nuk munden të kurojnë vetvetet e tyre në këtë mënyrë.”

Shiko këto mënyra të ndryshme të zgjedhjes së asaj që të bën dobi dhe zgjidh vetë. Allahu na udhëzoftë neve dhe ty drejt gjërave që Ai i do.

Shpërndaje: