Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

18.Shtylla e tretë e namazit

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtez
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam dhe Imam Muhamed ibn Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

Leximi i sures el-Fatihah është shtyllë në çdo rekat. Hadithi thotë:

“Ai që nuk e lexon hyrjen e librit (El-Fatihan) nuk ka namaz.” 

Transmeton Bukhari (756) dhe Muslimi (394).

Do të thotë hyrja e Kuranit. 

”Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”

Kjo është një lutje për bekim dhe kërkim ndihme.

”Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.” El-Fatihah, 1:2

Hamdi dhe lavdërimi janë lëvdatë. Që kjo është përmendur në formën shquese (ال) tregon gjitha fjalët lavdëruese.

Zoti është i Adhuruari, Krijuesi, Furnizuesi dhe Poseduesi, i Cili mbikëqyr të gjitha krijesat.

Krijesat janë gjithçka përveç Allahut. Ai është Zoti i të gjithëve.

”Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” El-Fatihah, 1:3

I Gjithëmëshirshmi i Cili e ka mëshirën e gjerë dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha krijesat.

Mëshiruesi i besimtarëve. Argumenti për këtë janë fjalët e Allahut -te ala-:

”Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.” Ahzab, 33:43 

”Sunduesit të ditës së gjykimit!” El-Fatihah  1:4

Do të thotë në ditën e përgjegjësisë-shpërblimit, atëherë të gjithë shpërblehen për veprat e tyre, ai që veproi punë të mira shpërblehet me të mira dhe ai që veproi punë të këqija dënohet. Argument për këtë janë fjalët e Tij -te ala-:   

”E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është dita e gjykimit? Edhe njëherë: Kush do të ta shpjegojë ty se ç’është dita e gjykimit? Ajo është dita kur askush nuk do të ketë fuqi për të bërë gjë për ndonjë tjetër dhe, kur pushteti do të jetë vetëm i Allahut.Infitar, 82:17-19

Në hadith thuhet:

”I mençuri gjykon veprat e tij dhe vepron për jetën pas vdekjes. I paafti pason epshin e tij dhe ka shpresa të rrejshme rreth Allahut.”

Transmeton Tirmidhi (2459) i cili tha se hadithi është i mirë, Ibn Maxheh (4260), Ahmedi (17123) dhe Hakimi (1/57) i cili e vërtetoi hadithin. I dobët sipas Albanit në ”Daif Sunen et-Tirmidhi (263)”. 

”Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” El-Fatihah, 1:5

Ne nuk e adhurojmë askënd tjetër përveç Teje. Besa mes robit dhe Zotit të tij është që ai të mos e adhuroj dikë tjetër përveç Tij dhe që të mos i kërkoj ndihmë askujt tjetër përveç Tij.

”Udhëzona në rrugën e drejtë!” El-Fatihah, 1:6

Na oriento, na udhëzo dhe na jep qëndrueshmëri në të. Rruga e drejtë është Islami. Një shpjegim thotë se rruga e drejtë është i dërguari ﷺ. Një shpjegim tjetër thotë se është Kurani. Të gjitha shpjegimet janë të sakta. Rruga e drejtë është rruga e cila nuk ka lakesa.

”Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi.” El-Fatihah, 1:7

Rruga e të begatuarve. Argument për këtë janë fjalët e Allahut -te ala-:

Kushdo që i bindet Allahut dhe të dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” En-Nisa, 4:69

”…e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd…” El-Fatihah, 1:7

Ata janë jehudët. Ata kanë dije të cilën nuk e praktikojnë. Duhet të lutësh Allahun që të mbrojë nga rruga e tyre.

”…as në të atyre që janë të humbur!” El-Fatihah, 1:7

Ata janë nasarat. Ata e adhurojnë Allahun me injorancë dhe devijim. Duhet të lutësh Allahun që të mbrojë nga rruga e tyre. Argument se ata janë të devijuar janë fjalët e Allahut -te ala-: 

Thuaj: “A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira? El-Kehf, 18:103-104

Profeti ﷺ ka thënë:

”Ju do të pasoni rrugën e atyre që kanë jetuar para jush sikurse radhët e shigjetave, po të kishin hyrë në zgavër të hardhucës, ju do t’i pasonit.”

Ne i thamë: ”O i dërguari i Allahut, jehudët dhe nasarat?”

Ai u përgjigj: ”Kë tjetër?” 

Transmeton Bukhari (4356) dhe Muslimi (2669).

Hadithi i dytë thotë:

”Jehudët u ndanë në shtatëdhjetë e një grupe. Nasarat u ndanë në shtatëdhjetë e dy grupe. Umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe. Të gjithë do të hyjnë në zjarr përveç njërit.”

Ata thanë: ”Cili është ai grup, o i dërguari i Allahut?”

Ai tha: ”Ata që pasojnë atë që unë dhe shokët e mi pasojmë.”

Transmeton Ibn Maxheh (3992), Tirmidhi (2641) dhe Ebu Daudi (4596). I mirë sipas Albanit në ”Mishkat-ul-Mesebih (171)”.

Shpjegimi:

Pastaj thotë:

”Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”

duke kërkuar ndihmën e Allahut. Allahu -subhanehu ue te ala- është Ai që duhet të adhurohet nga të gjitha krijesat. I Gjithëmëshirshmi i Cili e ka mëshirën e gjerë dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha krijesat. Mëshiruesi i besimtarëve.

”Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.”

”Allahu është Përdëllimtar dhe i Mëshirshëm me njerëzit.” El-Bekare, 2:143

”Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve!”

Sikurse u tha hamdi dhe lavdërimi janë lëvdatë. Zoti i krijesave është Zoti i të gjitha botëve.

”Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”

I Gjithëmëshirshmi posedon mëshirë të gjerë. Mëshirëploti ka mëshirë të veçantë për besimtarët. 

”Sunduesit të ditës së gjykimit!”

Do të thotë ditën e shpërblimit dhe ditën e përgjegjësisë. Ai zotëron ditën e shpërblimit dhe ditën e përgjegjësisë.

Allahu -te ala- ka thënë:

”E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është dita e gjykimit? Edhe njëherë: Kush do të ta shpjegojë ty se ç’është dita e gjykimit? Ajo është dita kur askush nuk do të ketë fuqi për të bërë gjë për ndonjë tjetër dhe, kur pushteti do të jetë vetëm i Allahut!”

Dita e gjykimit është pikërisht dita e shpërblimit dhe dita e përgjegjësisë. Në hadith thuhet:

”I mençuri gjykon veten e tij dhe vepron për jetën pas vdekjes. I paafti pason epshin e tij dhe ka shpresa të rrejshme rreth Allahut.”

I mençuri dhe i zgjuari e gjykon veten e tij dhe punon seriozisht për jetën pas vdekjes. I paafti është dembeli që pason epshin e tij dhe ka shpresa të rrejshme për Allahun. Ky hadith nuk është i fortë për nga saktësia. 

”Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë!”

Vetëm Ty, o Zot, të adhurojmë. Ne të nënshtrohemi vetëm Ty. Adhurimi është të bësh të gjitha ato që Ai ka urdhëruar sikurse namazi dhe agjërimi. Vetëm Ty të kërkojmë ndihmë në të gjitha gjërat tona të fesë dhe jetës. Ne të kërkojmë ndihmë, o Zot, për çdo gjë. Kjo dëshmon se robi e ka obligim që ta adhurojë dhe t’i kërkojë ndihmë vetëm Zotit të tij. Kjo është e sakta. Detyra e robit është që ta adhurojë vetëm Allahun.

Allahu -te ala- ka thënë:

”Andaj, lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të, edhe nëse këtë e urrejnë kufarët!Gafir, 40:14

”O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat).”El-Bekare, 2:21

”Udhëzona në rrugën e drejtë!”

Na oriento, na udhëzo dhe na bëj të qëndrueshëm në të. Udhëzim do të thotë orientim dhe qëndrueshmëri. Rruga e drejtë është rruga që Allahu e ka bërë obligim për robërit e Tij, e cila shpie tek Ai. Kjo është rruga e drejtë e Tij me të cilin Ai e ka dërguar profetin e Tij ﷺ. Rruga e drejtë është ajo që nuk ka lakesa dhe është të kapurit për Kurani dhe sunneti. 

”Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi.”

Ata janë të dërguarit dhe pasuesit e tyre, dijetarët veprues. Ata janë në rrugën e drejtë, një rrugë në të cilën ecin të begatuarit. Ata janë njerëz që dinë dhe veprojnë.

Ai -subhaneh- ka thënë:

”Kushdo që i bindet Allahut dhe të dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!”

Këta janë të begatuarit; të dërguarit dhe pasuesit e tyre.

”…e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd…”

Ata janë jehudët, zemërimi i Allahut i ka goditur ata për shkak të mohimit të tyre, zilisë dhe padrejtësisë së tyre. 

”…as në të atyre që janë të humbur!”

Ata janë nasarat. Ata adhurojnë me injorancë. Sëmundja e jehudëve është kryeneçësia dhe inati edhe pse ata e dinë të vërtetën. Sëmundja e nasarave është injoranca. Pra kështu është në parim.

Allahu -te ala- ka thënë:

Thuaj: “A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?

Kështu përshkruhen nasarat.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Ju do të pasoni rrugën e atyre që kanë jetuar para jush sikurse radhët e shigjetave, po të kishin hyrë në zgavër të hardhucës, ju do t’i pasonit.”

Ne i thamë: ”O i dërguari i Allahut! Jehudët dhe nasarat?”

Ai u përgjigj: ”Kë tjetër?”

Do të thotë njerëz të cilët janë goditur nga zemërimi dhe devijimi. Shumica e kanë gabuar rrugën e tyre kur ata braktisën të vërtetën për të pasuar epshet. Ndonjëherë e kanë bërë me qëllim, e nganjëherë e kanë bërë për shkak të injorancës.

Allahu -te ala- ka thënë:

”Shumica e njerëzve, sado që të dëshirosh ti, nuk janë besimtarë.” Jusuf, 12:103

”Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.” Sebe, 34:13

Në hadithin e dytë, profeti ﷺ tha:

“Jehudët u ndanë në shtatëdhjetë e një grupe. Nasarat u ndanë në shtatëdhjetë e dy grupe. Dhe umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe. Të gjithë do të hyjnë në zjarr përveç njërit.”

Ata thanë: ”Cili është ai grup o i dërguari i Allahut?”

Ai tha: ”Ata që pasojnë atë që unë dhe shokët e mi pasojmë sot.”

Transmeton Ibn Maxheh (3992), Tirmidhi (2641) dhe Ebu Daudi (4596). I mirë sipas Albanit në ”Mishkat-ul-Mesebih (171)”.

E njëjta gjë vlen edhe për jehudët; ata u ndanë në shtatëdhjetë e një grupe, të gjithë do të hyjnë në zjarr përveç njërit. Këta ishin pasuesit e Musait ﷺ në kohën e tij dhe pas kohës së tij. Nasarat u ndanë në shtatëdhjetë e dy grupe ku të gjithë do të hyjnë në zjarr përveç njërit. Këta ishin pasuesit e Isait ﷺ dhe të Musait ﷺ; pasuesit e profetëve. Të gjithë të tjerët shkatërrohen. Në umetin e Muhamedit ﷺ, pasuesit e tij ﷺ janë Grupi i Shpëtuar. Të gjithë të tjerët që e kundërshtojnë atë janë shkatërruar.

Shpërndaje: