Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

18.Thirrja e Musait ﷺ

Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali

Burimi: Menhexh-ul-enbija fid-Da’uah ila Allah, fq. 66-67

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

I katërti prej tyre ishte Musai ﷺ, i fuqishmi, besniku, të cilit Allahu i foli me fjalë. Ne mund të shohim se si thirrja e tij ishte e përqëndruar në teuhid dhe përfshinte dritat e udhëzimit dhe të urtësisë. Musai ﷺ u rrit në pallatin e shtypësit më të madh, i cili pretendonte se meritonte të adhurohej. Aty ai përjetoi dhe dëshmoi të gjitha llojet e fesadit, kufrit, tiranisë, padrejtësisë dhe diktaturës. Ai pa skllavërimin e popullit të tij, nënçmimin, poshtërimin nga njerëzit dhe vrasjen e djemve të tyre aq sa asnjëherë më parë njerëzimi nuk kishte përjetuar një shtypje të ngjashme.

Allahu (te ala) ka thënë:

إِنَّ فِرْعَوْنَ عَلَا فِي الْأَرْضِ وَجَعَلَ أَهْلَهَا شِيَعًا يَسْتَضْعِفُ طَائِفَةً مِّنْهُمْ يُذَبِّحُ أَبْنَاءهُمْ وَيَسْتَحْيِي نِسَاءهُمْ إِنَّهُ كَانَ مِنَ الْمُفْسِدِينَ

“Vërtet që Faraoni e ngriti shumë lartë veten në tokë dhe i ndau njerëzit në grupe duke e dobësuar dhe shtypur një grup prej tyre (bijtë e Israilit), duke vrarë bijtë e tyre dhe duke i lënë gjallë gratë. Vërtet që ai qe prej shkatërrimtarëve.”1

Populli i Faraonit ishte padyshim popull idhujtar. Pra nga do ta fillonte Musai thirrjen e tij? A ishte thirrja e tij e drejtuar në korrigjimin e besimit të këtij populli idhujtar? Apo ai e filloi thirrjen e tij duke kërkuar të drejtat e popullit të tij, të kontestonte regjimin, të përpiqej të formonte shtet Islamik dhe të luftonte për marrjen e pushtetit nga duart e tiranëve në krye të cilëve ishte Faraoni i cili kërkonte që ta adhuronin? Musai e filloi thirrjen e tij siç kishin bërë etërit dhe vëllezërit e tij nga profetët e mëparshëm. Zoti i tij i mësoi atij parimin themelor të reuhidit dhe e zgjodhi atë për të përcjellë mesazhin e Tij dhe për ta adhuruar Atë.

Allahu (te ala) ka thënë:

وَهَلْ أَتَاكَ حَدِيثُ مُوسَى إِذْ رَأَى نَارًا فَقَالَ لِأَهْلِهِ امْكُثُوا إِنِّي آنَسْتُ نَارًا لَّعَلِّي آتِيكُم مِّنْهَا بِقَبَسٍ أَوْ أَجِدُ عَلَى النَّارِ هُدًى فَلَمَّا أَتَاهَا نُودِي يَا مُوسَى إِنِّي أَنَا رَبُّكَ فَاخْلَعْ نَعْلَيْكَ إِنَّكَ بِالْوَادِ الْمُقَدَّسِ طُوًى وَأَنَا اخْتَرْتُكَ فَاسْتَمِعْ لِمَا يُوحَى إِنَّنِي أَنَا اللَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدْنِي وَأَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي إِنَّ السَّاعَةَ ءاَتِيَةٌ أَكَادُ أُخْفِيهَا لِتُجْزَى كُلُّ نَفْسٍ بِمَا تَسْعَى

A e ke dëgjuar historinë e Musait? Kur pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: “Rrini këtu sepse pashë një zjarr mbase mund t’ju sjell që andej ndonjë urë të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes”. Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: “O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi këpucët se ti me të vërtetë ndodhesh në luginën e shenjtë Tu’ua. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje prandaj vetëm Mua më adhuro dhe kryeje faljen për të më kujtuar Mua! Ora (e kijametit) do të vijë me siguri por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë.”2

Kështu filloi mesazhi i tij, i përqëndruar në çështjen e teuhidit. Allahu e obligoi atë që t’i nënshtrohej këtij besimi dhe ta pasqyronte në jetën e tij. Pastaj ai u obligua që t’i thërriste të tjerët drejt këtij parimi madhështor. Allahu e dërgoi atë te Faraoni dhe ia bëri të qartë atij metodologjinë e saktë të thirrjes dhe rrugën e urtë të saj të cilën ai do ta zbatonte mbi Faraonin.

Allahu (te ala) ka thënë:

اذْهَبْ إِلَى فِرْعَوْنَ إِنَّهُ طَغَى قُلْ هَل لَّكَ إِلَى أَن تَزَكَّى وَأَهْدِيَكَ إِلَى رَبِّكَ فَتَخْشَى

“Shko te Faraoni, se me te vërtetë ai i ka kaluar të gjithë kufijtë.” Dhe thuaj atij: “A do ta pastrosh veten (duke braktisur shirkun dhe duke iu nënshtruar Allahut me teuhid)? Dhe që unë të të udhëzoj ty drejt Zotit tënd e t’i frikësohesh Atij.”3


1 28:4.

2 20:9-15.

3 79:17-19.

Shpërndaje: