Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

19.Selefët dhe fatkeqësitë

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ibn Ebi Hatim transmeton në tefsirin e tij nga Khalid bin Jezid, e ky nga Ijad bin Ukbe se djali i tij kishte vdekur, emri i të cilit ishte Jahja. Kur Khalidi zbriti në varr për ta futur djalin e tij në të, një burrë i tha atij: “Betohem në Allahun se ai ishte zotëria i ushtrisë, andaj, bëhu i durueshëm dhe shpreso tek Allahu shpërblimin e Tij!”

Ai tha: “Çfarë më pengon që të jem i durueshëm dhe të shpresoj në shpërblimin e Allahut kur ky ishte nga stolitë e kësaj jete, kurse tani është prej të mirave që mbeten përherë?!”

Ky njeri ishte i durueshëm me caktimin e Allahut dhe shpresoi shpërblimin e Tij. Sa mirë e kishte kuptuar këtë gjë dhe sa mirë që e ngushëllonte veten duke shpresuar shpërblimin që Allahu ua ka caktuar durimtarëve?!

Thabit ka treguar se kur Abdullah bin Mutarrif kishte vdekur, babai i tij Mutarrifi doli në mesin e njerëzve i veshur me rroba të bukura, njerëzit u zemëruan kur e panë atë dhe i thanë: “Ti del nga shtëpia i veshur me rroba të bukura dhe i lyen flokët me vaj pas vdekjes së Abdullahut!”

Ai u përgjigj: “A të varrosi veten time për këtë kur e di se Zoti im më ka premtuar shpërblim të madh për këtë fatkeqësi, shpërblim i cili është më i dashur tek unë sesa tërë bota. Allahu -te ala- ka thënë:

“…të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” El-Bekare, 2:156-157

A të varrosi veten time pas kësaj?”

Muhamed bin Khalef ka thënë: “Ibrahim El-Harbi i vdiq një djalë i cili ishtë njëmbëdhjetë vjeçarë. Djali kishte mësuar Kuranin përmendësh dhe kishte fituar shumë dije, sidomos në çështje të fikhut. Kur shkova tek ai për t’i shprehur ngushëllimet e mia.

Ai më tha: “Unë dëshiroja që djali im të vdesë!”

Unë i thashë: ”O Ebu Is’hak, ti je njeriu më i dijshëm mbi faqen e dheut andaj si mund të thuash një gjë të tillë në lidhje me këtë djalë të cilit i ke mësuar aq shumë hadithe dhe shkencat e saj dhe shumë çështje të fikhut?”

Ai u përgjigj: “Po. Ëndërrova se ndodhi dita e gjykimit. Unë pashë se fëmijët bartnin enë të ujit dhe u jepnin njerëzve për të pirë. Ishte një ditë vapa e së cilës ishte shumë e lartë.

Njërit prej fëmijëve i thash: “Më jep të pijë pak ujë!”

Fëmija më shikoi dhe më tha: “Ti nuk je babai im.”

Unë iu thashë: “Kush jeni ju?”

Fëmija u përgjigj: “Ne jemi fëmijët që vdiqëm në dynja dhe lemë pas nesh prindërit tanë andaj ne i presim ata dhe u japin atyre ujë!” Kjo ishte arsyeja pse dëshiroja që ai të vdes.”

Transmeton Ibn Asakir me zinxhirin e tij të transmetimit nga Suhejl bin El-Handhaleh El-Ensari -radijAllahu anhu- të cilit Allahu nuk i kishte dhuruar fëmijë, se ai ka thënë: “Që të kem një fëmijë i cili do të vdiste qoftë edhe duke u abortuar në mënyrë që të duroj dhe të shpresoj shpërblim e Allahut për këtë do të ishte më e dashur tek unë sesa kjo jetë dhe gjithçka ka në të.” Ibnul-Handhaleh -radijAllahu anhu- ishte njëri prej atyre që iu besatua profetit ﷺ tek pema.

Ibn Asakir gjithashtu transmeton nga Lejth bin Sad i cili ka thënë: “Më ka treguar Zejd bin Ebi Habib se përderisa biri i Ijad bin Ukbes ishte në prag të vdekjes dhe Ijadi ishte në udhëtim, nëna e djaloshit i tha atij: “Po të kishte qenë këtu Ebu Uehb (Ijadi) do të ishte gëzuar.”

Kur Ijad bin Ukbe ishte në prag të vdekjes, ai i tha vëllait të tij, Ebu Ubejdit: “Ti je fitimtar! Unë kam shpresuar se ti do të vdesësh para meje në mënyrë që unë të bëj durim me vdekjen tënde dhe të shpresoj shpërblimin e Allahut.”

Ebu Muslim El-Khaulani ka thënë: “Që të kem një djalë i cili do të ishte nën mbikëqyrjen e Allahut (është i udhëzuar) dhe të cilin do ta dua shumë, e kur të arrij moshën rinore Allahu ta merr atë, do të ishte më e dashur për mua sesa e gjithë kjo botë dhe çfarë ka në të.”

Ebul-Hasen El-Medainij ka thënë: “Një herë prej herësh, Umer bin Abdil-Azizi hyri tek dhoma e njërit prej bijve të tij i cili ishte duke përjetuar dhimbje të mëdha.

E pyeti: “Si ndjehesh?”

Ai u përgjigj: “Me të vërtetë, po shihet gjendja ime!”

Ai i tha: “Biri im i dashur, preferoj që ti të jesh në peshoren time sesa unë të jem në peshoren tënde.”

Biri iu përgjigj: “Babai im, preferoj që të realizohet dëshira jote para dëshirës sime.”

Transmeton Ibn Ebi Shejbe se Thabit El-Bunenij ka thënë: “Siletu bin Ushejm dhe biri i tij ishin pjesëmarrës në një betejë. Siletu i tha atij: “O biri im, shko përpara dhe lufto në mënyrë që të vritesh në mënyrë që të shpresoj shpërblimin për durimin tim!”

Ai veproi kështu dhe luftoi derisa u vra. Të njëjtën gjë e bëri edhe babai i tij derisa u vra edhe ai. Kur gratë shkuan tek gruaja e tij Muadheh El-Adherijjeh, ajo iu tha: “Nëse keni ardhur për të më uruar, jeni të mirëseardhura. Nëse keni ardhur me ndonjë qëllim tjetër, atëherë kthehuni nga keni ardhur.”

Kethir bin Temim Ed-Darij ka thënë: “Isha duke ndenjur me Seid bin Xhubejrin kur biri i tij Abdullahu erdhi, i cili posedonte dituri të thellë. Në atë rast, Seid bin Xhubejri tha: “Unë e di se çfarë është më mirë për të.”

Ata thanë: “Çfarë?”

Ai tha: “Që ai të vdes në mënyrë që unë të shpresoj shpërblimin e Allahut duke duruar.”

Umer bin Mejmun bin Mahrani ka thënë: “Përderisa unë dhe babai im bënim tavaf rreth Qabesë, papritmas ai takoi një burrë të moshuar të cilin e përqafoi. Njeriu i moshuar kishte një djalë me vete i cili ishte në moshën time.

Babai im i tha atij: “Kush është ky?”

Ai u përgjigj: “Biri im.”

Babai im e pyeti: “Sa i kënaqur je me të?”

Ai u përgjigj: “O Ebu Ejub, nuk ekziston një veçori e mirë veçse e gjej tek ai përveç njërës!”

Babai im tha: “Cila është ajo?”

Ai tha: “Unë dua që ai të vdes para meje në mënyrë që të shpërblehem për durimin tim.”

Pasi që u ndanë, e pyeta babanë tim se kush ishte ai?

Ai tha: ”Mekhuli.”

Qëllimi nga e gjithë kjo që ne cekëm është se kjo gjendje është madhështore dhe fisnike për atë që dëshiron që ta godasin fatkeqësitë dhe të gëzohet për shpërblimin që vijon. Askush nuk e dëshiron këtë përderisa ta dijë se çfarë force dhe durimi posedon.

Kur të pohosh diçka (kur të kërkosh që Allahu të të sprovojë me diçka), duhet t’i dilet zot pohimit (duhet të jesh i durueshëm). Por shpeshherë ndodh që njeriu nuk mund t’i dalë zot kësaj. Suhnuni -rahimehullah- e kishte zakon të thoshte: “Unë jam i kënaqur me çdo gjë që Ti ke caktuar për mua andaj më sprovo me gjithçka që Ti dëshiron.” Pastaj Allahu e sprovoi me një sprovë të rëndë, ai nuk mund të urinonte. Ai nuk i përpalloi kësaj, shkonte tek fëmijët dhe u thoshte atyre: “Lutuni për xhaxhanë tuaj rrenacak.”

Rruga më e mirë që duhet ndjekur në lidhje me të goditurit e sprovave është që t’i përmbahemi fjalëve të profetit ﷺ:  

“Mos e dëshironi takimin me armikun, por kërkojini Allahut mirëqenie!”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

Dije se qëllimi me pasardhësit pa marrë parasysh se a kërkon t’i humbasësh apo që ata të jenë shëndosh e mirë, është që ti të shpërblehesh për çfarëdo gjendje kur qëllimin e ke të pastër sepse veprat shpërblehen sipas qëllimit. Është konfirmuar se Umer bin Khatabi -radijAllahu anhu- ka thënë: “Nuk ka asnjë nga gratë e mia, asgjë nga pasuria ime dhe asnjë nga fëmijët e mi veçse dua të them për ta: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Përjashtimi i vetëm është Abdullah bin Umeri për të cilin dua që të mbetet në mesin e njerëzve.”

Ajo që e mbështet këtë janë fjalët e profetit ﷺ që transmetohen në Sahihun e Muslimit (1631):

“Kur njeriu vdes i ndërpriten veprat e tij, përveç tre gjërave: sadakaja e rrjedhshme, dija e dobishme (nga e cila përfitojnë njerëzit), ose një fëmijë i devotshëm që lutet për të.”

Dhe në një hadith tjetër të transmetuar nga Enes ibn Maliku -radijAllahu anhu- i cili rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë: 

“Shpërblimi i shtatë veprave vazhdon t’i vijë robit edhe pas vdekjes së tij: “Ai që ua mëson njerëzve dijen fetare, ai që hap një lum, ai që hap një pus, ai që mbjellë një pemë, ai që ndërton një xhami, ai që lë trashëgimi një Kuran ose ai që lë një fëmijë që kërkon falje prej Allahut për të pas vdekjes së tij.”

Transmeton Ibn Maxheh, Bejhaki, hadithi është hasen (i mirë) sipas Albanit në Sahih-ut-Tergib uet-Terhib (73).1

Ndërsa profeti ﷺ e ka quajtur Abdullah bin Umerin -radijAllahu anhu-, “burrë i mirë” ose “rob i mirë.”

Është e qartë se më e mira për njeriun është që vazhdimisht t’i arrijnë shpërblimet edhe pas vdekjes e jo që ato të ndërpriten me vdekjen e tij. Kjo është diçka për të cilën robi ka nevojë shumë. Me vdekjen ndërpriten të gjitha shpërblimet përveç atyre që profeti ﷺ ka përmendur në hadithe. Prandaj ajo që kam kuptuar është se dëshira për të pasur fëmijë dhe lutja që ata të kenë jetë të gjatë është më mirë për robin. Por duke qenë se këta njerëz kishin një besim të fortë në zemrat e tyre dhe fuqi të madhe në nënshtrimin ndaj caktimit të Allahut, ata e thoshin këtë. Në fakt të pakët janë ata që bëjnë durim me sprovat dhe Allahu e di më së miri.”

Shpërndaje: