Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

19.Shtyllat e mbetura të namazit

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtez
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam dhe imam Muhamed bin Abdil-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

Rukuja, ngritja nga rukuja, bërja sexhde me shtatë pjesët e trupit, ngritja nga sexhdja dhe ulja në mes të dy sexhdeve. Argument për këtë janë fjalët e Allahut -te ala-:

“O besimtarë! Përkuluni (në ruku) dhe bini me fytyrë përtokë (në sexhde)!” Haxh, 22:77

Profeti ﷺ ka thënë:

“Jemi urdhëruar që të bëjmë sexhde me shtatë pjesë të trupit dhe të mos i përveshim rrobat dhe të mos i mbledhim flokët.”

Transmeton Bukhari (810) dhe Muslimi (490).

Qetësia e gjymtyrëve duhet të gjendet në të gjitha veprimet. Veprimet duhet të bëhen sipas radhitjes. Argument për këtë është hadithi i burrit i cili u fal në mënyrë të gabuar. Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- ka thënë:

”I dërguari i Allahut ﷺ hyri në xhami dhe pas tij hyri një burrë, i cili pasi mbaroi namazin shkoi te profeti ﷺ dhe e përshëndeti me selam. Profeti ﷺ ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu falu sepse nuk je falur!” Personi u kthye dhe u fal ashtu siç u fal herën e parë, pastaj erdhi dhe e përshëndeti me selam profetin ﷺ. Ai ﷺ i tha: “Kthehu falu sepse nuk je falur!” Një gjë e tillë u përsëritë tre herë. Derisa personi tha: “Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, unë nuk di më mirë se kaq, andaj më mëso!”

Profeti ﷺ i tha: ”Kur të ngrihesh për tu falur duhet të marrësh abdes si duhet, pastaj duhet të qëndrosh drejt kiblës dhe thua “Allahu Ekber”, pastaj lexo atë që të vjen më lehtë nga Kurani, pastaj shko në ruku dhe qëndro në atë pozicion derisa të qetësohesh, pastaj ngrihu dhe qëndro (drejt) në këmbë, pastaj shko në sexhde dhe qëndro në atë pozicion derisa të qetësohesh, pastaj qëndro ulur derisa sa të qetësohesh. Kështu vepro gjatë gjithë namazit tënd!”

Transmeton Bukhari (6251) dhe Muslimi (397).

Shpjegimi:

Me anë të kësaj dalin në pah shtyllat e mbetura.

Autori -rahimehullah- ka thënë: ”Rukuja, ngritja nga rukuja, sexhdja me shtatë pjesët e trupit, ngritja nga sexhdja dhe ulja në mes të dy sexhdeve.”

Përveç kësaj duhet qenë i qetë në të gjitha veprimet. Veprimet duhet gjithashtu të kryhen sipas radhitjes. Teshehudi i fundit, ulja në të, salavatet mbi profetin ﷺ dhe dy selamet janë gjithashtu shtylla. Argumenti për këtë janë fjalët e Allahut -te ala-:

“O ju që keni besuar! Përkuluni në ruku dhe sexhde.”

Allahu -subhaneh- urdhëroi bërjen ruku dhe sexhde. Urdhri do të thotë obligim, sikurse Allahu -te ala- ka thënë:

”Vetëm Zotin tuaj adhurojeni.” El-Bekare, 2:21

Të gjitha këto urdhëresa janë obligime.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Jemi urdhëruar që të bëjmë sexhde me shtatë pjesë të trupit dhe të mos i përveshim rrobat dhe të mos i mbledhim flokët.”

Këtu urdhërimi përbën obligim. Ne jemi urdhëruar që të pasojmë profetin ﷺ.

Ai ﷺ tha:

”Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.”

Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- ka thënë:

“Ndërsa ishim ulur me profetin ﷺ, një burrë erdhi dhe u fal. Pastaj e përshëndeti profetin ﷺ, i cili tha: ”Kthehu dhe falu; ti nuk je falur.” Kjo u përsërit tre herë.

Pastaj burri tha: ”Betohem në Atë, që me të vërtetë të ka dërguar si profet! Unë nuk di më mirë se kaq. Më mëso!”

Profeti ﷺ i tha atij: ”Kur ngrihesh për t’u falur, duhet të bësh tekbir (të thuash Allahu Ekber). Pastaj duhet të lexosh atë që di nga Kurani. Pastaj duhet të zbresësh në ruku deri sa të jesh i qetë në të. Pastaj duhet të ngrihesh derisa të qëndrosh drejt. Pastaj duhet të zbresësh në sexhde derisa të jesh i qetë në të. Pastaj duhet të ulesh derisa të jesh i qetë në të (në ulje). Pastaj duhet të veprosh kështu në tërë namazin tënd.”

Profeti ia mësoi atij çdo gjë që mund të ishte e paqartë për të. Së pari ia mësoi atij abdesin që është obligim. Namazliu duhet të jetë i pastër. Pastaj ai duhet të kthehet në drejtim të kiblës. Pas kësaj ai bën tekbirin fillestarë që është shtyllë e namazit sipas të gjithë dijetarëve. Pastaj ai tha:

Pastaj lexo atë që di nga Kurani!

Në një transmetim tjetër thuhet:

”Pastaj lexoje nënën e Kuranit (El-Fatihan) dhe atë që dëshiron Allahu!” 

Transmeton Ebu Daudi (859), Ahmedi (18995) dhe Bejhaki (2/374). I mirë sipas Albanit në Sunen Ebi Daud (805)”.

Hadithi:

”Ai që nuk e lexon suren El-Fatihah nuk ka namaz.”

e interpreton hadithin përkatës

Dhe

“pastaj lexo që di nga Kurani”

është el-Fatihah dhe diçka tjerët përveç saj. Leximi i El-Fatihas është shtyllë ndërsa surja pas saj është e rekomanduar.

Pastaj profeti ﷺ tha:

Pastaj duhet të zbresësh në ruku deri sa të jesh i qetë në të. Pastaj duhet të ngrihesh deri sa të qëndrosh drejt. Pastaj duhet të zbresësh në sexhde derisa të jesh i qetë në të. Pastaj duhet të ulesh derisa të jesh i qetë në të (në ulje). Pastaj duhet të veprosh kështu në tërë namazin tënd.”

Kjo dëshmon se të gjithë duhet të kryejnë këto veprime sepse ai ﷺ e mësoi njeriun i cili u fal në mënyrë të gabuar që t’i bëj këto në tërë namazin. Ka edhe dëshmi të tjera për këtë, duke përfshirë:

”Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.”

Ai përmendi namazin sipas radhitjes: qëndrimin në këmbë, rukun, ngritjen nga rukuja, sexhdën. Është e detyrueshme që namazi të kryhet në këtë radhitje. Ne duhet të falemi sikurse falej profeti ﷺ. Ne jemi të detyruar të veprojmë në përputhje me profetin ﷺ sepse është ai që ka shpjeguar dhe detajuar gjërat e përgjithshme të Kuranit.

Allahu ka thënë në mënyrë të pakufizuar:

“Faleni namazin.” El-Bekare, 2:43

“Përkujdesuni për faljet e namazeve, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij.” El-Bekare, 2:238

Megjithatë, ishte i dërguari ﷺ i cili sqaroi se si duhet të falet namazi, përmes veprimeve dhe fjalëve të tij. Në këtë mënyrë namazi është i plotë.

Shpërndaje: